Standard.al

Në kujtim të një miku të mirë!!!

0

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka përcjellë fjalë të ndjera për gazetarin Fatos Baxhaku, që u nda në mënyrë të parakohshme ditën e djeshme nga jeta.

‘Më fal Fatos, nuk munda të vij.

Jam pak larg. Por po të nis disa fjalë.

Iku Baxhaku. Iku i miri. Nuk ishte më i “zoti”, nuk ishte më i “shkathti”, nuk “ngjitej”, nuk “shkëlqente”, ishte thjesht i Miri. Ishte i sinqertë, ishte i ndjeshëm, ishte i vërtetë. Ishte thjesht Baxhaku. Ishte bohemi i fundit i gazetarisë. Të tjerët u bënë të famshëm, të pasur, të pushtetshëm. Të tjerët u bënë me studio, u bënë me redaksira televizionesh, u bënë me shoferë, me sekretarë, u bënë me vila dhe hotele. Baxhaku iku me duar në xhepa. Iku sic ikin të Mirët.

La pas një mal me punë dhe pasion. Bëri vepra që nuk i bëjnë dot të tjerët, sepse ishte më i vërteti, më i sinqerti. La në mes punë (sic është “Historia e Shqipërise në ekran”) të cilat, miqtë dhe kolegët, studiot dhe sponsoret, e kanë për detyrë t’i përfundojnë për të respektuar kujtimin e një njeriu, që e desh profesionin e tij më shumë se veten e tij.

Ne të tjerëve do na mungojë. Do na mungojë tek “Books friends” me diskutimet e gjata për letërsinë dhe kulturën (se Baxhaku ishte i kulturuar: si Elbasanas dhe i biri i Profesorit). Do na mungojë me shakatë dhe historitë e qytetit tek “Kafe Viena” se Baxhaku kishte humor. Do na mungojë në Pogradec buzë liqenit, ku organizonte cdo vit një festival simpatik të filmit. Do na mungojë të gjithëve ky njeri i Mirë, që iku në qetesi, pa bërë zhurmë, pa bujë, pa shqetsuar njeri. Sic ikin të Mirët.

U prehsh në paqe, Miku im!’-shkruan Shehi për mikun e tij.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.