Standard.al

Lulzim Basha përlot me mesazhin e tij për ndarjen nga jeta të profesorit Thoma Kristo…

0

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një mesazhi publikuar në faqen e tij në Facebook, shpreh ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të profesorit Thoma Kristo.

Sipas Bashës, “Pediatria shqiptare është me fat, se në sajë të punës së palodhur dhe themeleve të forta që ngritën profesor Thoma Kristo dhe kolegët e tij, nuk ka për t’u rrezikuar më të zbresë në nivele afrikane, paçka viruseve të këqija që po lëvrijnë sot në administrimin e mjekësisë tonë”.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

Mësova më dhimbje largimin prej nesh të profesor Thoma Kristos, njërit nga themeluesit e shërbimit të pediatrisë në Shqipëri, lektorit të njohur të Fakultetit të Mjekësisë dhe autorit të mjaft teksteve e monografive për Mjekësinë Shqiptare. Në imagjinatën e njeriut s’ka qenie më afër hyjnores sesa mjeku, ai që jep e ruan jetë, por për nënat dhe gratë shqiptare s’ka për të pasur më afër këtij imazhi sesa imazhi i pediatrit, i njeriut që merret me shëndetin e fëmijës. Profesor Thoma Kristo e nisi profesionin e tij në kohën kur statistikat e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri ishin në nivele afrikane dhe kur ishte e zakonshme që në familjet shqiptare, bëhej pyetja “sa fëmijë ke gjallë”? Ai e shoqëroi evoluimin e shërbimit mjekësor ndaj fëmijëve me të njëjtin pasion, në të gjitha fazat e saj, derisa sot ishte njëri nga kontribuesit kryesorë në shërbimin shumë delikat e të specializuar të Kardio-Pediatrisë.

E kam parë nga afër se me sa pasion e preokupim i ndiqte zhvillimet në fushën e pediatrisë shqiptare profesor Thomai, me pasionin e mësuesit për nxënësit, njësoj siç ndiqte ecurinë e dy fëmijëve të tij, të cilët ishin nxënës të nënës time.

Pediatria shqiptare është me fat, se në sajë të punës së palodhur dhe themeleve të forta që ngritën profesor Thoma Kristo dhe kolegët e tij, nuk ka për t’u rrezikuar më të zbresë në nivele afrikane, paçka viruseve të këqija që po lëvrijnë sot në administrimin e mjekësisë tonë. Trashëgimia teorike, por edhe praktike që la profesor Thoma Kristo, me libra, tekste, studentë, por edhe pacientë, janë një garanci e fortë se pediatria shqiptare do t’ja dalë të mbërrijë më shpejt se shumë degë të tjera standardet evropiane.

Kjo garanci është gjithsesi një ngushëllim i vogël për humbjen e pazëvendësueshme në familjen e profesor Thoma Kristos si dhe për humbjen e madhe në radhët e profesoratit shqiptar.

I përjetshëm qoftë kujtimi i profesor Thoma Kristos!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.