Kush e ka detyruar, Talat Xhaferin, që të rekrutohet nga Rilindja e Ramës?!

0
120

Pjerin Ndreu ka marrë sot zyrtarisht detyrën si kryetari i ri i bashkisë së Lezhës. Mbledhja e konstituimit dhe betimi i tij u bënë në bibliotekën e qytetit. Këtë ceremoni e kanë ndjekur nga afër edhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj si dhe deputetë socialistë.

Ky lajm u përhap me shpejtësi pasditen e 14 Gushtit nga të gjitha mediat pranë Rilindjes, të cilat ishin kujdesur që në titull të mos “harronin” theksimin e faktit që, kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut morri pjesë në betimin e Pjerin Ndreut, si kryetar bashkie i Lezhës.

Pak kohë më parë, në 14 shkurt të këtij viti,  Xhaferi bëri një vizitë zyrtare në Tiranë dhe mbajti edhe një fjalim në atë seancë që u bë e famshme, pasi ish-deputeti i PD-së Edi Paloka zezoi me bojë kryeministrin Edi Rama.

Foli siç i takonte. Mbi palët politike, të përçara keqas këtu në Tiranë. Pastaj në atë vizitë 2-ditore takoi edhe Ruçin, Ramën po e po, presidentin Meta dhe kryeopozitarin Lulzim Basha.

Vizitë dhe qëndrime fiks, siç i takojnë një prej shtetarëve më të lartë të vendit tonë fqinj, por edhe një shqiptari që nuk ka pse të përzihet në anësi politike.

Që atëherë Xhaferi si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, nuk ka ardhur më për vizitë zyrtare në Shqipëri. Nëse do të kishte ndodhur, do të ishte një ngjarje “e madhe” sërish, pasi ai është nr. 2 në shtetin fqinj dhe për këtë ka protokoll të veçantë dhe njoftime zyrtare.

Por ja që 3 ditë më parë ai na u shfaq në bibliotekën e qytetit të Lezhës, për të “bekuar” Pjerin Ndreun si kryetar bashkie.

Shumëkush mund të thotë që në atë ceremoni nuk ka qenë si kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, por vetëm si qytetari i këtij shteti dhe privatisht. Dakord, por nëse është kështu përse në të gjitha lajmet që njoftuan këtë pjesëmarrje ai cilësohet si, “Kryetar i parlamentit të Maqedonisë së Veriut”?!

Mund të jetë një përdorje dhe abuzim nga ana e propagandës së Rilindjes ka të drejtë që të hedh alibinë kushdo në këtë rast. Dakord edhe për këtë, sepse ne këtu në Tiranë e dimë shumë mirë se çfarë manipulatori është Rama me propagandën e tij. Por nëse është kështu, vetë Telati përse nuk e përgënjeshtron këtë gjë?!

Mjaftojnë dy rreshta në Facebook a në Twitter; Në ceremoninë e betimit të Ndreut isha si Xhafer dhe jo si kryetar parlamenti. Por nuk e ka bërë dhe pak gjasa ka, që ky “sqarim” të ndodhë.

Pas kësaj dhe të paktën, tani për tani, në pritje të një sqarimi ne kemi të drejtë, që të mendojmë se Talat Xhaferi është vetë përdorur për qëllime politike të brendshme të Ramës. Pra për ti dhënë, Pjerin Ndreut, një bonos të madh publik në marrjen e detyrës së tij ta jashtëligjshme dhe pa përfaqësim të shumicës absolute të qytetarëve të Lezhës. Por edhe sepse nga ana tjetër mund të kuptojmë se Rama, nuk e ka çuar fare rastësisht “kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut”, pikërisht te Pjerin Ndreu.

Në listën e zezë që nxori këtë të shtunë, Lulzim Basha, Ndreu qëndron në krye të saj. Janë të gjitha të dhënat, se ai do të përfundojë së shpejti si Valdrin Pjetri..

Sepse nuk është vetëm në “listën e zezë” të Bashës, por që prej vitit 2003, edhe në atë të partnerëve amerikanë të cilët e zhdukën nga radhët e policisë, pas një kërkese ultimative që i bënë kryeministrit (po socialist) të kohës Fatos Nano. Kjo ndodhi se Ndreu ju rezultonte si një individ me uniformë policie, i përfshirë në trafiqe në kohën që ka qenë drejtues i lartë. Është i destinuar për fatin e Valdrin Pjetrit dhe ndoshta edhe më keq, edhe sepse rezulton i kapur në përgjimet e manipulimit zgjedhor në dosjen ‘184’.

Talat Xhaferi me rastin e zgjedhjes si kryetar i parlamentit të vendit fqinj, u përshëndet me entuziazëm nga i gjithë faktori politik shqiptarë pa përjashtim, por tashmë ne po e shohim atë si të rekrutuar si anëtar dhe në shërbim të Rilindjes së Edi Ramës.

Çfarë mund ta ketë detyruar zotin Xhaferi, të pranoj që të përdoret në këtë mënyrë kaq “leckë” nga Edi Rama; të futet në aradhën e Elisa Spiropalit, Taulant Ballës apo të Sandër Lleshit, i cili e shoqëronte në Lezhë?!

Sepse në fund të fundit,  nuk është kushdo e pak e ca, por vetë kryetari i Kuvendit të një shteti që sapo është futur në NATO dhe ka shumë e më shumë shanse se Shqipëria e Ramës që të hapë negociata me BE-në këtë vjeshtë.

Ka shumë variante që mund ta justifikojnë dhe shpjegojnë këtë mister e përdorim të turpshëm, që i ka bërë atij Rama. Por përveçse një naiviteti fëminor që nuk duket se e ka, një urdhër nga “miq” e “ustallarë” të përbashkët është tani për tani, varianti më i besueshëm.

Nëse kthjellohemi për pak, një fije që mund të ketë bashkuar Ramën me Xhaferin mund të jetë Sorosi, i cili është aktiv në investimin e politikës maqedonase po aq shumë sa në Shqipëri. Në mos, edhe më shumë. Me këtë rast çdokush mund të pyesë me të drejtë, si e tërheq Soros fijen e Xhaferit që më pas ta ndërlidh me litarin, që ka shtrirë te Rama?!

Një variant, do të ishte Beogradi ku ndodhet edhe qëndra kryesore e Sorosti për Ballkanin. Tashmë nuk është sekret që, Aleks Soros, e ka shndërruar në biznesin e tij kryesorë rajonin tonë dhe vetë personalisht bën korrierin nga Vuçic te Rama e anasjelltas, duke përçuar plane, dosje e informacion.

Po Xhaferi, ku hyn te Beogradi mund të vazhdojnë të pyes kushdo që po lexon këtë shënim.

Mjafton që të lexosh ndër vite në mediat e Maqedonisë, se çfarë akuzash i kanë bërë njëri tjetrit të gjithë krerët politikës shqiptare (nuk po i llogarisim dashakeqësit maqedon) dhe rezulton se ajo klasë politike që ka 30 vjet që është pasuruar tmerrësisht (shqiptarët aty jetojnë në kushte mizerabël) nën strehën e patriotizmit të madh kombëtar, në shumicën e saj, rezulton në dosjet e shërbimit sekret maqedonas si ish-bashkëpunëtorë, që në kohën e Ish-Jugosllavisë.

Pra nëse ka një fije të fortë që mund ti kapë politikanët “e vjetër” shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ajo del pikërisht nga Beogradi. Kjo nuk do të thotë, se zoti Talat Xhaferi është me patjetër ky rast…

Por gjithsesi për këdo që nuk e di, ai mund të quhet si një nga ata shqiptarë që është rritur në çdo pikëpamje, pikërisht në Beograd. Nëse ka gëllititur ndonjë “lugë çorbë të prishur”, si pasojë e naivitetit në rini, ajo mund të ketë ndodhur pikërisht në kryeqytetin e Serbisë. Aty ka përfunduar gjimnazin ushtarak; në Beograd vazhdoi karrierën e formësimit ushtarak dhe studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë të APJ drejtimi këmbësori në Beograd; Më pas është transferuar në Sarajeve, Nish etj, si oficer në disa reparte ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë.

Pas pavarësisë së Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart, kurse pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Vetëm në 28 prill të vitit, 2001,kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferi braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Më pas i hyri politikës në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes, në shkurt të vitit 2013.

Aktualisht është shqiptari i parë që po mban një detyrë kaq të lartë si ajo e kreut të Kuvendit në Maqedoninë e Veriut.

Por me sa duket herë pas here “rekrutohet”  si atëherë nga ushtria në Beograd kur ishte i ri, për ti shërbyer në këto ditë të zeza Edi Ramës së Sorosit, që është gjithashtu edhe bashkëpunëtor e mik i presidentit Vuçiç siç po i shohim në çështjen anti- shqiptare për kufijtë e Kosovës! /Syri.net

* Artan Cena, kryeredaktor i Syri.net

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here