Standard.al

A duhet varur ‘Mihali’ në Lungomare?

0

Nga Dritan Kaba

Këto dy ditë ka pasur një stuhi në media dhe cunam në rrjetet sociale. Ndryshe nga uraganet amerikane që i kanë emrat në gjininë femërore, ky cunami ynë e ka emrin Mihal, në gjininë mashkullore.

Mihali u bë personazhi kryesor i këtyre dy ditëve. Atij iu veshën “meme” dhe i krijuan bejte dhe këngë. Shkrime, analiza dhe kronika të pafundme, mirë që janë pushim emisionet televizive se do bëheshin pa fund të tilla. Do ftoheshin “analista”, ekonomistë, qeveritarë, deputetë, kryetarë të bashkive ku do shpreheshin për rrezikun “Mihal”. Dikush nga emisionet do bënte edhe lidhje direkte nga restoranti i tij, ku do ftoheshin bashkëfshatarë që do flisnin për Mihalin nga fëmijëria e tij e hershme.

Aq shumë e trajtuan “Mihalin”, sa shumë shpejt do jetë shprehje në jetën e përditshme.

Për herë të parë pashë “të bashkuar” rreth Mihalit të majtë edhe të djathtë, aq sa besova se “Mihali” na duhej për të zgjidhur problemet tona dhe ai ishte shkaktar i gjithçkaje të bërë dhe ndërtuar keq në këto vite.

A thua që Mihali ka ngritur taksat? A thua Mihali ka dhënë gjithë ekonominë shqiptare të 15 viteve të ardhshme me PPP një grupi oligarkësh pa asnjë garë?

A thua Mihali lë pa ujë e drita bregun? A thua Mihali mbushi Shqipërinë me drogë?! A thua Mihali bëri të emigrojnë 500 mijë shqiptarë nga sytë këmbët?!

A thua Mihali ka bërë që 87% e shqiptarëve nuk kanë mundësi ekonomike të kalojnë një javë pushime? A thua Mihali po i mbyll gojën mediave me ligje diktatoriale?

A thua Mihali bëri votime në vend të zgjedhjeve pluraliste pas 30 vitesh? A thua Mihali ka mbushur bashkitë e Parlamentin me kriminelë? A thua Mihali ka shkatërruar euron duke rrezikuar kështu eksportet shqiptare?

A thua Mihali i ka shpallur luftë shtresës së mesme, biznesit të vogël e të mesëm? A thua Mihali ka bërë një kilometër autostradë 17 milion euro e një km tek Unaza e Re 20 milion euro?!

A thua Mihali po kërkon dhënien si plaçkë të trojeve kosovare për llogari të Serbisë së Madhe dhe grupeve armiqësorë shqiptare? A thua Mihali ka liruar vrasësit nga burgu pa mbaruar dënimi?

A thua Mihali ka vjedhur dhe blerë votat me krimin e organizuar? A thua Mihali është autori i dosjeve 184 dhe 339? A thua Mihali ka fajin që të sëmurët me kancer nuk marrin mjekimin e duhur?

A thua Mihali po i heq subvencionimin fermerëve dhe po ua kalon oligarkëve? A thua Mihali po bën që 79% e të rinjve duan të largohen një orë e më parë nga ky vend?

A thua Mihali uli numrin e lindjeve në Shqipëri sa rrezikohemi që brenda disa dhjetëvjeçarëve të jemi drejt plakjes dhe afër asimilimit si komb? A thua Mihali na bllokon integrimin evropian?

Aq mire ia bëtë Mihalit sa nuk ka ku të shkojë. E meriton! Mihali është sjellësi i fatkeqësive!

Unë propozoj që Mihalin ta varin tek Lungomarja, aty ku vareni çdo fundjavë me orë të tëra se Mihali u çmend edhe e bëri nga tre korsi në një drejtim, vetëm me një.

Propozoj edhe një miting madhështor me rastin e varjes, të japë një koncert Shkëlzen Dolli dhe nga mesi i turmës të bërtasë ajo drejtoresha për liderin “I love you”.

Të gjithë si i thonë italianet do të jenë: Të lumtur dhe të kënaqur. Të keqen e gjetëm!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.