Kume: Një krizë të re do të përfshijë aktorët politikë, nëse dënimi i Pjetrit vërtetohet…

0
76

Konstitucionalisti dhe ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume në një prononcim për politiko.al parashikon se një krizë të re do të përfshijë aktorët politikë, nëse dënimi i Pjetrit vërtetohet.

Kume ka ofruar dy variantet e mundshme se çfarë do të ndodhë në vijim, nëse akuzat ndaj Pjetrit provohen në kushtet kur për të vepron ligji i dekriminalizimit.

“Janë të mundshme dy situata: 1. Nëse provohet se Z. Pjetri është në kushtet kur për të vepron ligji i dekriminalizimit përpara se të bëjë betimin dhe të fillojë ushtrimin e mandatit.

Në këtë rast, unë besoj se KQZ do të vetaktivizohet dhe do të shpallë të pavlefshme zgjedhjet për kryetar bashkie në Shkodër dhe në të njëjtin vendim do të përcaktojë edhe datën për zgjedhjet që duhet të bëhen në ketë bashki. Ndërkohë Znj. Ademi do të vazhdoj të kryejë detyrën e Kryetarit të bashkisë.

2. Nëse provohet se z. Pjetrit është në kushtet kur për të vepron ligji për dekriminalizimin dhe ndërkohë ai e ka filluar ushtrimin e mandatit te Kryetarit të bashkisë duhet që mandati i tij të ndërpritet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky vendim ka si pasojë përballjen e z. Pjetri me gjykimin për konsumimin prej tij te veprës penale që lidhet me deklarimin e rremë, siç parashikohet në ligjin për dekriminalizimin”, shprehet Kume, i cili thekson se në këtë situatë të re, hyn në lojë edhe presidenti, por çfarë ndodh në kushtet kur Presidenti Meta nuk e njeh 30 qershorin, datë e anuluar prej tij dhe duke e zëvendësuar me 13 tetorin.

“Vendimin për datën e re për zgjedhjet për kryetar në bashkinë Shkodër duhet ta marrë Presidenti, jo më vonë se 30 ditët pas shkarkimit nga detyra te z. Pjetri. Deri në zgjedhjet për Kryetar, në këtë rast detyrën ngarkohet ta kryejë një ndër n/kryetarët që do të zgjedhë Këshilli bashkiak.

Ndërkohë, duke qenë se Presidenti ka dekretuar datën 13 tetor si datë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, për të nuk ka kryetar të zgjedhur në votimet e 30 qershorit dhe as nuk ka kryetar të shkarkuar. Presidenti nuk ka për ta marrë në konsideratë vendimin e këshillit të ministrave dhe do të përsërisë thirrjen për zgjedhje në 13 tetor. Por, që të bëhen zgjedhje në këtë datë duhet që paraprakisht dekreti i Presidentit të botohet në Fletoren zyrtare. Ndërkohë, ky botim sjell pasoja edhe për zgjedhjet e bëra në 30 qershor në bashkitë e tjera! Situata komplikohet.

Nëse Presidenti i Republikës vendoset në kushtet kur caktimi i datës për zgjedhje në Shkodër i kërkohet pas datës 13 tetor, mund të këmbëngulet nga mazhoranca në kërkesën për një datë të tille duke theksuar se edhe pretendimi i tij për 13 tetorin faktikisht nuk ekziston më. Se çfarë situate prodhohet në këtë rast nuk është e vështirë për t’u parashikuar.

I mundshëm është edhe opsioni i përdorimit të mundësisë për ankim të Z. Pjetri në Gjykatë Kushtetuese duke synuar, në këtë mënyrë, shtyrje sa më shumë të procesit”, shpjegon Kume.

Ish-kreu i KQZ, apelon njekohësisht klasën politike që të angazhohet, për të realizuar një reformë të thellë legjislative që do të bëjë të mundur funksionimin real të demokracisë.

“Nga sa me sipër, ajo që është shumë më tepër e rëndësishme se sa fati i Z. Pjetri ose i kryetarit te bashkisë Shkodër, është fakti se problematika me të cilën është duke u përballur vendi dhe shoqëria jonë, e shkaktuar nga shume faktor, nder te cilët bën pjesë edhe pamjaftueshmëria ne funksionimin e shtetit ligjor, është shumë serioze dhe kërkon ndërhyrje serioze.

Është e domosdoshme që të gjithë të biem dakord dhe në veçanti partitë politike për t’u angazhuar dhe realizuar një reformë të thellë legjislative që do të bëjë të mundur funksionimin real të demokracisë në vendin tonë”, shprehet Kume.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here