Standard.al

Eksperti amerikan: Korrupsioni dhe përqafimet e Ramës me Erdogan, po e largojnë SHBA

0

Studiuesi i njohur amerikan, Alon Ben-Meir, në një intervistën për gazetën, “Shekulli”, mendon se korrupsioni në qeveri përbën një kërcënim për investimet amerikane në Shqipëri. Nga ana tjetër ai paralajmëron se ky korrupsion dhe një elitë e pa përgjegjshme politike, mund edhe të ndërpresë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Mjerisht, që nga rënia e komunizmit, Shqipëria ka qenë e qeverisur nga politikanë të korruptuar, të cilët kanë dëmtuar imazhin e saj dhe mund të vonojnë procesin e pranimit të saj në Bashkimin Evropian.

Ka disa shtete anëtare të BE-së që kundërshtojnë integrimin e Shqipërisë në këtë pikë, pikërisht për shkak të korrupsionit të vazhdueshëm dhe krimit të organizuar. Këto fakte paraqesin një sfidë të rëndësishme për qeverinë, pavarësisht se sa të sinqertë janë përpjekjet e saj për t’u marrë me këtë çështje endemike”, thotë eksperti amerikanë.

Doktor  Ben-Meir në këtë intervistë flet gjithashtu, edhe  për rolin e veçantë të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe efektet negative që ka afrimi i Edi Ramës me Presidentin e Turqisë, Taip Erdogan.

“Nuk ka dyshim se SHBA mund, dhe në fakt duhet, t’i sigurojë Shqipërisë një mbështetje të konsiderueshme financiare me fokus në projektet e zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo do të sigurojë mundësi për punë me pagë të mirë për të rinjtë, ngjall ndjenjën e përkatësisë dhe do të ofrojë perspektiva më të mira për rritje, të gjitha këto janë çelësi për ngjalljen e shpresës, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Kjo gjithashtu do t’i shërbente interesit strategjik të ShBA-ve në Shqipëri dhe do të parandalonte që Rusia dhe Turqia të krijojnë një themel të fortë në vend. Por mungesa e investimeve të konsiderueshme amerikane në Shqipëri i atribuohet disa shqetësimeve, mes tyre korrupsionin e përhapur si në qeveri ashtu edhe në sektorin privat.

Paqëndrueshmëria relative politike, siç u demonstrua në protestat e fundit, dekurajon investime të mëdha nga kompanitë amerikane. Veçanërisht ka një konkurrencë të fortë nga Turqia, i cili ofron “kushte më të mira”, duke e bërë më të vështirë konkurrencën e kompanive amerikane. Fakti që kryeministri Rama vazhdoi të përqafohet me Erdogan, pa dyshim nuk ndihmon”, deklaron eksperti gjeopolitik i njohur amerikan, Alon Ben-Meir, në këtë intervistë mes të tjerave.

Dr Alon Ben Meir është profesor dhe bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e “Global Affairs” të Universitetit të Nju Jorkut dhe anëtar në Institutin e Politikave Botërore. Dr. Ben-Meir është një ekspert për politikën dhe çështjet e Lindjes së Mesme, i specializuar në negociatat ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve.

Në dy dekadat e kaluara, Ben-Meir është përfshirë direkt në negociata të ndryshme midis Izraelit dhe vendeve fqinje të saj dhe Turqisë. Ben-Meir organizon debatet: “Udhëheqësit Global: Biseda me Alon Ben-Meir”, një seri diskutimesh dhe bisedash me politikë-bërësit e lartë nga e gjithë bota që zhvillohen çdo semestër në NYU.

Ai gjithashtu rregullisht informon në Departamentin e Shteteve të Bashkuara për Programin Ndërkombëtar të Vizitorëve. Ai shkruan një artikull të përjavshëm që shfaqet në shumë gazeta, revista dhe uebfaqe, duke përfshirë Huffington Post, Jerusalem Post, East East Times, Times of Israel, Epoch Times, Quarterly Politike, Harvard Revieë, dhe shumë botime të tjera në arabisht dhe anglisht. Ben-Meir është shfaqur në rrjete si ABC, Al Jazeera (Anglisht dhe Arabisht), Al Arabiya, al Hurray, CNN, Russia Today dhe NBC.

Ai është autor i shtatë librave që kanë të bëjnë me Lindjen e Mesme dhe aktualisht është duke punuar në një libër të ri për dimensionin psikologjik të konfliktit izraelito-palestinez. Dr. Ben-Meir ka një diplomë master në filozofi dhe një doktoratë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti i Oksfordit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.