Zhapaj: Ndryshimi i mesatares detyron shumicën e maturantëve të shkojnë tek privati ose të emigrojnë

0
217

Duhen ndërhyrje urgjente në ligjin për arsimin e lartë, duhet vendosur në qendër të mësimdhënies studenti, duhet shtuar fokusi tek kërkimi shkencor si dhe duhet dhënë autonomi e zgjeruar universitetit publik”

Gjatë kohës që maturantët ishin në periudhë provimesh, Ministria e Arsimit bëri publike faktin që për pranimin në universitet ishte rritur nota mesatare. Tashmë maturantët për t’u pranuar në universitetet e vendit  duhet ta kenë mesataren mbi 6.5 si dhe për degë specifike si mësuesia është rritur në 7,5 dhe mjekësia mbi 8. Ky ndryshim i papritur i notës mesatare shkaktoi reagimin e vetë maturantëve të cilët  i dërguan një peticion Avokatit të Popullit për rishikimin e këtij ligji pasi ishte marrë në mënyrë të menjëhershme dhe pa paralajmërimm. Përpos kësaj si maturantët dhe shumë ekspertë të arsimit thonë se rritja e mesatares nuk rrit cilësinë e studentëve që pranohen në fakultete, ndryshe nga ccfarë pretendon Ministria e Arsimit.

Në një intervistë për “Standard” eksperti i arsimit, Albano Zhapaj ka thënë se është praktikë e qeverisë të ndryshojë rregullat e arsimit në mes të lojës. Sipas tij ndryshimi i mesatares vetëm sa i detyron shumicën e maturantëve të drejtohen te private ose të studiojnë jashtë, pra të emigrojnë. Ai më tej ka pohuar se ky ndryshim i paparalajmëruar i mesatares ka provokuar stres e ankth te maturantët. Sipas Zhapaj, ndryshimi i mesatare  nuk sjell rritjen e cilësisë së studentëve pasi notat rriten artificialisht në gjimnazet private, dhe këtë e provon dhe fakti që vitin e parë të studimeve kemi një ulje të ndjeshme të notave krahasuar me gjimnazin. Përsa i përket mungesës së akredimit të universiteteve shtetërore ai thotë se është thjesht një truk burokratik që përdor akreditimi dhe ministria për të zvarritur, goditur apo edhe gostitur klientelën e saj në arsimin e lartë. Përsa i përket rritjes së cilësisë së arsimit në vendin tonë, Zhapaj thotë është shumë e vështirë të ringrihet cilësia e këtij të fundit, megjithatë thekson se duhen ndërhyrje të mënjëhershme në Ligjin për Arsimin e Lartë.

Intervistoi: Armela Karemanaj

  1. Si e gjykoni ndryshimin e notës mesatare për pranimin në universitet kur studentët ishin në periudhë provimesh?

Është tashmë një praktikë e suksesshme e qeverisë të ndryshojë rregullat e arsimit në mes të lojës, dhe për fatin e keq të maturantëve, studentëve dhe të gjithë shqiptarëve kjo ka funksionuar. Kujtoni se kur u ulën kuotat në 2015 nuk u bë asnjë paralajmërim, madje edhe disa protesta të vogla maturantësh kryeministri i cilësoi si protesta pisanjosësh dhe s’patën asnjë efekt. Më tej u vijua me vendosjen e pragut të notës gjashtë si kriter i hyrjes në universitet, dhe përsëri asnjë reagim nga maturantët apo prindërit e tyre. Kujtojmë protestën e madhe të studentëve të vitit të kaluar, dhe përsëri asgjë në favor të tyre. Pra nga një analizë e ngjarjeve të kaluara është llogjike të deduktosh që qeveria e ka shumë të lehtë që të bëjë ndryshime të paparalajmëruara dhe të mos t`i “hyjë gjemb në këmbë”. Gazeta juaj prej vitesh ka trajtuar problematikat mbi maturantët dhe studentët, unë vetë dhe shumë ekspertë të tjerë për arsimin e kemi ngritur zërin, por arroganca e qeverisë e ka tejkaluar zërin dhe përpjekjet tona për sensibilizimin e opinionit publik. Për sa i përket vlerësimit tim për ndryshimin e mesatares, unë kam bindjen se ajo është një përpjekje e mëtejshme e qeverisë për të detyruar shumicën e maturantëve të regjistrohen tek privati dhe akoma më keq për t`i detyruar të shkojnë jashtë vendit me studime, pra të emigrojnë.

  1. A u penalizuan maturantët nga ky ndryshim i palajmëruar i mesatares?

Siç edhe e theksova më sipër, penalizmi është dy drejtimesh: familjet e tyre do detyrohen të zbrazin xhepat për 5 vitet e ardhshëm, dhe fëmijët do detyrohen të emigrojnë. Të mos anashkalojmë faktin se këto ndryshime të papritura e të paparalajëmëruara ndikojnë keq edhe në shëndetin mendor të maturantëve, duke provokuar ankth dhe stres të vazhdueshëm, si dhe në vendimmarrjen e gabuar mbi të drejtën e studimit, duke devijuar kështu ëndrrat e tyre dhe detyruar të studiojnë degë që nuk i preferojnë. Ky ndryshim i notës që proklamohet si gjasme tregues i rritjes së cilësisë në arsim, është në fakt një tregues i rritjes së hapësirave abuzuese dhe korruptive në sistemin e menaxhimit të pranimeve dhe në arsimin e lartë në përgjithësi.

  1. Sipas jush, ndryshimi i notës mesare do rrisë dhe cilësinë e studentëve që pranohen?

Nuk kam as më të voglin dyshim se rritja e pragut të notës për hyrjen në universitet nuk ka asnjë korrelacion me rritjen e cilësisë së studentëve. Shumica e studentëve të mjekësisë, mjafton ti shikosh vetëm pas përfundimit të vitit të parë se çfarë rënie kanë në notë nga ajo e gjimnazit. Kjo tregon se nuk rritet cilësia e studentëve, por rriten artificialisht notat në gjimnaz, përgjithësisht tek gjimnazet private, fiktivitet të cilin ju si gazetë edhe unë e kemi trajtuar edhe në vitet e kaluara si një plagë e madhe korruptive që ka kapur shkollat tona të mesme. Një logjikë e thjeshtë të çon të mendosh që shumë prindër për hir të mesatares i çojnë fëmijët në gjimnazet private, pasi vetëm kështu sigurojnë mesatare.

  1. Shumica e programeve të studimit në universitet shqiptare janë të paakredituara, çfarë tregon kjo për cilësinë e arsimit të lartë?

Nga informacionet që kam unë Agjencia e Akreditimit është kthyer në një vend qokash, pas a shumë si Agjencia e Kthimit të pronave, ku cilësia dhe akreditimi kanë si kriter meritokracie pagesën. Nuk është se kemi pritur të jetë ndryshe në fakt, pasi është afër mendjes, se asnjë njeri me intelekt normal nuk do bindej dot lehtë se si një universitet privat  disa vjeçar në treg merr akreditim gjashtë vjeçar, dhe një universitet lider si ai i Tiranës merr akreditim një vjeçar. Janë thjesht truke burokratike që përdor akreditimi dhe ministria për të zvarritur, goditur apo edhe gostitur klientelën e saj në arsimin e lartë.

  1. Cilat janë problematikat më të mëdha me të cilat haset sot arsimi i lartë në vendin tonë?

Problematika më e madhe në arsimin tonë të lartë është fillimisht vetë ligji i arsimit të lartë, pastaj vijon me menaxhimin klientelist dhe paaftësinë galoponte që ka uzurpuar zyrat e Ministrisë së Arsimit, duke filluar që nga titullarja e deri tek punonjësi i fundit që hap e mbyll portën e institucionit. Problematikë tjetër është vizioni i munguar ose i cunguar i vetë qeverisë mbi arsimin, sepse kanë vite që flasin për sistem, por skano arritur dot kurrë të krijojnë sistem. Treguesi më i qartë i mungesës së sistemit është ndryshimi i shpeshtë i rregullave, rregulloreve, udhëzimeve apo urdhëresave në arsim, me rregulla që ndryshojnë madje në mes të lojës, pra viti akademik. Kur flasim për sistem kemi parasysh një tërësi e veprimesh dhe masash, të ndërmarra nga institucioni, të lidhura midis tyre dhe të projektuara për një periudhë afatgjatë me qëllim mbarëvajtjen e arsimit. Këtë lloj menaxhimi të arsimit, vetëm sistem nuk mund ta quajmë dot.

  1. Si mund të përmirësohet cilësia e arsimit, çfarë politikash duhen ndjekur?

Në këtë farë derexheje që e ka katandisur arsimin shqitar kjo qeveri, kushdo që të vijë më pas do ta ketë shumë të vështirë ta ringrejë. Fillimisht duhen ngritur disa shtylla ose pilarë, mbi të cilat të vendosen parimet bazë të arsimit dhe menaxhimit, të vendoset prioritet mbi rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë, të orientuara njëkohësisht drejt hapësirës evropiane të arsimit të lartë por edhe duke ruajtur specifikat dhe vlerat tona kombëtare. Duhen ndërhyrje urgjente në ligjin për arsimin e lartë, duhen riorganizuar dhe thjeshtuar aktet nënligjorë që orientojnë arsimin e lartë, duhet vendosur në qendër të mësimdhënies studenti, duhet shtuar fokusi tek kërkimi shkencor si dhe duhet dhënë autonomi e zgjeruar universitetit publik. Më tej duhet të zbatohet autonomia dhe liria akademike institucionale dhe menaxheriale e universieteteve publike, duke u dhënë atyre mazhorancën në Bordet e Menaxhimit si dhe drejtimin e këtyre bordeve, natyrisht. Njëkohësisht duhen spastruar Bordet e Administrimit nga militantët dhe arrogantët partiakë të pushtetit, që skanë asnjë lidhje me arsimin, dhe zëvendësuar ato me njerëz seriozë e profesionistë të përgjegjshëm. Arsimi universitar nuk është i pandikuar nga ai parauniversitar sepse janë të lidhur ngushtë mes tyre, i pari furnizon të dytin, pra kemi jemi përballë fenomenit të shkak-pasojës, rrjedhimisht duhen çliruar zyrat e Ekzekutivit të Arsimit, Drejtorive Rajonale Arsimore, Zyrave Arsimore Rajonale, si dhe Drejtorive të Shkollave të Arsimit Parauniversitar nga individët e paaftë, të teseruarit e partisë pushtet, nga arrogantët, hajdutët dhe gjobvënësit, si hap themelor i frymëmarrjes së munguar në arsimin parauniversitar, atij universitar në vijim dhe institucionet menaxhuese të arsimit publik në vend. Në këtë formë jo vetëm fillon e merr jetë zhvillimi i arsimit por edhe eliminohen mundësitë e deformimit të qëllimeve të shenjta të edukimit dhe dinjitetit të atyre punonjësve pedagogjik, akademik apo edhe teknikë të institucioneve arsimore publike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here