Standard.al

Fotolajmi/ Dhunohet Bashkia e Kamzës, mbështetësit e Rakip Sulit shpërthejnë derën me kaçavida

0

Socialisti Rakip Suli është betuar si kryebashkiak i bashkisë së Kamzës. Suli e ka kryer betimin në ambientet e shkollës “Ibrahim Rugova”, kjo pasi kryebashkiaku në largim Xhelal Mziu nuk ka liruar ende zyrën. Ndërkohë para Bashkisë janë mbledhur një grup qytetarësh, mbështetës të Partisë Demokratike të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kryebashkiakut në ikje Xhelal Mziut dhe kanë bllokuar derën e bashkisë së Kamzës.

Mbështetës të Mziut janë shprehur se nuk e njohin Sulin si kryebashkiak, ndërkohë që Mziu vijon ende të jetë në zyrë.

Por, pavarësisht kësaj, ashtu si ka ndodhur dhe në bashkitë e tjera të djathta, pas përfundimit të orarit zyrtar, njerëz të armatosur me kaçavida dhe të nxitur nga socialistët, kanë shpërthyer derën e institucionit duke u futur brenda ambienteve të Bashkisë.

Situata ditën e sotme në Kamëz

Me pankarta në duar “Kamza blu” “Asnjë hap pas” “Turp Mister 6%” mbështetës të PD-së ndodhen para godinës së bashkisë së Kamzës. Ata thanë se nuk do lejojnë Rakip Sulin të hyjë në godinë.

Ndërkohë që pritej të bëhej dhe betimi i Rakip Sulit si kryetar bashkie, një reagim do të vinte nga Xhelal Mziu përmes rrjeteve sociale “Jo komunizmit, krimit, korrupsionit, votimeve moniste, jo 6%!”, kështu shkruan në një postim në rrjetet sociale kreu i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu.

Ai fton qytetarët që të bashkohen përpara godinës së Bashkisë mesditën e djeshme, pasi pritet që të bëhet betimi i Rakip Sulit, të zgjedhurit nga votimet e 30 Qershorit, ish-deputetë në PS, i cili la Kuvendin për Kamzën.

Kryebashkiaku në ikje, Xhelal Mziu insiston se është ende ai kryetari i Bashkisë së Kamzës dhe se nuk do ta lirojë zyrën.

Mziu deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Sipas tij, më 30 qershor nuk pati zgjedhje të ligjshme. Sipas tij, Rakip Suli nuk përfaqëson askënd pasi në këto votime morën pjesë vetëm 6% të zgjedhësve.

“Vazhdoj funksionin për të cilin jam mandatuar. Zoti Suli përfaqëson një proces farsë ku morën pjesë në votime vetëm 6% të banorëve të Kamzës. Nuk besoj se pati zgjedhje më 30 qershor. Suli mori 4 herë më pak vota se kandidati i mëparshëm i PS në Kamëz. Ky është një uzurpim i institucioneve, ia kalojnë dhe kohës së Enver Hoxhës. Kemi një qeveri, parlament të një partie. Kush e njeh demokracinë e di se në 30 qershor nuk pati zgjedhje. Do vazhdojë detyrën sot deri në orarin zyrtar dhe nesër në orën 08:00 do kthehem sërish”,u shpreh Mziu .

Për të shmangur përplasjen, betimi i Sulit u bë në godinën e një shkolle, gjë që sipas demokratëve është tërësisht në shkelje të ligjit.

Por pavarësisht dëshirave të protestuesve të mbledhur mesditën e djeshme për të kundërshtuar emërimin e kryetarit të Bashkisë së kamzës, Rakip Sulin, është konstituar Këshilli bashkiak i Kamzës i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, në një ceremoni që u krye në shkollën “Hillary Clinton”.

Këshilli bashkiak përbëhet nga 41 anëtarë: 40 anëtarë Aleanca për Shqipërinë Europiane, dhe një i përket Bindjes Demokratike. Ndërkohë që u bë dhe betimi i Rakip Sulit si kryetar bashkie, në ceremoninë e djeshme ishin të pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Ervin Bushati dhe Aldrin Dalipi.

Nga ana tjetër, Suli mbajti një fjalim falënderues për postin që i është besuar dhe garantoi se do të punojë me përkushtim për Kamzën.

“Në mënyrë të veçantë për PS dhe Ramën që më dha mundësinë që të jem kryetar i Kamzës. Jam mirënjohës për skuadrën e 30 qershorit, u arrit që të hapet një faqe e re për Kamzën. Nga sot interesi i qytetarëve të Kamzës, mbrohet nga ne. Qytetarëve të Kamëz deri tani janë shtuar hallet dhe jo zgjidhur. Një rrjedhë historie e mbrapsht që nuk ka sjellë as zhvillim dhe as mirëqenie për qytetarët e Kazmës. Ne do tia dalim për të bërë më të mirën për familjet e Kamzës dhe Paskuqanit”, tha Suli.

Gjykata e Tiranës disa ditë më parë i dha mandatin kreut të ri të bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Kryetari ende në detyrë i kësaj bashkie, Xhelal Mziu bëri kërkesë në Gjykatë për të qenë palë në këtë proces dhe dorëzoi pranë saj të gjitha provat që sipas avokatit të tij, Ivi Kaso tregonin se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime, por kjo kërkesë e tij nuk u pranua.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.