Standard.al

13 Tetori/ Caka: Do të ketë zhvillime të jashtëzakonshme pa Rilindjen në krye

0

Ish-deputetja e LSI-së Silva Caka ka folur ditën e sotme për situatën politike. Ajo paralajmëroi për një shtator me zhvillime të shumta dhe një aksion opozitar në përputhje me vendimet e maxhorancës. Caka tha se opozita me protestat e saj iu ka hapur sytë qytetarëve për çfarë po ndodh në vend.

Sa i përket qëndrimit të ndërkombëtarëve ndaj bojkotit të opozitës, Caka tha se ka qenë një vendim i nxitur nga një situatë jo normale.

“Faktori ndërkombëtar ka patur një kritikë lidhur me bojkotimin e institucioneve që opozita ka bërë që nga shkurti. Ne i kemi mirëkuptuar por jemi përpjekur të shpjegojmë se ky ishte një vendim i nxitur nga një situatë jo normale. Kjo ka qenë e vetmja pikë kritike lidhur me marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët. Janë ndërkombëtarët që po ndahen në shumë pika me mënyrën si po qeveris Edi Rama”, deklaroi ajo.

Sa i përket marrëdhënieve në opozitë, ajo i cilësoi më se korrekte. Për kryeministrin Edi Rama ajo tha se nuk është ai lloj politikani që largohet për shkak të ndërgjegjes së qytetarëve.

“Ka pasur lloj-lloj skandalesh. Ka një mungesë të jashtëzakonshme përgjegjshmërie dhe ndjeshmërie. Nuk mund të themi që protestat nuk e kanë rrëzuar Edi Ramën, kanë filluar rrëzimin e Edi Ramës. Ka qenë opozita shqiptare që i ka krijuar qytetarëve shqiptarë solidarizimin me kauzën e saj dhe iu ka hapur sytë shqiptarëve se çfarë po ndodh.

Shtatori do të rifillojë protestat pa diskutim. Kur themi protesta iu referohemi atyre të mëdha, por protesta ka çdo ditë. Edhe mos vajtja me pushime dhe lënia e plazheve bosh është një lloj proteste. Pa diskutim shtatori do ketë zhvillime të reja. Do vijojnë takimet me qytetarët shqiptarë, mbledhja e mesazheve të tyre dhe amplifikimi me të gjithë shqiptarët. Siç kemi qenë me protesta patjetër do ketë. Elementë të rinj do ketë në varësi të zhvillimeve”, u shpreh Caka.

Pjesë nga intervista

Çdo të thotë për LSI-në që ju jeni gati të shkoni në zgjedhje dhe me kryeministër Edi Ramën?

Ne kemi pasur një qëndrim shumë të qartë lidhur me këtë gjë. Kjo është pjesë e asaj kauze të madhe që ne na ka bërë pjesë të frontit opozitar. Mosqenia e Edi Ramës në krye të qeverisë, mosqenia e ministrave të tij, qoftë edhe në role partiake apo role qeveritare apo dhe e grupit të tij parlamentar dhe deri në momentin që ato nuk do të shkojnë të përballen me drejtësinë ashtu siç do të duhet të përballeshin, padyshim që edhe në opinionin tonë edhe në bindjen tonë të plotë politike, sigurisht zgjedhje të lira dhe të ndershme  në Shqipëri nuk zhvillohen. Por ne kemi bindjen tjetër që deri më 13 tetor nuk do të jetë më as Edi Rama kryeministër, as Partia Socialiste apo Rilindja më mirë të them në krye të qeverisë, kështu që me të gjitha hapat që do të ndërmerren dhe të gjitha zhvillimet që do të ndodhin deri në 13 tetor besoj se do të kemi zgjedhje vendore, që nuk do zhvillohen nën drejtimin e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit. Kemi bindjen e plotë që deri më 13 tetor do të kemi zhvillime të jashtëzakonshme të cilat do të sjellin ndoshta për herë të parë zgjedhje me standarde shumë më të larta seç kemi pasur deri më sot.

News24

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.