Dilema e Nako Spiru: Vrasje apo vetëvrasje ( Shkruan Vasfi Baruti)

0
191

 

PËR DILEMËN: VETË VRASJE / VRASJE E NAKO  SPIRUT

Dr. Vasfi BARUTI

Nako Spiru, numëri dy i partisë komuniste në Luftë, udhëheqës i shquar i partisë, më i afërti i Tarasit dhe mbajti gjallë partinë në luftë me raporte e informacione të bazës së partisë për qendrën, shkroi gjithë faqet e buletinit “Zëri i Popullit”, anëtar i Byrosë Politike në Luftë e pas saj dhe nëntorin ’47 vrau vetenlojë me armën ama dhe pa të ngjashmen: vdekëtarit Nako S. diktatori i ndërroi 5 (pesë) varre, me varrosje e zhvarrosje herë me nderime fals, herë tradhtar, herë qytetar i rëndomtë – e pabesueshme por e vërtetë e pamëshirë. Në vitet ’90 e më pas janë botuar mjaft shkrime për tragjiken e N. Spirut, me theks jo vetvrasje por vrasje nga diktatori. Këtu vjen një tablo historike sociologjike përndryshe nga ç’është shkruar më parë, edhe në “doktoraturë” për të. Po edhe me një dossier nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit me opinion të tiranasve ato ditë, për vdekjen e Nako S.

Investigim, histori mafjoze vrastare                                      .      .    .                                                                     .    Nga Nëntori ’47 kur botohej, Komunikata e Qeverisë së RP Shqipërisë vjen këtu herë të parë: Dje më 20 nëntor 1947 rreth orës 19.45’ Ministri i Industrisë dhe Kryetar i Komisionit të Planit aksidentalisht vrau[1] veten. Fatkeqësia ndodhi në këto rrethana: ndërsa bisedonte me disa shokë, funksionarë të Komisionit të Planit, ay lonte me revolverin e tij, i cili papritur i plasi në duar duke e goditur në trup. Plumbi qëlloi nën sisën e mëngjër. Me urgjencë të madhe u transportua në Spitali Ushtarak. Ai vdiq në ora 22.5’ të 20 nëntorit.[2] Komunikata si ai Çelësi i Solitpër kompozitorin! Përse? Shtatë argumente nga Komunikata, me gjegjie për dilemën: vetë vrasje / vrasje e Nako Spiru.                       

          (1) I referohem komunikatës qeveritare: Nako S. rreth orës 19.45’ vrau vetendhe në ora 22.5’ vdiq në Spitali Ushtarak! Autori Roland Qafoku[3] ka siguri për orën e vdekjes: “Në orën 02.00 [!] të mëngjesit të ditës tjetër [21 nëntor] ndërroi jetë në spital”. Ora e vrasjes (19.45’) dhe e vdekjes (22.5’) vjen e lëkundet tepër nga raportimi që vjen nga “Djali” (informator i fshehtë) në bisedë me qytetarin Azis Aliu (Karashiqi) ditët e mortit të Nako S.: Një ditë në dyqanin t’im erdhi një komunist dhe më tha: atë natë kur u vra Nako unë me Nakon dhe shokët tonë kemi qënë s’bashku në Komisionin e Planit deri në orën 11.30’, mbas kësaj ore unë ika dhe Nakon e lashë aty. Nuk besohet kurrë që Nako të jetë vrarë aksidentalisht deri sa ky ka qënë në orën 11.30’. E vërteta (ka thënë Azizi) duhet të jetë se ai i tradhtoi dhe këta e vranë dhe pikërisht atë natë ka qënë me Nakon dhe ai Komunisti e deri në orën 11.30’ ka qënë atje. Azizi vazhdon duke thënë: “Nako pësoi fatin e Mustafa Gjinishit […] Për Nakon është për të ardhur keq mbasi ishte një njeri i zoti dhe i kulturuar dhe orator i mirë, prandaj kjo është një humbje e madhe. (DJALI)[4] Thelbi i informacionit të informatorit të fshehtë (Djali) është ora e bisedës (11.30) dhe ajo do merrte shumë vlerë nëse ora 02 e vdekjes është gjetje burimore e besueshme nga eksperti mjekoligjor Prof. Dr. Bardhyl Çipi e publicisti Roland Qafoku, të cituar më parë, por janë dhe dy informatorë që sjellin në dosje thuajse të njëjtin mendim.

          (2) Dhe të dhënat e një kqyrje [mjekoligjore] identifikuese e mbetjeve kockore të Nako Spirut në njërën nga 5 lëvizjet që u është bërë atyre pas vdekjes […] nga unë[5] s’janë aspak argument për vrasje të N. Spiru. Komunikata ishte në tavolinën e diktatorit e asesi s’mund të besohet se s’di se dy foljet vrau / vdes janë e njëjta: ndarje nga jeta për N. S. gjë që e di edhe një fëmijë! [FGJSH:Vras / vrasje / vraunjeriu vdes, duke qëlluar me armë ose mjet tjetër” f. 1357, “Vdes / vdiq – nuk është më i gjallë, nuk jeton më, ka ndërprerë shkëmbimin biologjik të lëndëve, f. 1317] Përkundër komunikatës, se Nako vrau veten, është Liri Belishova që asfare s’beson në vetvrasje, me bindje është për vrasjen e Nako S. dhe vjen një referencë nga “Trajko”, i ngarkuar nga Sigurimi i fshehtë, për ç’thuhej në varrimi i Nakos dhe i raportonte qendrës: Një fjalim [fjalë] që ka mbajtur Liri Belishova mbi varrin e tij, e cila jo haptas fare por në grupe veç e veç tue thënë: Nako rri i qetë se unë do ta zbuloj vrasjen tënde dhe do ta marr hakun dhe më vonë Lirinë e ka marrë Mbrojtja e Popullit dhe e kanë mbajtur 48 orë dhe mandej kur e kanë lirue ka tentue me vra veten. (TRAJKO)[6] Bashkëjetuesja Belishova nuk e mbajti fjalën që i dha bashkëjetuesit Nako në varr dhe të vërtetën, cili ishte vrasësi, e mori me vete Atje e s’thuhet koti: ndodh që rrethanat bëjnë ngjarjen!

        (3) N. Spiru “vret” veten në ora 19.45, “ringjallet” e vjen në “jetë” për 2.50 orë e “rivdes” në ora 22.5’ në Spitali Ushtarak, ku “çohej” me urgjencë i pajetë t’i “shpëtohej” jeta! Përse? Diktatorit i duhej të fitojë kohë për situatën, në gjendjen e tij të çakorduar. Vizitën e parë shokut më të afërt të luftës ia bën kur ishte kufomë pas një dite, më 21 nëntor ora 6.30’[7] [ndoshta ora 18-30’] dhe kësisoj diktatori shfaqet vetvetja i pamaskë paçka se protokolli partiak e qeveritar e kërkon domosdo të ishte në çastet e para në spital, kur ishte në “jetë”, di mirë se ishte pajetë.                                .    (4) Nako S. “luante me revolverin, i cili pa pritur i plasi në duar” dhe “aksidentalisht vdiq” është “konstatim” i komunikatës qeveritare. “Nako Spiru nuk mundi të rezistojë e vrau veten e ra viktimë e intrigave të poshtëra të udhëheqjes jugosllave.”[8] theksohej në Biografia e tij, një vit më pas. Një paralele me burim të besueshëm arkivor nga historiani Kastriot Dervishi në libri Plumba politikës. Ambasadori i Shqipërisë në Moskë, Mihal Prifti, disa ditë pas vrasjes, më 30 nëntor 1947 i dërgon raport Tiranës (Nesti Kerenxhit e Enver Hoxhës): Për dijeni po ju shkruaj shkurtimisht bisedën që pata me shokun Petrov [diplomat i lartë sovjetik] rreth vrasjes së shokut Nako, në mbrëmje të 28 nëntorit 1947. […] “[Petrov] Unë nuk e kuptoj sesi mund të ketë ngjarë vrasja e tij. Ne kemi marrë tre telegrame nga Tirana, por akoma nuk e kemi të qartë vrasjen e tij. Telegramet vinë në kundërshtim njëri me tjetrin. Njëri thotë se është goditur në krah, tjetri thotë se është goditur në këmbë, e tjetri gjetiu. Nuk e kuptoj sesi ngjau që të mos jenë të rregullta telegramet. […] Pra nuk është e qartë tek ne vrasja e tij.AMB, F. Dega e Shifrës, V. 1947, D. 9, fleta 1-3.)[9] Tre telegramet e Tiranës zyrtare, nga dora e diktatori vetë, e bëjnë me dhimbje koke diplomatin e lartë, të Kremlinit, Petrov: Nuk e kuptoj sesi ngjau që të mos jenë të rregullta telegramet.: njëri telegram me goditje në krah, telegrami tjetër me goditje në këmbë e një tjetër gjetiu, kurse në komunikatën qeveritare të diktatorit: Plumbi e qëlloi nën sisën e mëngjër. Ish-punonjëse e Komisionit të Planit të Shtetit:Na lajmëruan për vdekjen e Nakos, nuk vonoi e erdhi versioni: humbi jetën duke lojtur me armën, por erdhi edhe një version tjetër: ishte i dehur kur ia kishte hequr vetes.[10] Një pështjellimi i madh, turbulencë e lartë mendore e diktatori.

(5) Nako S., në orët e para të mbrëmjes së 20 nëntorit, në zyrën e tij  “ndërsa bisedonte me disa shokë, funksionarë të Komisionit të Planit vret veten teksa “luan” me revolverin e tij, siç lexohet në komunikatë dhe ai 20 nëntor ishte dita e fundit kur mbaronte afati që i ishte dhënë Nakos e përderisa Nako S. ishte nën pushtetin e një krize të rëndë, atëhere s’mund të shihet asnjë arsye e fortë pse të mbledhë funksionarë të lartë e bisedojë me ta pikërisht atë mbrëmje kur di se pritej kryqëzimi i tij në mbledhjen e Byrosë, e cila ishte e ngushtë (Hoxha, Xoxe, Kristo, Spiru) e pa Belishova e Paçrami. Dëshmitarë në ngjarje, titullarët të atij Komisioni, Nesti Kerenxhi e Lefter Lakrori, dëshmonin se morë trupin e gjakosur të Nakos[11] për ta çuar në spital, ama lenë në errësirë faktin: nëse gjakosja ndodhi në dhomën e mbledhjes me funksionarë të Komisionit apo gjakosja kur ishte në vetminë e tij – me ndjesi të “fshehjes” së faktit të një mbledhje të rëndësishme e në Komunikatë jepet e koduar.

(6) Në ora 19.45’ Nako u vra (ndahet nga jeta) e i vrarë (i pajetë) “me urgjencë transportohet në Spitali Ushtarak” dhe i vrari vdiq ora 22.5’, edhe lexohet se i vrari e i vdekuri paskërke thënë “më lini të vdes” etj. Nga Spitali kufoma s’mund të dalë pa ekspertizë mjekoligjore, por Prof. Fejzi Hoxha la pas: “Në dosjen hetimore mungon ekspertiza”, cituar Prof. Bardhyl Çipi në shkrimin referues të tij. Pa një a më shumë arsye s’mund të jetë mungesa e raportit të ekspertizës mjekoligjore. Thjesht dhe qartë: të mos lënë asnjë gjurmë, ama vetë mungesa e ekspertizës mjekoligjore është një gjurmë e fortë.

(7) Nga ora 19.45’ kur vrau vetenapo ora 22.5’ kur vdiq në Spital, “vrasja” / “vdekja” e Nako S. mbahej në terr informativ. Buletini Radiopërhapja[12] nga ora 06.45’ kur nisin emisionet deri ora 11’ kur emisionet mbyllen s’ka asnjë shenjë lajmi për ngjarjen e hidhur, në terr radiofonik edhe dit/nata e 21 nëntorit, nga mëngjesi në afër mesnate. Edhe më e pabesueshme kur gazetën Bashkimi, e vetme e partisë, e gazeta të tjera ditore, i mbuloi heshtja e asnjë fjalë për “vrasjen”/“vdekjen” e 20 nëntorit dhe bëhej publike në Bashkimi i 22/23 nëntorit, kurse gazeta Rinia (javore) të shtatën ditë kishte vetëm një faqe gazete të bardhë e askush s’mund të ndërmendë motivin e kësaj bardhësisë, pa një sqaresë. Armiqësia e diktatorit ndaj Nako S., udhëheqës i partisë, anëtar i Byrosë e ministër, që në varrim kishte vetëm forca xhenere të hapin e mbulojnë varrin sterros nëse hiqet një paralele me ceremoninë madhështore (thuajse dy vjet më parë) të Alqi Kondit, anëtar i KQ të partisë, me tre ditë ceremoni përmortje e përkujtimi nën drejtimin e KQ të partisë e 1 (një) muaj ndërpreje të veprimtarive kulturore, artistike e sportive.   .     (*) E shuma në të paktën, të vërteta edhe midis rreshtave, po e mes fjalëve të rreshtit. Dr. Fejzi Hoxha, mjek i udhëheqjes së lartë, në kujtimet e tij: Personat e Sigurimit silleshn nëpër këmbë duke ndjekur çdo lëvizje të njerëzve e në veçanti të mjekëve, në rastin e Nako Spirut.[13] Margarita Tirana ish-punonjëse e Komisionit të Planit, dëshmuese në ngjarje: Të nesërmen e mortit na thanë: Mblidhni lule dhe bëmë kurora me palma për Nakon. Urdhëri ndryshoi: Lulet mos i përdorni, se Nako ishte i thjeshtë. Për homazh nuk na lejuan, se “Nako ishte njeri i punës”.[14] Bajram Duma, në raporti informativ nga NOVELA: Ne nënpunësit na mbyllë brenda në kohën e varrimit, nuk na lejuan të çojmë kurora me lule.[15] Një tiranase e vjetër: Kufomën e Nakos nuk e përcolli Komandanti dhe asnjë nga ministrat deri tek varri.”[16] Në ceremoninë e varrimit: familjarët, pak tiranas/e që mundë të kalojnë pengesa, regjistrues për çka shohin e dëgjojnë në ceremoni dhe të vetmit zyrtarë ishin forcat xhenere me kazma e lopata për hapjen e mbulimin e varrit.

Opinioni qytetar, dosje sekrete e Sigurimit të Shtetit

Shërbmin e fshehtë të Ministrisë së Brendshme, në drejtimin e ministrit Koci Xoxe, e ha meraku se cili ishte opinioni në Tiranë për vdekjen e Nako Spirut, i cili gjendet në një dosje vëllimore në fondi sekret i Sigurimit të Shtetit, e cila arkivohet në Arkivi i “Autoritetit për Informim të Dosjeve“, nga i cili shkëpusim opinione qytetare për Nako S. dhe këtu opinioni vjen pa ndërhyrje në origjinali arkivor [ndonjë sqaresë në kllapa katrore]. Komenti për opinionet mbetet privilegj i lexuesit ama dhe leximi s’është një punë aq e lehtë, siç mund të duket.

[…]                     

                  Vdekje Fashizmit                                        Liri Popullit

P  A RR U LL A

                  Të hedhura në lidhje me vrasjen aksidentale të shokut Nako Spiru.

Vath Ismaili (banues në rruga 4 Dëshmorët nr. 55) ka thënë: “U bënë tre veta që hëngërn kokën dhe ky i madhi [Enveri] e ha ndonjë ditë kokën.”

Zyra Mancaku (dy djem të arratisur) ka thënë: U vra Nako Spiru, ishalla kan me u vra të gjithë. (E ëma e a. p. [anëtarit të partisë] Tefik Mancakut)

Marika Lubonja, (banuese në rrugën 4 Dëshmorët, elemente reaksionare) ka thënë: Këta vetë vulosin vetë vrasin dhe këtu pyeten tre veta, Enveri e Koci nuk e deshin [Nakon] se ishte i mendshëm, ai ka qenë komunist i thjeshtë, kurse këta janë hileqarë e punojnë me hile, ata e muar në qafë djalin e ri dhe kështu do të vrasin gjithë rininë. Komunista kanë qenë Qemal Stafa, Alqi Kondi e Nako Spiru. Dhe këta vetë janë reaksionarë.

Firdese Qatia, më dt. 23/XI/947 kishte shkuar me ble mish në dyqan dhe disa gra të veshura me ferexhe që ndodheshin thojshin: “E vrau vetë Enver Lugati dhe shkon [vizitë] dhe e shef.”

Fadil Dizdari (Libër shitës në rrugën e Durrësit, element reaksionar) ka thënë: “Si Nako Spiru do të pësojnë të gjithë kryetarët e Qeverisë.”

Xhorxh Zanuta (i vëllai i Zanutos) ka thënë: “E qan nji gordhi, kan qenë në Kuvendi Popullor dhe bisedonin për Planin 5 vjeçar dhe e vran në vend, ja Enveri ja Koci dhe pastaj i bëjnë planet dhe për një muaj nuk janë këtu.”

Fili Zanuto (e shoqja e Xhoxhi Zanutos) thotë posht e lart: Ishallah o zot të ngordhin të gjithë, si Enveri dhe Koci.

Tefta Dema, ka thënë: Nako shkoi kurban i Hysniut dhe Enveri i Fiqiriut, iku kurban e të ketë këmbën e mbarë dhe të marrë Enverin nga prapa dhe ishallah edhe Koci Xoxen e të shpëtojmë. Se Nakon e ka vrarë Enveri në Kuvendi Popullor se kush e bën në zemër të vdes për një herë.

Cace (vjerra e Zanutos) ka thënë: E vrau Qeveria vetë se në fjalim e sipër ka kundërshtuar, se edhe Zogu kështu i vriste.”

[…]

Medie Preza (e bija e kriminelit të luftës të ekzekutuar Shaqir Preza, e cila punon në Drejtorinë e Sigurimit Shoqëror) ka thanë: Nako Spirun e ka vrarë vetë Pushteti.

Policija e Rajonit Nr. 3, e komentojnë punën e Nakos duke thënë se: Duhen tre veta të tjerë për të zëvendësuar punën e tij mbasi ka qënë njeri i vlefshëm i Pushtetit.”

Myzejen Shaban Mustafa (punon në dyqan si specialiste), i ka thënë shoqes së Nasif Çela më dt. 21/XI/47, ora 12, kur po shkonin në kufomën e Nakos: E hoqën qafe dhe e vranë, shoqja iu përgjegj: çfarë the e kjo iu gjegj: Nakon dhe tha se kush e vrau, se nuk ka se si të vrasë veten.

Muhamer Pilku, i kishin thënë disa gra se do e kenë vrarë shokët pa dashur.

Kapiten Jani Qirko, me shërbim në Komandën e Përgjithëshme më dt. 21/XI/947 ka thënë në mes dy personave dhe të shoqes që janë të paorganizuar: Vdekja e Nako Spirut është një humbje e madhe, nuk mund të zëvendësohet as me 12 vetë.

Kolë Mastakulli, shofer në Ministrinë e Botores më datën 21/XI/947 në orën 9.30 ka thënë në mes të tre personave të tjerë: Nakua u vra në orën tre pas mes nate ku ishin duke bërë mbledhje  më se 100 [ekzagjerim vb] veta. Kjo vrasje nuk mund të kuptohet se si është vrarë në mes gjithë atyre që kanë qenë brenda

Athanas Marto, punon në A.T.SH, më dt. 22/XI/947 ka thënë:As që e merr vesh njeriu se si është vrarë Nako Spiru në mes të 100 vetëve që ishin atje në mbledhje.”

Irfan Vojsiu, në berberanën Ideal në pazari i ri, bisedonte me një Kapter të Policisë, duke thënë se varrimi i Nakos nuk qe edhe aq i mirë ndërsa varrimi i Alqi Kondit qe më madhështor. Kapteri i Policisë i tha se varrimit i jep lezet banda që e shoqëron me muzikë, ndërsa dje banda qe prapa funeralit dhe sistemi sovjetik kështu e përdor, porse gjithë bota e ve bandën përpara.

Vait Çeka, pijeshitës në rrugën e Dajtit i ka thënë njeriut tonë: U vra Nako Spiru por prej kujt nuk dihet, sigurisht do të jetë ndonjë mosmarrëveshje midis tyre me rastin e Komisionit që arriti në Greqi.

Apostol Sotiri (Tolka) indiferent, pemë shitës në rrugën e Dibrës në një bisedim ka thënë: “Nako Spirun e kan vrarë Komunistat, Partija, pse nuk kishin besim tek ai.”

Aneta Zarije Baruti, elemente reaksionare, flet shpesh kundër Pushtetit, ka thënë kështu: Pse nuk mbajtën zi për Nakon si për Fajën që mbatën tre ditë e tre netë dhe kinematë e radiot nuk pushuan fare për Nakon, por për Baba Fajën ndaluan. Nuk e kan dashur Nakon pse ishte tregëtar dhe do ta kenë vrarë vetë këta. Kufomën e Nakos nuk e përcolli Komandanti dhe asnjeri nga ministrat deri tek varri, por ishin mbledhur në shtëpia e Haxhi Lleshit, Myslim Pezës, Spiro Mojsiut dhe rrinë e qeshin me gëzim.”

[…]

Neta Shehu (element reaksionare, motra e Vehip Shehut) ka thënë: Nako Spirun e ka vrarë vetë reaksioni brenda për brenda.

Lec Mazi ka thënë: “Në Shkodër ashtë hapur parrulla se Nako Spiru vrau veten se ka qënë i implikuar me ata që duall në gjyq.(M) Leci ishte zbulues i këtij Seksioni dhe i përjashtuar për dekonspirim.

Aziz Alliu (Karaxhiqi) ka thënë kështu: Një ditë në dyqanin t’im erdhi një komunist dhe më tha: atë natë kur u vra Nako unë me Nakon dhe shokët tonë kemi qënë s’bashku në Komisionin e Planit deri në orën 11.30’, mbas kësaj ore un ika dhe Nakon e lashë aty. Nuk besohet kurrë që Nako të jetë vrarë aksidentalisht deri sa ky ka qënë deri në orën 11.30’. E vërteta (ka thënë Azizi) duhet të jetë se ky i tradhtoi dhe këta e vranë dhe pikërisht atë natë ka qënë me Nakon edhe ai Komunisti, deri në orën 11.30’ ka qënë atje. Azizi vazhdon duke thënë: “Nako pësoi fatin e Mustafa Gjinishit se ai thuhet se ka qënë agjent i anglezëve dhe këta e vranë, kjo është kaq e vërtetë mbasi Mustafai po bën tre vjet që ka vdekur dhe këta nuk i kanë bërë ndonjë përkujtim si dëshmorëve të tjerë. Për Nakon është për të ardhur keq mbasi ishte një njeri i zoti dhe i kulturuar dhe orator i mirë, prandaj kjo është një humbje e madhe. (DJALI)

Baba Rustemi. Në lidhje me vrasjen e Nakos ka thënë kështu: “Nuk më besohet kurrë që Nako Spiru të mbante revolver për mbrojtje, ky ishte njeri shumë i thjeshtë e në qëndrimin që mbajti e shoqja e Nakos, vura re se që në fillim e deri në mbarim të ceremonisë nuk qau fare. Dhe jo vetëm që Nako vdiq, por ai ka dhe babën e vet në burg[17] dhe nuk dihet nëse e kanë lëshuar apo jo. “Kur është pyetur B. Rustemi pse i ati i Nakos ndodhet në burg, ay ka thënë se pse nuk ka paguar tatim-fitimet. (DJALI)                             

Sulejman Veshi. Ndërsa bisedonte  për gjendjen ekonomike tha kështu: Ishallah Nako Spiru ka këmbën e mbarë e për të tjerët. Populli nuk i han ato që thonë këta se Nakua u vra aksidentalisht, këta e vranë vetë se ay i tradhtoj. DJALI

Sedat Asllani, element reaksionar ballist ka thënë: vdekja aksidentale e Nakos nuk na mbush mendjen fare, se ai nuk ka qenë budalla të luante me armën e zjarrit, por sigurisht në ndonjë konferencë që është banun në Kryeministri do të jetë zënë me të medhenjtë dhe kështu ata e kanë vramun për ta heq qafe dhe tashti thonë se gjoja asht vramë aksidentalisht, por këto rrena të mëdha populli nuk i ha se nuk asht budalla, por asht shumë i mençur sa të kuptojë dallaveret e kësaj qeverije. AJRI                                                                                   .

Vasil Diamanti. “[] Nga disa familje reaksionare durrsake, si Familja e Pushketas, Pip Trujës, Havariqit e të tjerë thonë: Nako Spirun e kanë vrarë vetë, pse kjo gjë kuptohet edhe nga një fjalë që ka mbajtur Liri Belishova mbi varrin e tija, e cila jo haptas por ndër grupe veç e veç tue thanë: Nako rrin i qetë se unë do ta zbuloj vrasjen tënde dhe do ta marr hakun dhe më vonë Lirinë e kan marrë në “Mbrojtjen e Popullit” dhe e kanë mbajtur 48 orë dhe mbasandaj kur e kanë lirue Lirija ka tentue me vra veten. TRAJKO

Mariana Çipi, elemente reaksionare, ka thënë: Nako Spiru e kanë vrarë këta vetë, se nuk asht e mundur që duke luajtur me revole plumbi ta vrasë tamam në zemër. Atij i kan bërë ndonjë atentat nga ndonjë njeri i jashtëm, por këta kanë turp ta thonë.” NOVELA”

Muharrem Shala, këpucar në pazari i vjetër, ka thënë:  Ishalla Nako Spiru e ka këmbën e mbarë dhe tërheq edhe të tjerët mbrapa. NOVELA

Komisari i Garnizonit  të këtushëm ka thënë: Nakon e vranë njerëzit e organizatës, pse ai kishte tradhtuar Organizatën. Këtë ia ka thënë Zv. Komandantit  të Garnizonit.

Shefi kontabël, i N.SH.I të Cingareve, ka thënë: Nako Spirun e ka vrarë Kiço Ngjela.(Rr. Nr. 1).

Bajram Duma, element reaksionar ka thanë: “Nako Spiru  nuk asht vramun aksidentalisht ashtu siç thotë gazeta por asht vramë prej këtyre vetë, ndoshta e ka vrarë vetë Pandi Kristo që ti zinte vendin, pse në orën 7.15’ që u plagos Nakua nuk ishte orë për të luajtur me revolver, bile ai në këtë orë ishte edhe në ndonjë mbledhje të Komisionit dhe aty e kanë vrarë drejt për së drejti. Këtë gjë e tregon edhe ceremonia e varrimit që qe aq e vogël në krahasim me atë të Alqi Kondit, për të cilin u mbajr 40 ditë zi. Kësaj radhe jo vetëm neve nënpunësit na mbyllën brenda në kohën e varrimit, por nuk na lanë të çonim as edhe kurora. NOVELA

[]

[1] Fjalët me të zeza apo kursive janë të autorit, v.b

[2] Bashkimi 1947: 22 nëntor

[3] Roland Qafoku “100 vrasjet më të bujshme …”, 2017

[4] Djali, informator i fshehtë, shih dosja në vijim

[5] Bardhyl Çipi. Agjensia e lajmeve Sot Neës, 2016: 2 nëntor 2016

[6] Trajko, shih dossierin në vijim.

[7] Bashkimi 1947: 22 nëntor

[8] Biografi e Nako Spirut. Bashkimi 1948: 6 nëntor.

[9] Kastriot Dervishi. Plumba politikës. 2009: 218

[10] Margarita Tirana, intervistw nga Ferdinand Dervishi.

[11] Kastriot Dervishi. Plumba politikës. 2009: 218

[12] Radiopërhapja 1947: nr. 2

[13] Prof. Dr. Bardhyl Çipi, Sot News, 02. 11. 2016

[14] Margarita Tirana. Intervistë nga Ferdinand Dervish, botuar në Panorama

[15] Shih këtu Dosjen me opinione

[16] Antoneta Zarije Baruti, shih këtu dosjen

[17] Babai  ishte në varrimin e Nako S., ndoshta i nxjerrë për varrim.

 

*Artikulli ekskluziv per gazeten “standard”. Nuk lejohet ribotimi pa lejen e botuesit dhe autorit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here