Standard.al

Opozita deklaron: Ligj antimafia për oligarkët e Kryeministrit Rama…

0

Paralajmërimi i Partisë Demokratike për biznesmenët e koncesioneve: Kontratat PPP-ve do të jenë pjesë e paketës antikorrupsion. Çdo qindarkë e vjedhur nga buxheti i shtetit do t’u sekuestrohet. Do të hetohen se si i kanë bërë pasuritë gjithë grupi përreth kryeministrit Rama.

Ligjet e fundit të miratuara në Kuvend nga Partia Socialiste, ku 82 km rrugë do t’u kushtojnë shqiptarëve 1.3 miliardë euro kanë sjellë dje reagimin e fortë të Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë takimeve në Kurbin dhe Grida Duma në një deklaratë për mediat, paralajmëruan masa të ashpra kundër korrupsionit dhe koncesioneve të qeverisë “Rama”. Duke e cilësuar miratimin e koncesioneve për rrugët Milot-Balldren, Thumanë-Kashar dhe Kashar-Rrogozhinë, si vjedhje te hapur të një grupi biznesmenësh së bashku me Edi Ramën, PD deklaroi se në ditët e para të qeverisjes së saj, këto kontrata do të jenë pjesë e hetimit me ligjin antimafia. “Këto kontrata korruptive do të anulohen dhe do të jenë pjesë e paketës antikorrupsion që Partia Demokratike do të zbatoje ditët e para në qeverisje. Këto kontrata do të  jenë subjekt i Ligjit Antimafia, bashkë me një listë kontratash abuzive, të denoncuara nga Partia Demokratike.

Çdo dëm i shkaktuar ndaj buxhetit te shtetit do të rikuperohet”,- deklaroi dje ish-deputetja e PD-së, Grida Duma. 1.3 miliardë euro për 82 km rrugë në Shqipëri është një shifër skandaloze që flet për një afër që përfshinë biznesmenët dhe deri figurat kryesore të qeverisë.  Në denoncimin e saj, Grida Duma bëri një krahasim mes çmimit të rrugëve për kilometër që aplikohet në vendet e Bashkrimit Europian dhe çmimit për rrugë që ka vendosur qeveria në kontratat e fundit. “Konkretisht, projektet e të treja rrugëve kanë një kosto totale 1.3 mld euro për 82 km rrugë. Krahasimisht, 1 km rrugë me projektin PPP të Edi Ramës kushton 16 mln euro, ndërsa me projektin e  Bashkimit Europain, kosto për 1 km rrugë është 1.2 milion euro”,- deklaroi dje ish-deputetja e Partisë Demokratike. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për biznesin në Shqipëri dhe raporti i Komisionit Europian kanë theksuar disa herë rrezikun që i vjen ekonomisë shqiptare nga projekte të tilla. Në total llogaritet se vetëm në pak vite qeveria ka miratuar me qindra koncesione të ngjashme të cilat kanë shifra që nuk justifikohen me standardin e ndërtimit të rrugëve. Për të gjitha këto dje Partia Demokratike u shpreh qartë se do të kontrollohen, në bazë të ligjit antikorrupsion dhe ligjit antimafia, përfituesit do të kthejnë çdo qindarkë në buxhetin e shtetit. Ligji antimafia parashikon që në momentin që faktohet se pasuria, prona dhe para, janë vendosur në mënyrë abuzive shteti kryen menjëherë konfiskimin e tyre dhe arrestimin e pronarëve. Deklarata e bërë dje nga Grida Duma është ndër të paktat qëndrime kur Partia Demokratike shprehet qartë kundër biznesmenëve afër qeverisë që njihen si oligarkë. Kontratat që u miratuan së fundi në Kuvend për ndërtimin e rrugëve, por edhe të tjerat e dhëna nga qeveria “Rama” janë cilësuar nga ekspertë të ekonomisë vendase dhe të huaj si projekte korruptive.

Përfituesit e parave janë emra të njohur të biznesit dhe që njihen për afërsinë që kanë me qeverinë “Rama”. Është fakt se pjesa më e majme me koncesioneve janë dhënë gjatë muajve të fundit, në kulmin e krizës politike, ku mungon dhe kërkesa e llogarisë nga ana e opozitës në Kuvend. Po ashtu është fakt se një pjesë e përfituesve të koncesioneve menaxhohen nga kompani sot janë bërë njësh me qeverinë në mbajtjen e pushtetit. Ndaj Partia Demokratike po kupton, më në fund, se nuk ka përballë vetëm pushtetin shtetëror të Edi Ramës, por edhe atë pjesë me ndikim bizneso-mediatik që nuk po vjelë financiarisht qeverinë dhe por e mban qeverinë ende në pushtet për të vjedhur akoma me shumë. Kërcënimi që bëri PD-ja është një sinjal që duhet të ishte dhënë kohë më parë, përderisa edhe vetë drejtuesit e saj janë të bindur se kontratat janë korruptive. Ajo që dyshojnë sot shqiptarët është nëse PD-ja seriozisht do të ndëshkojë, kur të vijë në pushtet, oligarkët apo kërkon vetëm që sot ti tremb dhe nesër ti përdor njëlloj. Sepse në Shqipëri ka ndodhur jo pak herë, që të njëjtët oligarkë që mbajnë në këmbë qeveritë e korruptuara, janë të parët që kalojnë me opozitën, sapo ndjejnë erën e ndërrimit të pushteteve. /A.Marku/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.