Tani që dëgjova Besën në Parlament, besoj plotësisht se arsimi ka marrë fund…

0
82

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Edhe më parë kisha dilemën e madhe se arsimi, kishte marrë tatëpjetën në mënyrë të pandreqshme. E që të jem i drejtë e i sinqertë, Lindita përpiqej ta mbulonte disi, këtë katrahurë. Ndërsa Besa me naivitetin e saj, është shumë më e hapur në këtë drejtim. Ajo nuk fsheh asgjë. Tregon se ajo është trashëgimtarja më e denjë e vijimit të zbatimit të planit për shkatërrimin e arsimit parauniversitar, atij të lartë dhe profesional. Mjafton ta dëgjoje sot në parlament dhe kuptoje gjithçka.

Çfarë na bëri me dije sot Besa, në obligim të detyrës së saj si ministre e arsimit?

Na tha se ajo e rriti mesataren. Madje u mburr se këtë projekt e kishte që në 2017, për të vendosur mesataren 8, kur u emërua zëvendësministre. Pra në shtator 2017, Besa erdhi nga Kosova me një projekt të madh në valixhen e saj për arsimin shqiptar. Dhe ky projekt që do të ngrinte cilësinë në arsimin e lartë në Shqipëri dhe do të na sillte mësues më cilësor, ishte mesatarja 8 për programet e mësuesisë. Besa nguli këmbë “si mushka” sot në parlament, se kjo do të ishte rruga e duhur  që të kemi mësues të mirë dhe të kemi edhe arritje të larta në arsimin parauniveristar. Dhe për të na mbushur mendjen se kishte të drejtë na solli dy shembuj: Një ishte vendosja e mesatares në Mjekësi 8.5. Shumë mirë. Por Besa që ka më pak se dy vjet në Shqipëri, nuk ka si ta dijë që tani e 60 vite, mesatarja e studentit të fundit të pranuar në Mjekësi, nuk ka qenë më pak se 9.5. Besa nuk ka asnjë të afërm ti jap informata dhe as njohuritë e duhura për këtë standard të hershëm në Shqipëri, ndonëse ka qenë i pa shkruar në ndonjë ligj a VKM. Besa nuk na ka dhënë ende një shpjegim, se përse ka shkelur parimin e vendosjes së një akti nënligjor me prapa veprim. Si mund të vendosësh rregulla loje, në kohën ku ajo ka filluar dhe do edhe 5 minuta të mbyllet? Justifikimin e ka Besa. Studentët u mësuan me politikën e vjetër (siç thotë Besa) të mesatares 6, e tani në maj, ju tha jo 6, por 6.5?!E ku qëndron problemi këtu? Besa shkoi edhe më tutje, drejt vrapit pa fre, për të na mbushur mendjen se ka vizion të madh, për arsimin në Shqipëri dhe profesionin e mësuesit në veçanti. Shembull i dytë që solli gjatë fjalës së saj në parlament, si argument të rritjes së mesatares për mësuesinë, ishte ai i Finlandës?!. Kur dëgjova këtë e kuptova, se tanimë arsimi nuk më asnjë shpresë. Pra ne jemi në gjurmët e Finlandës. Pasi kemi bërë rrogën e mësuesve si Finlanda, trajnimin e tyre si Finlanda, financimin për arsimin si Finlanda, kushtet e punës si Finlanda, kishte mbetur pa u vënë edhe një standard finlandez, mesatarja? Çfarë tallje, ironie e sarkazme therëse për këdo. Çfarë fyerje edhe për shqiptarin me intelekt nën mesatare. Si mundet të dali e të flas një ministre arsimi, në këtë mënyrë? Ka shumë raste që padituria dhe marrëzia nuk kanë limitë fare. Këtë na dëshmoi edhe Besa sot. Foli për testimin PISA dhe na tha që në kohën e PD, në 2012, kishte 60% analfabet dhe kjo sipas Besës, për shkak të politikës së PD. Mirëpo Besa ka harruar, nuk dinë, ose e përdor këtë argument gjysmak në favor të saj, kur në fakt është e kundërta. Në testimin PISA, provohen nxënësit e moshës 15 vjeç. Pra nxënësit që dolën dobët në 2012 e kanë filluar shkollën në vitin 2003-2004 dhe jo në kohën e PD. Ndërkaq Besa na zbuloi diçka “të panjohur”. Testimi PISA 2015, që kishte përmirësuar rezultatet në të nxënës, ishte meritë e PS, që kishte vetëm 1 vit e gjysmë në pushtet. Si kështu Besë? Nxënësit e 2015, që kanë dalë mirë në testimin PISA, e kanë filluar arsimin 9 vjeçar në 2005-2006. Sipas Besës, këta nxënës nuk kanë mësuar fare prej hyrjes në klasë të parë dhe deri në 2013 kur ishin në kasë të 7-të. Sa erdhi PS-ja në shtator të 2013,  kanë mësuar fort dy vite dhe kanë arritur rezultate të larta!? Besa, përnjimend i beson edhe vetë këtij budallallëku me okë që e the jo në një mejhane të humbur të vendit tonë, por në mes të Parlamentit?  Besa harroi të na thoshte një arritje të madhe të PS, që ajo e njeh prej 1 viti e gjysmë dhe të institucionit që ajo drejton. Prej vitit 2016 e deri në 2019, janë larguar 34 mijë e më shumë studentë të shkëlqyer jashtë vendit, janë larguar me dhjetëra mjekë të rinj, inxhinierë, informaticen. Por Besa mesa duket edhe këtë nuk e di. Besa na kumtoi se mësuesit në kohën e PD, ishin të papërfillur, të figura e tyre ishte e deformuar. Edhe në këtë rast Besa kaq di e kaq bën. Besa p.sh ka harruar që paga e mësuesit prej 2005 e deri në 2013 u rrit më shumë se 100%. Ndërkohë që mësuesi në 2005-2009, merrte një rrogë shpërblim në fundvit, ndërsa në 2009-201310 mijë lek të reja nga. Prej dhjetorit 2013, nuk ka marrë asnjë shpërblim për fundvit dhe asnjë rritje page, veç 7% të pagës së grupit në 2019. Pra a mund të më thotë Besa, se si ndihet mësuesi shqiptar sot me pagën më të ulët në rajon, me presionin më të lart politik, nga Besa dhe vartësit e saj, me mungesën e mjeteve didaktike, me tekstet që zgjidhen në zyrën e Besës dhe shpërndahen pa u pyetur mësuesit?!

Megjithatë, unë mendoj se Besa bën mirë që flet açik, pa doreza.

Është me të vërtet gjë e  mirë që Besa flet në këtë mënyrë, sepse e marrim vesh më mirë, se ku jemi, pse jemi në këtë derexhe e ku do të shkojmë. Është fat dhe mirë për një shoqëri që budallallëku të shfaqet hapur, të marri autorësi dhe të mos ketë turp të fshihet pas të tjerëve apo të kërkojë mbrojtje. Kur vetë ministri i arsimit del e na jep argumente të atilla, që as shitësi i farave në rrugë nuk do të guxonte ti mendonte e jo ti gjysmë shqiptonte me zë të lartë, në mes të mexhlisit, në parlament, atëherë nuk kemi pse të kemi shpresë se arsimi do të bëhet më mirë. Studentët ekselent po ikin. Mjekët po ikin, inxhinierët, biznesmenët, profesionistët më të mirë të gjithë fushave po braktisnin. Por këtë largim Besa do ta quante normal, pasiqë, njerëzit ikin edhe nga begatia e madhe ose kur nuk e durojnë dot stresin e të qenit shumë të lumtur. Besa këtë besoj se ka dashur të thotë edhe sot. Besa nuk e di dhe nuk ka si ta dijë se cila është rruga në të cilën ka ecur arsimi shqiptar, tradita e tij, trashëgimia, veçantitë sipas krahinave, të përbashkëtat e dallimet etj.  Këtë ka harruar t’ia thotë dikush, ose kënaqen që Besa shpreh çdo ditë paditurinë e vet për arsimin shqiptar, mungesë respekti për traditën dhe trashëgiminë e tij. Kështu që Besa nuk ka si të ketë ndonjë ndjenjë të veçantë përgjegjësie për arsimin në Shqipëri, pale për atë kombëtar, sa kohë që nuk e njeh dhe me shumë gjasa nuk ka për ta njohur këtë realitet, në kaq pak kohë që i mbetet. Nesër ajo do të ikë, do të mbush një valixhe me do sende personale, e disa të tjera me fitimet e majme të posteve që ka mbajt, ndërsa ne bashkëkombësit e saj do të vuajmë për 10 e më shumë vite pasojat e politikave të mbrapshta të saj. Prandaj Besë dil e fol çdo herë si sot se vështirë se na të kuptojmë definitivisht për gjendjen katastrofë në arsim, që po na i njofton se e kemi në prag të derës e nuk po e kqyrna hiç.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here