Shqipëria ka marrë 649.4 mln € nga BE, nuk dihet ku kanë shkuar…

0
83

Flet Ardian Haçkaj, Drejtor i Kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim

Për të mos mbetur pa projekte, qeveria shqiptare duhet urgjentisht të identifikojë hallkat problematike të institucioneve shqiptare në përgatitjen, financimin, kontraktimin, prokurimin, implementimin dhe vënien në punë të projekteve. Pas kësaj, duhet të mbështesë këto institucione në trajtimin e problemeve të identifikuara. Sa më shpejt!

Nga Axhenda e Ndërlidhjes, Shqipëria ka përfituar në çdo sektor – energji dhe transport – më pak nga çdo vend. Ardian Hackaj, drejtor i Kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Cooperation & Development Institute-CDI) analizon për “Monitor” arsyet e nivelit të ulët të shumave të përfituara. Ai pohon se problemi kryesor qëndron në kapacitetet teknike dhe menaxheriale të institucioneve.

Ai shton se platformat e bashkëqeverisjes kanë qenë të pafuqishme për të adresuar problemet që lidhen me paaftësinë e institucioneve, ose me keqqeverisjen e tyre. Largimi i personave të aftë drejt sektorit privat, apo shkatërrimi i institucioneve shkencore vetëm sa i kanë përkeqësuar kapacitetet e vendit për të tërhequr projekte. Edhe vetë Bashkimi Europian nuk i ka kushtuar vëmendje ngritjes së kapaciteteve teknike të institucioneve vendore, por ia ka lënë konsulencën kompanive që vijnë nga shtetet anëtare.

Haçkaj tërheq vëmendjen edhe për mungesën e efektivitetit dhe transparencës së përdorimit të fondeve IPA (Instrumentit të Asistencës së Para-aderimit), nga të cilat Shqipëria ka marrë për periudhën 2014-2020 rreth 650 milionë euro, por nuk ka informacione se si janë shpenzuar dhe çfarë rezultati kanë pasur. Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim prodhon raportet vjetore të monitorimit të Procesit të Berlinit dhe organizon Forumin e Ndërlidhjes së Tiranës, i cili kryen vlerësimet e progresit në ndërlidhje, transport, energji dhe p2p.

Nëse mund të bëni një përmbledhje, sa projekte ka përfituar Shqipëria që kur ka nisur Procesi i Berlinit?
Që nga 2015, Shqipëria ka përfituar në total 214 milionë euro nga Axhenda e Lidhshmërisë me grante dhe kredi. Projektet e investimeve në Shqipëri janë:

• Linja 400 kv Fier – Elbasan (NM)
• Hekurudha: Tiranë – Durrës, përfshirë hekurudhën Tiranë-Rinas
• Porti i Durrësit, Rindërtimi i Kalatave 1 dhe 2

Këtyre ju shtohen projekte që kategorizohen si asistencë teknike, kryesisht në fushën e realizimit të studimeve të fizibilitetit apo strategjive në sektorë të ndryshëm.

Si do t’i vlerësoni kapacitetet e Shqipërisë për të tërhequr projekte rajonale?
Shifrat flasin vetë. Kjo është shuma më e vogël në total nga të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, nga Axhenda e Konektivitetit, Shqipëria ka përfituar në çdo sektor – energji dhe transport – më pak nga çdo vend. Këtu duhet të përmendim që ndërsa në Serbi vetëm në 2019 ka pasur mbi 2 miliardë euro investime kineze nga kompani të rangut botëror, në Shqipëri ka disa vite që nuk ka ardhur asnjë investitor që bën pjesë në zinxhirin e vlerës globale.

Një aspekt tjetër tërësisht jashtë vëmendjes së publikut është dhe efikasiteti i menaxhimit të fondeve IPA (Instrumentit të Asistencës së Para-aderimit). Për periudhën 2014-2020, Bashkimi Europian (BE) ka alokuar për Shqipërinë shumën prej 649,4 milionë eurosh – tre herë më shumë nga tre projektet e Axhendës së Lidhshmërisë. Si janë shpenzuar këto fonde? Çfarë ndikimi kanë pasur?

Kapacitetet për tërheqjen e projekteve rajonale përkthehen në kapacitetet e shtetit për të përgatitur dhe për të propozuar projekte të financueshme, sipas kritereve të BE-së dhe në linjë me udhëzimet e BE-së për zhvillimin e infrastrukturës në rajon.

Çfarë çalon tek institucionet shqiptare në këtë drejtim dhe çfarë mund të bëhet për të rritur kapacitetet e hartimit e monitorimit të projekteve?
Në Poznan, gjatë panelit mbi Lidhshmërinë në Ballkan, vetë Komisionerja Violeta Bulc dhe anëtarët e tjerë të panelit, përmendën institucionet si hallka e dobët. Sipas vlerësimit të CDI, edhe në Shqipëri, problemi qëndron në kapacitetet teknike dhe menaxheriale të institucioneve. Ndërsa platformat e bashkëqeverisjes kanë ndihmuar identifikimin e problemeve, kryesisht me korrupsionin dhe keqqeverisjen, ato kanë qenë të pafuqishme për të adresuar problemet që lidhen me paaftësinë e institucioneve, ose me keqqeverisjen e tyre. Po ashtu, shumë nisma të lajmëruara dhe angazhime të marra nëpër forume ose platforma rajonale, janë zvarritur, ose nuk kanë arritur të përjetësohen plotësisht në realitet.

Në një rast, mungesa e Sekretarit të Përgjithshëm në një ministri, ka vonuar nënshkrimin e dokumenteve bazike të nevojshme për progresin e projekteve, për më shumë se 8 muaj. Këto fenomene ndikojnë dhe te puna e atyre nëpunësve shtetërorë që janë profesionistë dhe kryejnë një punë të shkëlqyer teknike dhe administrative. Fatmirësisht, në çdo dikaster, ka ende nga këta profesionistë. Këta duhen të mbështeten dhe të inkurajohen, në mënyrë që të mos largohen nga puna në administratën publike, për të kaluar në sektorin privat.

Një tjetër aspekt që ka dëmtuar rëndë përgatitjen teknike të projekteve, është shkatërrimi i institucioneve të kërkimit shkencor gjatë reformës së 2007-s. Ky akt tepër i dëmshëm e ka dërrmuar kërkimin shkencor në Shqipëri. Po ashtu, BE nuk i ka kushtuar vëmendje ngritjes së kapaciteteve teknike të institucioneve vendore. Për ilustrim, sot që flasim, kompanitë konsulente të kontraktuara nga BE, për të përgatitur dosjet teknike të projekteve të Lidhshmërisë, janë të gjitha nga BE, pavarësisht faktit që konsulentët e terrenit të punësuar nga to janë specialistë nga Ballkani.

Cilat do të vlerësoni se janë projektet më të leverdishme, që do të tërhiqnin fondet e Bashkimit Europian dhe sa po punohet në drejtim të tyre?
BE lajmëroi në Poznan që do të rrisë me 13% fondin e investimeve për Ballkanin. Kështu që do të ketë buxhet në dispozicion. Problemi qëndron te shpërndarja e tyre nga BE për periudhën 2021-2027 nuk do të bëhet më në bazë vendi p.sh. ku çdo vend ka kuotën e tij, por në bazë të performancës dhe konkurrencës: do të fitojnë projektet më profesionale.

Për të mos mbetur pa projekte, qeveria shqiptare duhet urgjentisht të identifikojë hallkat problematike të institucioneve shqiptare në identifikimin, përgatitjen, financimin, kontraktimin, prokurimin, implementimin dhe vënien në punë të projekteve. Pas kësaj, duhet të mbështesë këto institucione në trajtimin e problemeve të identifikuara.
Sa më shpejt!

Pse mungojnë projektet e infrastrukturës rrugore, ndërkohë që Shqipëria është angazhuar në një sërë koncesionesh PPP, disa prej të cilave janë pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, të paracaktuar në axhendën e konektivitetit?
Së pari, është kufizimi i qeverisë nga tavani fiskal. Çdo grant që jepet nga BE duhet të plotësohet mesatarisht 4-5 herë me kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare. Kjo ndikon direkt në borxhin publik, duke e rritur atë. Ndërkohë që qeveria nuk i llogarit angazhimet e marra në kuadrin e projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PPP) në borxhin publik. Megjithatë, duke marrë parasysh presionin gjithmonë e në rritje të partnerëve europianë për eliminimin e PPP-ve, besoj që pesha e tyre në ndërtimin e infrastrukturës do të zbehet.

PPP-të kanë qenë gjithashtu të preferuara për arsye se përgatitja e projektit, përfshirë identifikimin dhe dizajnin teknik, janë bërë nga kompania propozuese direkt te qeveria shqiptare, pa kaluar në hallkat e verifikimit teknik dhe financiar që aplikohen nga institucionet ndërkombëtare në rastin e projekteve, të cilat ata financojnë. Ky cikël i mbyllur shqiptar e ka përshpejtuar zbatimin e projektit, por ka rezultuar me kosto krahasimisht shumë më të larta, qoftë financiare (çmimi për kilometër), qoftë në karakteristikat teknike të projektit (ku mund të përmendim p.sh., dhe shembjen e raportuar të një tuneli në Rrugën e Arbrit)./ Monitor 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here