Standard.al

Lufta kundër informalitetit, Rama ‘harron’ se aksionin e bëri edhe 4 vite më parë

0

Tashmë është e qartë, që prej 6 vitesh qeverisja e Rilindjes prodhon vetëm varfëri dhe propagandë të shfrenuar për popullin dhe miliarda euro, për një grusht njerëzish të oborrit të kryeministrit.

Kështu prej disa ditësh kryeministri, Edi Rama, ka bërë si kryelajm  të ashtuquajturin aksion kundër informalitetit. Nëpërmjet një fushate propagandistike, përditë poston fotot e ndonjë hoteli, apo dere restoranti, të rrethuar me shiritat e bllokimit nga Taksa-Tatimet. Kështu bëri edhe këtë mëngjes.

‘#STOPINFORMALITETIT. Moslëshimi i kuponit klientit, sjell pasojën ligjore të mbylljes së aktivitetit për një muaj! #ZeroTolerancë në luftën me informalitetin, që cenon konkurrencën, konsumatorin dhe shtetin’, shkruante sot në faqen e vetë në FB që në pikë të mëngjesit, duke e shoqëruar edhe fotografinë e një bar-restoranti kioskë.

Por e vërteta është se qeveria e Edi Ramës, që kur erdhi në pushtet një nga premtimet më të mëdha që bëri ishte lufta kundër informalitetit. Ajo që ndodhi, tashmë të gjithë e dimë; qindra milionë euro që mungojnë në buxhetin e shtetit si pasojë e korrupsionit galopant në dogana dhe Tatime. Vetëm 7 muajt e fundit, janë ndryshuar 3 drejtorë të përgjithshëm Tatimesh të cilët janë dorëzuar në ushtrimin e detyrës së tyre, sepse nuk kanë fuqi që të kontrollojnë miqtë e kryeministrit ‘biznesmenë të mëdhenj’.

Nuk dihet arsyeja e vërtetë, se përse Rama u kujtua sërish, që të luftojë informalitetin të cilin e ngriti vetë në sistem selektiv këto 6 vite. Ndoshta sepse kanë rënë fitimet e oligarkëve të tij që kontrollojnë rrjetet e supermarketeve dhe hotelerive. Sepse nuk shpjegohet ndryshe, që ky aksion i trumbetuar me të madhe nuk po godet ‘peshkaqenët’ e biznesit, por vetëm të vegjlit.

Gjithsesi për ta fashitur sadopak këtë mjegull propagande për këtë aksion të qeverisë, kujtojmë se në fakt Edi Rama ‘luftën kundër informalitetit’, e ka nisur plot 4 vite më parë!

Fiks më 20 gusht të 2015, kryeministri mblodhi në një takim drejtues të tatimeve dhe doganave për të vendosur shtyllat mbi të cilat do të ngrihet operacioni kundër informalitetit, i cili sipas tij do të niste fuqishëm në të gjithë vendin në muajin shtator.

‘Kjo nuk është një betejë kundër biznesit, por një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin dhe shtetin nga ata që ushtrojnë aktivitet tregtar në shkelje të ligjit duke vjedhur blerësit, duke penguar me konkurrencë të pandershme të tjerët në fushën e sipërmarrjes dhe duke grabitur paratë që shtetit i duhen për të ulur taksat, rritur rrogat, dhe investuar në shkolla, ujësjellësa, spitale e me radhë’, deklaronte me të madhe  Rama atëherë.

Njësoj siç flet sot, edhe atëherë Rama kërcënonte, ‘se këto janë ditët e fundit të apelit për t’u regjistruar apo pajisur me kasën fiskale’.

Madje arrinte deri atje sa bënte edhe thirrje për mosbindje civile, jo sikur ishte kryeministër i vendit, por kryetar i ndonjë OJF-je.

‘Një nga masat që do të marrim është një thirrje publike dhe detyrimi për çdo biznes të vendosë një tabelë ku konsumatorit t’i thuhet se ka të drejtë të mos paguajë, nëse nuk merr kuponin’, thoshte në gushtin e vitit 2015 Edi Rama.

Por përveç këtyre, njësoj siç bëri 3 ditë më parë me punonjësit e tatimeve dhe doganave, kryeministri edhe atëherë lëshoi të njëjtat kërcënime boshe dhe hipokrite ndaj tyre.

‘Ju uroj suksese të gjithëve për të mirën e vendit dhe të mirën tuaj sepse si në operacionin e energjisë, duke konsideruar që problemi nuk është vetëm jashtë nesh, por edhe brenda nesh; ashtu siç nuk kemi hezituar të ndëshkojmë drejtues dhe punonjës të sistemit të shpërndarjes të përfshirë në hajdutësi dhe korrupsion, nuk do të hezitojmë të ndëshkojmë askënd dhe brenda sistemit të tatimeve dhe doganave’, bënte sikur turfullonte kryeministri në atë gusht të largët.

Dhe ja ku jemi fiks pas 4 vitesh dhe Edi Rama flet sot tekstualisht njësoj për ‘luftën kundër informalitetit’. Sikur nuk ka qenë ai kryeministër i vendit gjatë kësaj periudhe, por në opozitë.

SYRI.net

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.