Standard.al

Rama synon t’ua marrë kalanë nga brënda bashkive të opozitës…

0

Nga Fatmir Guda

Duke qënë më se i vetëdijshëm për misionin e pamundur që e pret për t’i shtënë në dorë bashkitë e drejtuara nga opozita pas qëndrimit të saj politik për mosnjohjen e votimeve moniste të mbajtura nga qeveria më 30 Qërshor dhe të refuzuara nga 85% e shqiptarëve, Edi Rama nuk nguron të nxjerrë nga xhepi karamelen e rradhës teksa premton se nuk do të heqë nga puna punonjësit aktualë të tyre. Në këtë mënyrë synimi është, që taktikisht të shmanget përplasja e drejtpërdrejtë apo kundërvënia me gjithë atë potencial reagues të konsiderueshëm numerik gjatë momentit të marrjes nën administrim të këtyre bashkive përmes futjes në zyra të të “zgjedhurve të rilindjes” prej votimeve te 30 Qërshorit.

Por për një mendje normale dy pyetje vijnë natyrshëm pas një deklarate të tillë: 1. A ekziston në Shqipëri një ligj i posaçëm për kriteret e marrjes dhe largimit nga puna të administratës publike? 2. Po Rakip Suli në Kamëz, Pjerin Ndeu në Lezhë, Safet Gjicit në Kukës & co do t’i lënë me gisht në gojë mbështetësit e tyre në këto bashki?

Sigurisht, që për administratën garantuesi është ligji, jo individi kryeministër Edi Rama, që në fakt është po i njëjti Ramë, që s’la punonjës institucionesh deri tek specialistët e mirëfilltë pa shkulur nga zyrat pas 2013-ës, kur “rilindja” e tij erdhi në pushtet dhe është i njëjti Ramë, që s’la pa shantazhuar asnjë punonjës administrate deri tek rojet e institucionit që të mos shkelnin në punë pa patur gishtin me bojën më 30 Qërshor. E si mund t’i besohet kjo “dashamirësi” apo “zemërgjerësi” ndaj administratës pikërisht njeriut, që i konsideron punonjësit e shtetit si plaçkë lufte apo si skllevrit e vet për të mbushur sheshet e mitingjeve dhe kutitë e votimit e aspak si shërbyes me meritë ndaj publikut. E si mund t’i rrijë përshtat një mëndjehapje e tillë njeriut, që goja para mëndjes nuk i kurseu as punonjësit e policisë, të cilëve pavarsisht të qënit me ligj të depolitizuar më 2017 u bëri thirrje të hiqnin kapelet e të mblidhnin vota për partinë e tij.

Por edhe në u lezetostë tek-tuk dikush nga kjo karamele e rradhës së Edi Ramës, zorr se do gjendet kush tjetër që ta hajë për djathtë, sapunin që Rakip në Kamëz, Pjerini në Lezhë, Gjici në Kukës do lënë me gisht në gojë tarafet e tyre të angazhuar për të mbushur kutitë e 30 Qërshorit.

Pra, megjithse Edi Rama e di shumë mirë që paraja, kanosja dhe propaganda janë të vetmet instrumente që po e mbajnë më këmbë nuk heziton aspak që veç kërbaçit të tentojë aplikimin edhe të taktikës së kulaçit.

Analizuar në detaje ky imponimi i Edi Ramës si zoti në tokë i fatit të çdo shqiptari të punësuar, për ta mbajtur të palëvizur ose jo administratën në bashkitë e opozitës ka dhe një objektiv afat mesëm, sigurisht pasi t’ja ketë dalë të realizojë objektivin e vet afatafërm, fillimin nga puna normale e 61 bashkive, që do të thotë legjitimim i 30 Qërshorit.

Pasi ta ketë hedhur pas krahëve këtë hall të madh, nqs do të mundet, padyshim meraku i tij rradhës ngelet sfumimi i aksionit opozitar duke shpresuar të ndërpresë furnizimi i protestave kombëtare e lokale me burime njerëzore që ai ka bindje se vjen nga pjesmarrje të punonjësve të administratave të tyre vendore. Dhe pasi të ketë realizuar edhe objektivin afat mesëm atëherë i hapet rruga përfundimtare ndërhyrjes radikale në këto administrata duke konvertuar ato me dyndje të militantëve të “rilindjes”.

Sesa do t’ja qasin këtë karamele, kulaç a ç’emër të doni t’i vini, të punësuarit në bashkitë që administrohen nga opozita, kjo ngelet edhe për tu parë nga strategjia dhe mjetet që do të përdorë opozita, e cila pas deklarimit se nuk i njeh kryetarët e bashkive të dalë nga votimet moniste të 30 Qërshorit ka dhe një qendrim të shprehur së fundmi se gjen dakortësi me propozimin e presidentit të republikës për mbajtjen në muajin Tetor të tre palë zgjedhjeve, të parakohshme parlamentare, vendore dhe presidenciale.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.