Standard.al

Si t’i lexojmë votat për Erion Veliajn e Tiranës artificiale…

0
Nga Enton Palushi

Më shumë se dy javë pas përfundimit të votimeve të 30 qershorit, Shqipëria akoma nuk ka një rezultat zgjedhor, çka e bën akoma më qesharake situatën e nisur që pas mbylljes së kutive të votimit, kur u deshën më shumë se tre orë për të publikuar vetëm pjesëmarrjen (sërish me gabime). Megjithatë dikush po mendonte që të tregonte i pari se kishte triumfuar. Mediat pranë të majtës po përhapnin me shpejtësi lajmin se Erion Veliaj kishte sfiduar pritshmëritë, duke marrë më shumë vota edhe se kur ishte bashkë me LSI-në. Gëzimi fals nuk do zgjaste shumë pasi edhe brenda kutive të mbushura në një mënyrë që ndoshta nuk do merret vesh kurrë plotësisht, gjendej një ‘mal’ me vota të pavlefshme, një fenomen që do të ishte njolla e dytë e rëndë për këto votime pas mospjesëmarrjes së opozitës.

Të paktën 50 mijë vota të pavlefshme thuhet se janë regjistruar në këto zgjedhje, ku rekordin e mban Tirana, një shifër e jashtëzakonshme jo vetëm po ta krahasosh me zgjedhjet ku morën pjesë të gjithë palët, por edhe me faktin se nuk ishin gabime, por deklarata të qarta politike kundër qeverisë së Edi Ramës dhe administrimit të Erion Veliajt. Po të mendosh se të gjithë ruajmë të drejtën e dyshimit për mënyrën se si është menaxhuar ky proces, mund të thuhet pa frikë se shifra mund të jetë edhe më e lartë. Po t’i shtosh kësaj edhe faktin që të gjithë këta që kanë ‘votuar’ kundër Veliajt me shënimet e tyre, janë ata më sypatremburit, pasi ka shumë të tjerë që do të donin të bënin diçka të tillë, por druheshin se vota nuk është e fshehtë (kujtoni këtu pamjet e kamerave që regjistronte një votues më 30 qershor), atëherë e kupton se kjo përbuzje ndaj Ramës dhe Veliajt ka qenë në nivele astronomike për standardet shqiptare.

Nuk është e nevojshme të rrëmosh shumë për të kuptuar se ku është burimi i kësaj përbuzjeje. Arsyeja është e thjeshtë: presioni ndaj administratës për të dalë në votime, madje të shoqëruar nga së paku 4-5 persona të afërm, ka qenë kaq i madh sa ata janë detyruar që ta shprehin frustrimin me shënimet e tyre. Dhe kur themi administrata, duhet të kemi parasysh se ajo merr kuptimin më të plotë për Tiranën, një qytet i mbushur me punonjës civilë, ku janë të vendosura të gjitha ministritë, drejtoritë kryesore etj. Praktikisht Tirana është një hambar i madh për votat e qeverisë, e cila siç vëren gazeta DerStandard, e sheh administratën si një thes elektoral. Megjithatë pikëpyetja e madhe është ajo që shtron gazetari i Al Jazeeras, se përse PS nuk ia doli të mobilizojë as bazën e saj në një qytet si Tirana?

 

Para disa javësh, një delegacion i rëndësishëm i organizatave ndërkombëtare të lirisë së medias zbarkuan të alarmuar në Tiranë. Nëse kjo do kishte ndodhur gjatë qeverisjes së demokratëve, dihet se kush do ishte i pari që do dilte në protestë. Gjejeni kush nuk pranoi të takonte këtë delegacion, i cili ishte i shqetësuar për qasjen e Bashkisë së Tiranës ndaj mediave kritike? E gjetët, ai vetë, Erion Veliaj. Nuk është çudi që disa prej ‘vulave’ të rënda mbi këtë qeverisje, atë të ‘pishave me vlerë 5500 euro’ apo të ‘kilometrit 20 milionë euro’ ia ka lënë pikërisht ai. Prapë nuk është habi që emri i tij del edhe pas iniciativave erdoganiste, siç është ajo për shkarkimin e Arben Malajt nga bordi i Bankës së Shqipërisë. Sikur nuk tronditet kush nga fakti që një djalë i ardhur nga fryma demokratike e shoqërisë civile, të katandiset në këtë pikë. Por nuk mund të mos të futesh në mendime se si ia del një administrator qyteti të akumulojë kaq neveri në rrjetet sociale, që kanë mbetur i vetmi vend ku mund të shohim reagimin e vërtetë të njerëzve, pasi mediat tradicionale, sidomos televizionet, janë të mbushura me lajka ndaj tij.

Disa nga arsyet i thamë më sipër, të tjerë janë të bindur se kjo lidhet me faktin se ai ngjan kaq fals dhe artificial. Ka prej atyre që thonë jo pa të drejtë se nuk duhen gjykuar tiparet e sjelljes, por veprimet e tij. Ndërsa të dyja palët mund të kenë të drejtë, nuk mund të mohosh se ka një lidhje të fortë mes artificialitetit të Veliajt dhe të Tiranës së tij.

***

Që pas publikimit të librit ‘Pranvera e heshtur’ në vitet ’60, në Europën Perëndimore ka nisur të dominojë një frikë, e cila po bëhet gjithmonë e më e dukshme edhe në shoqërinë shqiptare. Një frikë që vetëm do vijë duke u shtuar. Ajo ka në bazë të saj besimin se gjërat që i bën njeriu- pra që janë artificiale- po na dëmtojnë jetën e shëndetin, kurse gjërat që i ka bërë natyra- pra që janë bio- janë të mira për jetën e shëndetin. Në këtë kuptim, Tirana e Erion Veliajt është gjithmonë e më shumë si ai, artificiale, gjithmonë e më e dëmshme për shëndetin, gjithmonë e më e ndotur, gjithmonë e më kimike, gjithmonë e më e dendur dhe më kaotike. Tirana po bëhet gjithmonë e më pak bio, gjithmonë e më pak natyrale. Thonë se frikërat janë irracionale, por tashmë është e provuar se ndotja ndikon kaq shumë te njeriu, duke nisur që nga niveli i inteligjencës, te humori, ankthi, depresioni e deri te sëmundjet e rënda kardiovaskulare dhe kanceret.

A nuk është qesharake përpjekja për të ndërtuar një shesh pedonal në qendër të qytetit, ndërkohë që rreth tij po ‘lulëzojnë’ kulla që janë qyteza më vete, të cilat sjellin më shumë makina, njerëz, trafik, ndotje e kaos? A nuk duket e pakuptimtë që të pretendosh se po decentralizon qytetin duke ngritur një bulevard të ri ku ka mbetur vetëm rruga, kur dihet se nuk e bën dot këtë gjë sepse të gjithë duan qendrën. Decentralizimi do sillte frymëmarrje dhe ulje çmimesh, por kjo nuk është në interesin e atyre që vendosin realisht për mënyrën se si zhvillohet qyteti. Filozofi roman Krznariç thotë se janë këta interesa të fuqishëm financiarë të momentit që po vendosin gjithmonë për politikën, duke bërë që të kemi shumë pak vendimmarrje vizionare dhe largpamëse. Sipas tij, kjo ndodh pasi askush nuk i pyet brezat që po vijnë se çfarë vendi duam t’u lëmë pas. Nuk është çudi që kur të porsalindurit të rriten dhe të ngjiten në Dajt pas disa vitesh, të thonë: Çfarë dreqin keni bërë me Tiranën?! Çfarë është kjo katrahurë?!

Mirëpo siç thotë komediani brilant Groucho Marx: “Pse duhet të shqetësohem për brezat e ardhshëm? Çfarë kanë bërë ata për mua?”.
Në fund të fundit, kur dikush shkon në spital për probleme që ose kanë nisur prej ndotjes, ose janë shtuar prej saj, nuk do i dëgjosh të ankohen për politikat e Edi Ramës apo Erion Veliajt. Të gjithë hahemi me Zotin kur afrohet fundi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.