Nga Ndriçim Mehmeti: Reforma universitare vdiq, ajo sanitare është në dështim

0
139

Reforma universitare vdiq, ajo sanitare është në dështim

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Në këto ditë të nxehta të verës dhe politikës, thuajse kemi harruar se çfarë u bë me të famshmin, “Pakti për Universitetit” që do ti thoshte tutje problemeve në arsimin e lartë dhe do të jepte zgjidhjet magjike për të gjitha problemet e studentëve.

Tani që viti akademik ka mbaruar, çfarë ka mbetur nga “Pakti për universitetin”?

“Fjalë imzot, fjalë” Nuk ka asnjë zgjidhje reale dhe asnjë prej premtimeve me afate nuk është mbajtur.  Le t’i marrim me radhë: Tarifat u zvogëluan, por jo nga qeveria, por nga vetë IAL dhe qeveria ende nuk ka rimbursuar universitetet për lekët që mungojnë në buxhetin e tyre.

Biblioteka elektronike, as që nuk përmendet më fare. Është harruar. Tekstet më të mira nga Evropi dhe dynjaja që premtoi Komandanti,  as nuk janë të aksesueshme për studentët, as për pedagogët e as për askënd. Nuk është bërë asgjë për ngritjen e një biblioteke, salle leximi, shtimin të ndonjë laboratori etj.

Bursat e studentëve ekselentë mbetën në letër. Jo se qeveria nuk donte. Jo, në asnjë mënyrë. Kishte një problem teknik që nuk u zgjidh dot në kohë. Studentët ekselentë ishin të painformuar për hapjen e një numri llogarie në bankë, e për më tepër nuk dinin si ta hapnin!?

Karta e studentit. Tirana e zgjidhi problemin. Ja dha të drejtën që ta dizenjonte, ta promovonte e ta shpërndante kryetari i bashkisë dhe njëkohësisht kryeministri në hije, Erjon Velkiaj. Erjoni në fakt prodhoi një kartë të pavlefshme, që nuk është pronë e universitetit dhe që nuk sjell gjë tjetër, vetëm dhënien e një lëmoshe studentëve, në aktivitete që nuk u hyjnë në punë. Sa lehtësi do të kenë studentët në përdorimin e internetit, sa më lirë do të përfitojnë tekstet shkollore, lehtësi të tjera që kanë lidhje drejtpërdrejtë me jetën e tyre. P.sh., ata do të reduktohet çmimi i fjetinës, a do të reduktohen tarifat e ushqimit, të telefonisë celulare etj. Jo. Por ama, studentët mund të hipin pa lek në kullën e sahatit, të bëjnë xhiro nga liqeni pa lek, të shkojnë në kopshtin zoologjik me gjysmë tarife e kështu me radhë. Ah se harrova, të udhëtojnë me autobus pa lek, në mes të pluhurit, djersës dhe tangerllikurt të fatorinos akademik

Përfaqësimi i studentëve. U arrit më së miri. U mblodhën aktorë, gazetarë, humoristë dhe na munguan këngëtarët e tallavasë si përfaqësues të studentëve. Në një vend u përzgjodh me votim të jashtëligjshëm, pedagogu që është haptazi në konflikt interesi, në një vend tjetër u votua për Aliun e u zgjodh Kadriu,m sepse kështu deshi Besa. Ja pra edhe çështjen e përaqësimit të studentëve e rregulluam, duke futur në dorë të qeverisë një anëtar bordi më tepër.

Bordet. U deklarua me të madhe se do të ndryshonin. Në thelb qeveria edhe në këtë rast kërkoi të bëjë thjesht një  ndryshim kozmetik. Mbajti monopolin e shumicës së anëtarëve të vendosur prej saj dhe vetëm sa ndërroi personat. Për hir së të vërtetës, duhet thënë, se të parët ishin shumë më dinjitozë se të dytët. Ish-kandidat për deputet të PS, mamatë e ish-këshilltarëve të Nikollës, u vendosën në borde si “personalitet akademike”:, duke zhvlerësuar rolin dhe përfaqësimin e bordeve e duke e çuar përfaqësimin në pikën më të ulët të mundshme.

Drejtorët e konvikteve. Komandanti deklaroi se do t’i pushonte nga puna që të gjithë, por kjo nuk ndodhi. Siç thitë populli “i rruajti bishtin”. Nuk e di përse Komandanti si njeri i “fjalës së mbajtur” ky premtim i shpëtoi kot. Thonë që drejtorët shkuan e i bënë rixha me një thes para, që ti lejonte të punonin (vishnin) edhe a. Kështu që Komandanti ndërroi mendim. Thonë se mes tyre kishte vëllezër, kunetër e kushërinj të ligjvënësve e në veçanti të “arkitektëve” të reformës në drejtësi. Ndoshta të gjitha janë fjalë, por e vërteta është se Komandanti u zbyth nga ky premtim.

Verifikimi i plagjiaturave. Komandanti as që e luajti gishtin. Në rrjetën e plagjiaturës, të parët që ranë janë të tijtë: Xhaçka, Gjylamaeti, Balla, e shumë të tjerë. Në vend të kësaj ai i dekoroi dhe i ngriti në detyrë, i bëri Kryetar Bashkie, Kryetar Komisionesh, koordinator partie. Pra edhe ky premtim mbeti në letër.

Korpusi i universiteteve. Një flluckë sapuni. Ka mbetur ende në pikën e ngritjes së grupit të punës, që do të bëjë namin. Lali na njoftoi se po bën vizibilitetin e korpusit, po vetëm kaq. Më tutje dimë një gjë të sigurt: Stacioni i mjeteve të transportit privat për juglindje është në brendësi të pronave të universitetit dhe se lekët e parkimit i vjel Lali.

Nga shuarja ende pa lindur e reformës universitare, në dështimin e reform,ës sanitare.

Në Aktin Normativ të buxhetit 2018 që pritet të miratohet së shpejti, janë parashikuar rreth 300 milionë lekë shtesë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën e konvikteve për vitin 2019. Nëpërmjet një financimi total prej 16.8 milionë euro si më sipër, dhënë nga Qeveria Gjermane, do të mundësohet rehabilitimi i një numri maksimal prej 13 godinash të rezidencave studentore universitare në Tiranë (nga 37 godina që përllogariten të jenë në total në qytetin e Tiranës). Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është duke negociuar me KFË për të vazhduar rehabilitimin e banesave studentore, për një projekt me vlerë 27 milionë euro nga të cilat 7 milionë euro grand dhe 20 milionë euro kredi.”

Komandanti dha disa video me pamje 3D të fjetinave, nxori veten në tryeza me studente dhe student të kuruar mirë, inspektoi batanijet dhe çarçafët e rinj, mbeti i befasuar nga shtimi i një plote për gatim. Më pas erdhi radha e Lalit, që i shkau gjuha dhe tha të vërtetën. Qeveria nuk kishte para, as nuk mori kredi, por do ti rregullonte fjetinat e studentëve me bujarinë e privatëve, që sipas gjuhës së qeverisë përmes PPP-ve. Këta të fundit do të heqin një shumë të madhe paresh nga xhepat e tyre të fryrë e do t’ja japin në shenjë mirësie qeverisë dhe bashkisë. Filloi puna me goditje të përqendruar. U hapën fronte ndërtimi gjithandej në Qytetin Studenti dhe më pas… heshtje dhe vetëm heshtje. Nuk u tha asgjë për fjetinat në rrethe, tek 21 dhjetori, mjekësia, etj. Madje as Lali nuk del më të flas për rregullimet në Qytetin Studenti. Nuk kemi asnjë të re nga hartimi i planit të vizibilitetit. Nuk kemi një datë të rregullimit të 37 godinave në Tiranë dhe asnjë të dhënë se sa para janë harxhuar nga buxheti, deri më tani për këtë qëllim. Programi i transparencës në faqen e Ministrisë së Arsimit, nuk na jep asnjë të dhënë dhe ai i bashkisë po ashtu. Pra qeveria, bashkua e Tiranës dhe Ministria e Arsimit, u nisën të bëjnë një “reformë universitare”, e kthyen atë në sanitare dhe kjo e fundit ju dështoi si gjithë punët pa mend që kanë bërë deri tani në fushën e arsimit dhe jo vetëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here