Standard.al

Aktivistja e njohur për mbrojtjen e Teatrit thirrje të fortë: Mjaft e përqeshët Shqipërinë z. Kadare!

0

Një nga aktivistet më të zëshme të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtarë, Elona Caslli, nëpërmjet një shënimi në faqen e saj në Facebook i ka bërë thirrje shkrimtarit të madh shqiptarë Ismail Kadare, që të mos vazhdojë “ta përqeshë” vendin e tij.

Caslli pasi shkruan se nuk është e lehtë që të dalësh kundër shkrimtarit që e ka përzemër dhe që ka ndikuar në formimin e saj, i kujton Kadaresë se çfarë ka shkruar ai dikur për Shqipërinë dhe si po vepron në ditët e sotme, kur vendi është futur në këtë situatë depresioni. Këtë shënim-kujtesë, Caslli e ka futur në konteksin e fotove me të cilat shoqëron shkrimin ku duket Kadare nën shoqërinë e Erin Veliaj dhe të Elisa Spiropalit, dalë kohët e fundit.

Shënimi i plotë i Elona Casllit në FB, për Ismail Kadarenë:

Mjaft e përqeshët Shqipërinë z. Kadare!

Nuk është e lehtë të kundërshtosh shkrimtarin që e ke fort përzemër.
Nuk është e lehtë të kundërshtosh dikë që ka ndikuar në mendimin dhe formimin tënd.
Nuk është e lehtë të kundërshtosh dikë që përfaqëson hartën kulturore shqiptare në Europë dhe më tutje.
Nuk është i lehtë kundërshtimi, por është akoma më e vështirë heshtja.

Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj një pjesë nga “ “Mosmarrëveshja”
Në sytë tanë do të shpaloseshin cinizmi dhe shpërfillja e kastës politike, mosmarrja seriozisht e shtetit dhe e kombit, çka do të çonte tek shkelja e çdo morali, te lidhja e zgjidhja e aleancave të paparimta, te tribalizimi, hedonizmi, pokerizimi në politikë e në jetë, gjersa përshkallëzimi i së keqes të arrinte një kulm të ri; përqeshjen me Shqipërinë.
Shkëputur nga – Mosmarrëveshja

Ju flisni për një kulm të ri. Ky kulm është përqeshja me Shqipërinë.  Unë atë përqeshje e ndiej në qëndrimin tuaj Z. Kadare. Po qëndroni në anën e mbrapshtë të historisë dhe po e përqeshni Shqipërinë!

Unë nuk e di nëse Shqipëria e meriton dashurinë tuaj ose jo. Ndoshta mund të mos ta meritojë. Por një gjë e di me siguri: Shqipëria nuk e meriton përqeshjen tuaj! Së paku, mund t’i dhuroni heshtjen tuaj!

Post Scriptum – Në mbyllje më rivjen ndërmend një pohim krejt i vërtetë nga ju, i cili përshkruan kthjellët ëndrrën e çdo shqiptari që e do vendin e tij. Në fund të fundit, padurimi për të qenë si Europa, nuk ishte gjë tjetër, veç një tjetër padurim; e duam Shqipërinë më të mirë se ç’është. Ismail Kadare.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.