Standard.al

Luan Rama këshillon Elisa Spiropalin: Ismail dhe Elena Kadare nuk janë “ky” dhe “kjo”

0

 

Ministrja e qeverisë së Edi Ramës Elisa Spiropali ka publikuar ne faqen e vet në instagram nje foto ku gjendet mes çiftit Kadare.
Me sa duket e ekzaltuar që gjendet me Ismail dhe Elena Kadarenë, foton e publikuar e ka shoqëruar me një shënim, teksa iu drejtohet bashkëshortēve të famshëm me “ky” dhe “kjo”.
Kjo gjë nuk i ka pëlqyer zëvendëskryetarit të LSI-së Luan Rama, i cili në fakt jo prej kostumit politik, po prej përvojës si publicist dhe njeri që e vlerëson shumë gjuhën kur shprehet edhe prej formimit si filolog, ka shfrytëzuar këtë “lajthitje” gjuhësore të ministres Spiropali, pēr t’i bërë asaj një këshillë mes komentuesve të faqes së saj në instagram.

Ja çfarë shkruan Luan Rama:

Një këshillë për ty Elisë.
Jo vetëm në kuptimin etik, por as në atë njerëzor, nuk mund t’u drejtohesh dy njerëzve të shquar, shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare dhe bashkëshortes së tij, shkrimtares Elena Kadare, me përemrat dëftorë “ky” dhe “kjo”!
Është mungesë respekti, është fyese. Është shenjë arrogance dhe mungesë e kulturës gjuhësore.
Sepse Ismail dhe Elena Kadare nuk janë “ky” dhe “kjo” për askënd.
Askush më parë dhe askund ku është folur dhe shkruar për Ismail Kadarenë dhe bashkëshorten e tij Elenë, nuk ka guxuar që t’u drejtohet me “ky” dhe “kjo”.
Edhe nëse je nisur nga dëshira për të dëshmuar kofidencë, siç ka më shumë gjasë të jetë, nuk janë përemrat dëftorë që e mundësojnë këtë. Gjuha shqipe ka plot fjalë të tjera që mund të përdoren në kësi rastesh.
Ju jeni vajzë e shkolluar dhe duhet ta keni mësuar që herët se sa e rëndësishme është etika e komunikimit me të tjerët, sidomos me më të mëdhenjtë.
Edhe fakti që jeni ministre nuk jua lejon këtë cënim të etikës, përkundrazi ju detyron më shumë.
Sepse në fakt dëshmon për më shumë se sa vetëm mungesë etike.
Shpresoj ta mirëkuptoni këtë këshillë miqësore.
Faleminderit!

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.