Ish-ambasadori deklaratë ‘bomb’: Rama është pjesë e projektit Thaçi – Vuçic për ndarjen e Kosovës…

0
103

Agim Nesho, Ish-ambasador i Shqipërisë në OKB

Ne jemi shtet sovran dhe e kemi gabim që presim dhe funksionojmë me mesazhet e ambasadave. Ato shërbejnë si institucione që mundësojnë bashkëpunimin midis dy shteteve dhe nuk janë qendra që kontrollojnë dhe përcaktojnë çdo politikë dhe veprimtari

Diplomati Agim Nesho, ish ambasador i Shqipërisë në OKB, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se kambanat e alarmit të Raportit 2019 të DASH se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan bien për qeverinë aktuale, dhe se shqiptarët duhet të marrin fatet e tyre në dorë dhe të mos gënjehen nga demagogët fals. Diplomati Nesho thotë se kryeministri Rama është pjesë e projektit sekret të Rusisë dhe Turqisë për ndarjen e kufijve të Kosovës dhe Serbisë dhe se këtë e bën për famë dhe për pushtetin e tij të gjatë.

Zoti Nesho, për kë janë kambanat e Raportit 2019 të DASH për Klimën ekonomike dhe investimet e huaja në Shqipëri?

– Kambanat kanë rënë me kohë për qeverinë Shqiptare e cila ka rënie në të gjithë treguesit bazë të vlerësimit të një shoqërie funksionale demokratike, si dhe në klimën e investimeve ekonomike. Vendi ynë ka treguesit më të ulët në organizatat më prestigjioze botërore si Freedom House, Transparency International, Reporterët pa kufij për lirinë e medias dhe së fundmi dhe në raportin për klimën e investimeve ekonomike.

Sot Shqipëria po vuan nga shumë fenomene negative si kapja e shtetit, korrupsioni, lidhja e krimit me politikën të cilat kanë prodhuar një pushtet gjithnjë e më tepër autoritar, gjithnjë e më tepër jo demokratik në mungesë të plotë të shtetit ligjor dhe transparencës para opinionit publik.

Duke qenë një shoqëri pa ndonjë eksperiencë në sistemin demokratik, me një mentalitet lindor të nënshtrimit ndaj liderit të radhës, ne e kemi të vështirë të dallojmë tingujt e fortë të kambanave dhe reagojmë atëherë kur topat bien dhe zjarri dhe shkatërrimi prekin çdo gjë. Mësimi kryesor nga kjo krizë është që populli duhet të marrë vetë në dorë fatet e tij, të mos gënjehet nga demagogët dhe profetët fals, të kuptojë dhe veprojë se liderët që zgjedh janë vetëm administratorë të interesave të tij dhe si të tillë mund të vijnë dhe të ikin në funksion të rezultateve të punës së tyre.

– Raporti i DASH e thekson që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan, ndërkohë që Ambasada e SHBA në Tiranë nuk e ka ngritur ndonjëherë këtë shqetësim publikisht në Tiranë. A ka qëndrime të kundërta midis DASH dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë Për Shqipërinë?

– Nuk ka qëndrime të kundërta midis DASH dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe kudo në botë. Ambasadat janë në funksion të Departamentit të Shtetit dhe realizimit të politikës së jashtme të Shtetit Amerikan. Raportet për çdo shtet janë në lidhje me shkallën e funksionimit të demokracisë, korrupsionit, lirisë së medias etj përgatiten së pari nga ambasadat në vendet përkatëse dhe pastaj përpunohen më gjerësisht duke shtuar edhe informacione dhe konkluzione të tjera të ardhura nga burime alternative të shtetit Amerikan.

Ne jemi shtet sovran dhe e kemi gabim që presim dhe funksionojmë me mesazhet e ambasadave. Ato shërbejnë si institucione që mundësojnë bashkëpunimin midis dy shteteve dhe nuk janë qendra që kontrollojnë dhe përcaktojnë çdo politikë dhe veprimtari se nuk kanë kapacitetet dhe mundësi ta bëjnë këtë gjë. Prandaj shteti i së drejtës kërkon një pushtet të balancuar, me kontroll të pushteteve dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve ose pjesëmarrje direkte të opinionit publik për të realizuar qeverisjen e vendit.

-Ju, si e shpjegoni mosreagimin e Ministrisë tonë të Jashtme për deklaratat e kryeministrit Zaev për planin sekret të Rusisë dhe Turqisë të ndarjes së kufijve midis Kosovës dhe Serbisë?

– Pavarësisht se si u mor opinioni, kryeministri Zaev tregoi një shqetësim të Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të ashtuquajturin plan gjithëpërfshirës të paqes midis Serbisë dhe Kosovës, plan i cili do të realizohet me shkëmbim territoresh duke krijuar zona me ndarje të pastra në linja etnike. Me të drejtë, kryeministri Zaev vuri në pah se ky skenar ishte i rëndësishëm për të krijuar një precedent të rrezikshëm në Ballkan që pasojat e tij do të ndiheshin në Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fatmirësisht, ky plan famëkeq i prodhuar në Serbi dhe i përkrahur në Rusi, mori goditje vdekjeprurëse nga fuqitë e mëdha evropiane si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, të cilat jo vetëm nuk e pranuan planin por nëpërmjet ‘Samitit të Berlinit’ u përpoqën të jepnin edhe një zgjidhje racionale në rikthimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ky plan famëkeq në dëm të interesave kombëtare dhe rihapjen e një çështje të mbyllur tashmë si çështja e Republikës së Kosovës u përkrah edhe nga presidenti Thaçi, një figurë e konsumuar tashmë që mendon se është ‘pronar i Kosovës’ dhe mund të përfaqësojë sovranitetin e vendit. Veprimet e tij duken të sforcuara, të kontrolluara dhe në shërbim të interesave personale. Parlamenti i Kosovës me zgjuarsi e korrigjoi këtë situatë, e cila nga zelli i iniciatorëve të saj, duket akoma nuk ka përfunduar si proces.

Realizimi i këtij skenari do të hapte “Kutinë e Pandorës” në Ballkan dhe do të krijonte një ndarje të re gjeopolitike ku influencat e Rusisë, Turqisë etj., do të shtriheshin. Turqia ka kohë që ka shprehur hapur interesat e saj në Ballkanin Perëndimor sidomos në Bosnjë, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk ka guxuar dhe nuk ka kapacitete të ndërhyjnë në një projekt perëndimor, ku vetë popujt e këtyre vendeve kanë vendosur të ardhmen e tyre. Këto influenca deri tani ajo është përpjekur t’i zgjerojë me blerjen e elitave politike të korruptuara, të cilat shprehin simpati për regjimet autokratike e liberale. Nga ana tjetër Turqia duhet të jetë futur si garanci dhe kundërpeshë për Serbinë, e cila si në shumë raste ka manipuluar elitat shqiptare për lavdi dhe pushtet. Plani B që kemi dëgjuar në deklaratat e presidentit Thaçi nuk është vetëm bashkimi me Shqipërinë por edhe garancia e Turqisë në variantin e ‘Qipros Veriore’.

Kancelarja Merkel do të mbetet në historinë e Evropës si kancelaria e hekurt që ndaloi një luftë të re në Ballkan. Pse ministria jonë ë jashtme nuk ka reaguar pas deklaratave të Zaev?

Për dy arsye:

Së pari, kryeministri Rama është pjesë e projektit dhe

Së dyti, se ai institucion sot është kthyer në një zyre shërbimesh të kryeministrit të vendit.

-Mendoni se kryeministri Rama ka patur dijeni për këtë plan të fshehtë të Putin dhe Erdogan dhe e ka mbështetur Presidentin Thaçi?

– Kryeministri Rama është pjesë e projektit dhe këtë gjë ai e ka pranuar publikisht. Ai nuk është nacionalist dhe nuk ka qenë asnjëherë i tillë nga formimi dhe jeta e tij prej artisti. Ajo që e ka bashkuar në këtë projekt është vetëm fama dhe pushteti i gjatë. Këtë pjesë të karakterit të tij kanë eksploruar ideatorët e skenarit duke mundësuar fillimisht miqësinë e tij me Vuçiç. Kanë qenë këshilltarët ‘multi-funksionalë’ që e kanë futur në këtë skemë. Konsumimi nga pushteti si dhe dështimi i projektit të Rilindjes e kanë shtyrë atë drejt një projekti pa rrugëdalje. Projekti Vuçiç-Thaçi-Rama mbahet akoma në këmbë nga shpresa se mos administrata Amerikane mund ta marrë në konsideratë pas 2020. Këto janë grahmat e fundit të lobistëve, të cilët shikojnë paratë, jo pasojat e një projekti. Sado të jenë dëshirat për një zgjidhje të re ballkanike, një ‘grand bargain’ që të kënaqë të gjitha fuqitë rajonale (Rusinë, Turqinë, etj), logjika të çon që politika e jashtme Amerikane nuk mund të humbasë diçka që tani e ka fituar dhe i përket historisë. Ky ishte edhe mesazhi i qartë i Presidentit Klinton në 20-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

– Faleminderit!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here