Standard.al

SHBA godet Ramën: Presion dhe korrupsion ndaj biznesit…

0

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri jep një panoramë alarmuese për situatën ekonomike në Shqipëri. Dokumenti i publikuar dje në Uashington thotë në mënyrë të qartë se investimet në Shqipëri frenohen nga korrupsioni, ligjet klienteliste, problemet me gjykatat, si dhe futja në përdorim e koncesioneve.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri vë theksin të korrupsioni në administratën shqiptare, duke sjellë në vëmendje se për shkak të këtyre praktikave shumë investitorë amerikanë janë larguar gjatë viteve të fundit nga Shqipëria. “Megjithë legjislacionin mikpritës, investitorët e SHBA janë sfiduar nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë amerikanë kanë lënë vendin në vitet e fundit pas mosmarrëveshjeve të diskutueshme tregtare, duke përfshirë disa që janë para arbitrazhit ndërkombëtar”,- thuhet në raport. Për shkak të korrupsionit në drejtësi dhe në sistemin shqiptar, raporti thekson se kontratat e bizneseve të huaja gjithmonë detyrohen të bëhen me ankesa për shqyrtim në gjykatat ndërkombëtare. Një tjetër element i rëndësishëm i korrupsionit, sipas raportit të DASH, lidhet me çështjen e pronave. Dokumenti thekson se megjithë ndryshimet e ligjeve, Qeveria Shqiptare nuk ka arritur të garantojë që proceset e shitjes dhe njohjes së pronësisë të jenë larg korrupsionit. “Mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të pronës mbeten sfida të rëndësishme për individët dhe investitorët në Shqipëri. Megjithë përmirësimet e fundit, procedurat janë të rënda dhe regjistruesit janë ankuar për korrupsion gjatë procesit”,- thuhet në raport. Një pjesë e rëndësishme e raportit ndalet dhe në Partneritetin Publik Privat, ose në fenomenin që njihet me emrin koncesione. Denoncimi i raportit në këtë pikë është një kambanë alarmi. Dokumenti i SHBA shprehet se kompanitë e mëdha të huaja detyrohen të lidhin kontrata me nënkontraktorë shqiptarë që janë të lidhur me politikën. “Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur politikisht dhe shprehin shqetësimin gjatë operimit në Shqipëri”,– thuhet në dokumentin e DASH. Duke u ndalur te PPP-të, DASH thekson se praktikat që përdor qeveria kanë lënë pak hapësira për bizneset e huaja. DASH bënë më dije se deri në vitin 2018 qeveria “Rama” ka nënshkruar 200 kontrata koncesionare duke shprehur kritika për përfitimin ekonomik të tyre. “Raportet e korrupsionit në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (3P) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata 3P deri në fund të vitit 2018”,– thuhet në dokumentin e DASH. Një akuzë e tillë është një denoncim i qartë për korrupsion qeveritar, pasi fakton lidhjen e biznesit vendas me politikën si gjobëvënës të kompanive të huaja. Qeveria “Rama” i ka cilësuar kontratat PPP si një formë e zhvillimit të ekonomisë që përdoret edhe në vende të tjera. Fakti që raporti i SHBA e cilëson si një pikë kritike dhe korruptive të qeverisë dëshmon për një dështim kolosal të strategjisë që ka ndjekur deri më sot qeveria “Rama”. Një tjetër kritikë e raportit është dhe ajo që lidhet me ndryshimin e ligjeve. DASH vë në dukje se rregulloret për biznesin dhe ligjet pësojnë transformime të shpeshta dhe binzeset nuk njoftohen në kohë për rregullat e reja që duhet të zbatojnë. “Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplote me komunitetin e biznesit; pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim për këto ndryshime”,- citohet në raport.

Raporti vlerëson në mënyrë negative elementët kryesorë që lidhen me klimën e biznesit. Edhe pse dokumenti shpreson që reforma në drejtësi ta bëjë Shqipërinë një ekonomi konkuruese, sërish kritika nuk janë vetëm të sistemi i drejtësisë, por edhe te modelet ekonomike që po aplikohen si dhe te qëndrimet e qeverisë “Rama”. Korrupsioni dhe paaftësia e qeverisë për të ndërtuar një klimë më të mirë për biznesin e huaj janë dy pikat kyçe të raportit, të cilat rrëzojnë gjithë suksese imagjinare të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ekonomia është baza e një vendi dhe kur nuk ecën ekonomia, gjithçka tjetër mbetet propogandë.

Ndaj, dje DASH i vuri notën katër qeverisë. Pritet vetëm që DASH t’i vendos notën dysh përsa i përket demokracisë në vend.

Mili Xhani

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.