Ish-ministri i Jashtëm godet Ramën: Pse Procesi i Berlinit u zhvendos nga Tirana dhe Beogradi…

0
105

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për emisionin ’31 minuta’ në RTSH, analizoi edhe Procesin e Berlinit. Sipas tij, politikisht ky ishte një proces që do kishte në qendër dy akse, Tiranën dhe Beogradin, por tashmë është zhvendosur drejt Shkupit dhe Sofjes.

Ai thotë se kjo gjë duhet analizuar, pasi simbolika politike është e rëndësishme.

“Ka dy dimensione përsa i përket Procesit të Berlinit. I pari është dimensioni politik. Është një proces, i cili lindi për t’i ofruar një mundësi vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën, për të ndërtuar një proces më të strukturuar bashkëpunimi me vetë BE-në në kushtet kur vetë presidenti i Komisionit Evropian, Juncker e kishte shpallur publikisht që gjatë mandatit 5-vjeçar të komisionit të tij nuk do të kishte një proces të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Jemi në një periudhë, në 2014 kujtoj, kur kancelarja Merkel dhe Gjermania patën aftësinë dhe vizionin strategjik për të kuptuar që kyçja sidomos e Beogradit dhe Tiranës apo Tiranës dhe Beogradit si dy pole të ndryshme stabiliteti në një proces afrimi, do të ndihmonte të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për të reduktuar diferencat dhe për të bashkuar forcat drejt projekteve të përbashkëta të karakterit ekonomik, infrastrukturor e kështu me radhë. Pra lindi si një proces që në mënyrë të pashkruar kishte si dy akse kryesore Tiranën dhe Beogradin. Mendoj që duhet të analizojmë që pse Samiti i radhës do të drejtohet nga Shkupi dhe Sofja, dhe pse kemi këtë lloj zhvendosje 4-5 vjet pas nisjes së këtij Samiti. Sepse mendoj që simbolika politike është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Më pas mund të vijmë te çështje të natyrës ekonomike apo projekte të përbashkëta.

Nuk mund dhe nuk do të ishte e drejtë që të analizohej thjeshtë Samiti i Poznanit si i veçuar përkarshi samiteve të tjera që janë zhvilluar më përpara. Ne dimë që kemi zyrën e Bashkëpunimit Rinor me qendër në Tiranë dhe është krejt normale që i njëjti diskutim ka qenë në Serbi që pse u vendos Tirana që të jetë vendi ku do ketë selinë kjo nismë e rëndësishme rajonale dhe jo Beogradi, Sarajeva, Shkupi, apo Prishtina. Edhe përsa i përket projekteve infrastrukturore, ka pasur projekte infrastrukturore të cilat janë financuar ose ka një angazhim nga ana e BE në trajtën e granteve apo kredive të buta. Janë projekte që kanë kohën e tyre ose do duhet të maturohen në mënyrë që qytetarët t’i ndjejnë në praktikë. Është e nevojshme për tu bërë një analizë edhe përsa i përket Samitit të Poznanit. Cilat janë projektet që janë paraqitur nga Shqipëria? Nëse ka pasur, pse nuk janë mbështetur e kështu me radhë. Por, mendoj që simbolika politike e këtij procesi është shumë e rëndësishme për tu analizuar sepse ekonomia në një farë mënyrë apo tjetër është konsekuence e kësaj simbolike politike,” tha Bushati.

I pyetur se cilat janë dështimet apo sukseset e qeverisë së Edi Ramës pas gjashtë vitesh në detyrë, Bushati tha: “Natyrisht që ka shumë suksese, por nuk përjashtohen dhe dështimet, por nuk besoj se është ky momenti për të bërë bilancin. Përgjithësisht, bilancet bëhen në vigjilje të fushatave zgjedhore”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here