“3 ‘bombat’ e tjera që do i plasin në dorë Ramës”

0
129

Gazetari Ilir Nikolla, ka paralajmëruar një tjetër ‘bombë’ që pritet t’i plasë në dorë Edi Ramës, pas përgjimeve për shit-blerjen e votave të publikuara nga gazeta gjermane Bild.

Në një shkrim të gjatë të tij, Nikolla shkruan se shumë shpejt Ramës kanë për t’i plasur në dorë edhe 3 ‘bomba’ të tjera.

Ja shkrimi i plotë i Nikollës:

Që pas përfundimit me dhimbje, turp e paciptësi të procesit të manipulimit të pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, Edi Rama po përpiqet të ruajë një profil të ulët publik. Nuk është fjala se ai është lodhur nga protagonizmi, as se po e lodh vapa, por po sillet si ata vrasësit që përpiqen të justifikohen “çka ndodhur ka ndodhur, s’zhbëhet më” dhe përpiqen ta fshehin kufomën, pa u kujdesur shumë për gjurmët e as për erën e kadavrës që do mbulojë së afërmi gjithë hapësirën publike.

Në mendjen e tij prej keqbërësi, Edi Rama mendon se me kalimin e kohës, hyneri do harrohet dhe do të mund të paraqitet sërish në opinionin publik si një politikan normal, njësoj si të tjerët, por tashmë edhe me 61 bashkitë në xhep, si një plaçkë e 30 qershorit, që tashmë i përkasin prej kanunit të kusarit.

Sjellja buron nga bindja se ai e ka aleate kohën, se legjitimiteti i pushtetit të tij do të forcohet nga vjeshta, kur qëndresa opozitare të ketë rënë e kur presidenti i republikës të jetë larguar nga zyra. Hesapet merret vesh se janë bërë pa hanxhinë, janë bërë nga një njeri që mendon ditë e natë të qendrojë në pushtet e që s’mendon asnjë minutë se si të qeverisë njerëzit. Po të ndalej veç një moment e të mendonte edhe për këto punë, do të kuptonte se rritja ekonomike i është përgjysmuar, se qysh tani mungojnë gati 100 milionë euro në bilancin e tatimeve dhe se nga vjeshta do vijë mandata e mos’hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Por një njeri që ka kaluar 6 muajt e parë të këtij viti duke e cilësuar aksionin opozitar si diçka “që s’i bën dëm asfare qeverisë, por Shqipërisë i prish shumë punë”, pra një njeri që e sheh qeverinë si entitet të veçantë që smban asnjë përgjegjësi për ç’i ndodh Shqipërisë, është e tepërt të mendojmë se do të shqetësohet për qeverisjen. Edi Rama do të vijojë të shqetësohet vetëm për zgjatjen e pushtetit të tij (disa thonë se po kërkon të negociojë edhe fatin e pasurisë së tij personale), prandaj edhe është rasti të hetojmë vetëm se ç’do sjellë koha në magjen e kryeministrit.

Siguria kryesore është se do të forcohet izolimi ndërkombëtar i një elite qeverisëse që është provuar se është në ortakëri me krimin e organizuar. Me demaskimin ndërkombëtar të farsës së 30 qershorit dhe forcimit të kritikave edhe nga miqtë personalë të kryeministrit në organizmat ndërkombëtare (në pritje të mandatës finale të ODIHR-it), tashmë Edi Rama do të ketë mbi shpinë, gjithmonë e më tepër edhe damkën e njeriut që s’bën dot zgjedhje. Bomba e tretë që do të sjellë koha për Edi Ramën është kriza ekonomike. Shenjat janë kudo dhe megjithë menefregizmin e një njeriu që s’interesohet për qeverimin, kriza ekonomike do pëlcasë dhe atëhere punët e pabëra të qeverisë do të shndërrohen në revoltë masive kundër kryeqeveritarit.

Izolimi ndërkombëtar, njolla si hajdut votash dhe kriza ekonomike janë plagë të mjaftueshme për të gërryer mbijetesën e një junte. Nëse dalin parashikimet që edhe brenda PS-së, një lëvizje e të pakënaqurve të dalë mbi ujë, atëhere mund të themi se profili i ulët që po ndjek aktualisht Edi Rama s’është strategji, është thjesht një gjendje kome e pakthim pas së cilës do të vijë edhe vdekja juridike e pushtetit të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here