Çmimi letrar “Kadare”, flet shkrimtari: Nuk jam përzier asnjëherë në asnjë procedurë të çmimit

0
143

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autor shqiptar. Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Në pesë vite më se 120 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar edhe vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra që kanë qenë fituese të këtij çmimi. Së fundi ka dalë që ky çmim të mos ketë përmbushur obligimet ndaj fituesve, përkatësisht ndaj Musa Ramadanit, për të cilën ka reaguar edhe vet Ismail Kadare. Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Ismail Kadare ka thënë se nëse nuk kryhen obligimet nga organizatorët, atëherë, mungon kryekëput serioziteti.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Së fundi është bërë publike që çmimi Kadare që ekziston tash e sa vite në Tiranë, nuk paska përmbushur obligimet ndaj shkrimtarit Musa Ramadani, i cili ishte fitues para dy viteve, e që sipas kritereve të çmimit do të duhej ti dorëzoheshin 10 mijë euro, si e pritët këtë lajm për këtë mospërmbushje, duke pas parasysh se ky çmim bartë emrin tuaj?

Ismail Kadare: Pavarësisht nga emri që mban ky çmim, mendoj se lajme të tilla nuk janë të gëzueshme për askënd.

KultPlus: Organizatorët e këtij çmimi, fillimisht kanë kërkuar aprovimin e juaj që ky çmim të bartë emrin tuaj?

Ismail Kadare: Kjo është e vërtetë përgjithësisht në raste të tilla. Me sa më kujtohet, kërkesa më është bërë, por pa u kushtëzuar nga asgjë. Mund t’ju them se nuk jam përzier asnjëherë në asnjë procedurë të tij, duke filluar nga zgjedhja e kandidaturës e gjer te çështjet financiare.

KultPlus: Po tashti, pasi po qarkullojnë këto lajme se ky çmim me emrin Kadare nuk po përmbushë obligimet, keni menduar që të kërkoni që të distancoheni nga ky emërtim?

Ismail Kadare: Të them të drejtën nuk arrij ta kuptoj këtë pyetje. Çfarë obligimi tjetër paska një çmim përveçse vlerësimit të veprës së autorit? Obligimi i jurisë dhe i entit që e jep çmimin, është që fituesi të shpërblehet me shumën e shpallur. Në qoftë se kjo nuk kryhet, mund të thuhet se mungon kryekëput serioziteti.

KultPlus: Tashmë mediet lajmëruan se obligimet nuk janë përmbushur ndaj Musa Ramadanit, keni ndonjë informatë se të njëjtën përvojë mund ta kenë pasur edhe fituesit e tjerë?

Ismail Kadare: Më vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk kam informata që kjo ka ndodhur edhe me të tjerët. Gjithsesi kjo është tepër delikate dhe nuk duhet abuzuar kurrsesi, duke i detyruar autorët të kërkojnë atë se iu përket.

KultPlus: Pas këtij lajmi pat edhe reagime nga shkrimtarët e Kosovës, duke përfshirë edhe Jusuf Buxhovin, i cili ka thënë se ky është një nënçmim që Shqipëria, me emrin e Kadaresë, ia bën autorëve të Kosovës. Si ju duket ky gjykim?

Ismail Kadare: Lidhur me këtë rast të pakëndshëm që ka ndodhur me Musa Ramadanin, ai duhej të na brengoste të gjithëve. Dua të theksoj këtu se kjo nuk ka asnjë lidhje me ndonjë nënçmim të letrarëve të Kosovës. Ne e dimë fare mirë, dhe ju e dini po aq mirë sa ne, se botimi i shkrimtarëve të Kosovës në Shqipëri është pritur me shumë vëmendje dhe vlerësim. Unë vetë dhe kolegët e mi në Shqipëri kanë pasur dhe kanë lidhje miqësore me shumë autorë të Kosovës. Respekti dhe mirëkuptimi midis nesh ka qenë i ndërsjellët.

KultPlus: Nuk është hera e parë që shkrimtarët e Kosovës e kanë këtë përshtypje, që shkrimtarët dhe letërsia e Kosovës nuk vlerësohet mjaftueshëm në Shqipëri, si e mendoni këtë?

Ismail Kadare: Kjo është diçka që iu përket gjithë autorëve. Dhënia e çmimeve midis shkrimtarëve i shërben miqësisë dhe klimës letrare. Për mua ka qenë një kënaqësi marrja e çmimeve që mbajnë emrat e autorëve të Kosovës. Dua të përsëris edhe një herë se nuk kam ndërhyrë në asnjë rast për të ndikuar te juria. Për të dhënë një shembull, po ju them se zotin Musa Ramadani pata rastin ta njoh dhe të pija një kafe me të për herë të parë, pas shpalljes së çmimit./marre nga KultPlus.com

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here