Kejdi Mehmetaj zbardh të vërtëtën e “urdhrit” ndërkombëtar: Ja pse opozita refuzoi skenarin e Ramës

0
227

Kriza politike mes mazhorancës dhe opozitës është thelluar akoma dhe më tepër pas votimeve monopartiake të 30 qershorit. Mazhoranca e vendosur tani do që të shkarkojë Presidentin dhe ky i fundit duket më shumë se i vendosur që me 13 tetor të ketë në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër në media është përfolur së opozita ka marrë urdhër nga ndërkombëtarët për të ndërprërë aksionin që pretendohej të mos lejonte  votimet e 30 qershorit. Në një intervistë për gazetën “Standard” nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehmetaj flet për këto çështje si dhe zhvillimet të tjera të jetës politike.

Intervistoi: Albina Elezi

Opozita ka vendosur të mbajë protestën e radhës kombëtare ditën e hënë . Cili do jetë synimi i saj? 

Padyshim aksioni opozitar ku përfshihet edhe protesta e ditës së hënë ka si qëllim rivendosjen e demokracisë në vend dhe kthimin e institucioneve shtetëroe në shinat kushtetuese. Sot vendi gjendet në një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe mbi tëgjitha institucionale. Institucionet nuk veprojnë më bazuar në ligje, por kontrollohen nga një individ i vetëm i cili, në cmendurinë e tij të përditshme, shkon deri në pikën që me paratë e qytetarëve shqiptarë bën zgjedhje të brendshme të partisë socialiste. Për ne është e rëndësishme rivendosja e menjëhershme e demokracisë pluraliste dhe rikthimi i institucioneve në funksionalitet të plotë në mënyrë që të krijohen kushtet për të zgjidhur edhe problemet ekonomike dhe sociale që vuajnë shqiptarët.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me votimet e mbajtura në 30 Qershor? 

30 qershori ishte një dita e votimeve të brendshme të Partisë  Socialiste. Komisioni qendror i zgjedhjeve ishte socialist , komisonerët , KZAZ-të ishin socialistë , personat që shkuan për të votuar ishin të Partisë socialiste. Gjithashtu, kur përfunduan votimet, votat i numëruan përsëri socialistët që fatkëqësisht, u treguan aq të paaftë sa nuk arritën të kordinojnë shifrat e manipuluara me njëri tjetrin. Pra aq shumë janë mësuar me krime zgjedhore dhe vjedhje votash, sa edhe kur janë të vetëm, prap manipulojnë. Përfundimi i vetëm i këtyre votimeve ishte që i treguan Partisë Socialiste që Edi Rama nuk duhet të jetë më kryetari i tyre pasi nuk mundën të nxirrnin as anëtarët e përfaqësuesit e tyre politik për të votua . Refuzimi i më shumë se 85% të shqiptarëve për të marrë pjesë në ato votime tregoi se opozita ka pasuar gjatë gjithë kohës të drejtë në të gjitha qëndrimet e saj por mbi të gjitha tregoi se qytetarët shqiptarë duan të distancohen njëherë e mirë nga politika që bëhet mbi bazë të korrupsionit , të krimit të organizuar dhe nga ajo klasë politike që dëshiron të rikthejë në vendin tonë diktaturën.

Mazhoranca ka ndërmarrë një nisme në Kuvend per shkarkimin e Presidentit. Cili është gjykimi  juaj? 

Së pari vlen për t’u theksuar që parlamenti aktual është parlament jo legjitim pasi Kushtetuta e shpreh qartë që parlamenti është i përbërë nga 140 deputetë. Aktualisht edhe pse me të gjithë blerjet manipulimet, presionet, kërcenimet apo dëshirat për pushtet nuk  arritën dot që ti zëvendësojnë të gjithë deputetet që u tërhoqën nga mandatet e tyre. Zëvendësime që ata bënë ishin krejtësisht të paligjëshme . çdo vendimarrje e Parlamentit që nga shkurti është nul.  Parlamenti do të duhej të ishte shpërndarë me kohë, për ti lënë vendin zgjedhjeve dhe përfaqësimit dinjitoz të qytetarëve në  parlament. Cdo përpjekje për të shkarkuar presidentin është nul. Sado që ata të përpiqen, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, ata nuk do të jenë në gjendje të marrin një vendim.  Nëse ka një arsye pse Edi Rama bashkë me enturazhin e tij po përpiqen të realizojnë shkarkimin e Presidentit është për ta kapur edhe Presidencën si institucion, pasi ky është i vetmi instutucion aktualisht në Shqipëri që shtron detyrat në legjitimitet. Është i vetmi instutucion që po zbaton ligjet aktualisht në Shqipëri dhe po bën tentativa reale për të kthyer normalitetin në vend. I gjithë ky sulm kundrejt Presidentit tregon dëshirën e Edi Ramës  për të pushtuar të vetmin institucion që ka ngelur i pavarur dhe legjitim në vendin tonë.

Presidenti ndërkohë ka vendosur datën 13 tetor për zgjedhjet e reja lokale, ndërsa mazhoranca njeh vetëm 30 Qershorin. A do marre pjesë opozita në zgjedhjet e reja të dekretuara nga Presidenti? 

Kjo nuk ka të bëjë më zgjedhjet tona , kjo ka të bëje me atë çfarë ligji na detyron  të njohim .
Kushtetuta e Shqipërisë e saktëson qartë se institucioni që vendos datën e zgjedhjeve është Presidenti i cili shprehet nëpërmjet dekretit. Presidenti është shprehur me 3 dekrete, ku dekreti i dyte anullon datën 30 qershor, ndersa i treti vendos datën 13 tetor si datë të zgjedhjeve lokale.  Pavarësisht retorikës më të cilën Rama përpiqet të ushqejë shqiptarët nëpërmjet propaganduesve të paguar, dekretet e presidentit nuk janë atakuar në Gjykatën Kushtetuese. Përveç pretendimeve publike, nuk ka asnjë hap, as nga Partia Socialiste, asnga ndonjë grupim tjetër, për ti kërkuar Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi dekretet e Presidentit. Ajo që njihet dhe duhet te njihet ligjërisht është data 13 tetor si datë e dekretuar nga presidenti për të mbajtur zgjedhjet lokale në Shqipëri.  Të gjitha institucioneve që ngarkohen nga ligji për të zbatuar dekretin e presidentit, unë u bëj ftesë publike të mos vazhdojnë rrugën e paligjshmërinë, për të cilën do te përballen përpara drejtësisë , por të fillojnë ti përgjigjen ligjit dhe të zbatojnë dekretin e presidentit . Ajo që vlen  për t’u ritheksuar është se presidenti na ka lënë të gjithëve një detyrë , një propozim në tavolinë për të pasur në datë 13  tetor dhe zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhjet presidenciale. Nëpërmjet propozimeve të tij ka hapur rrugën për të bërë ndryshime të thella në funksion të balancimit të pushteteve dhe ndërtimit të institucioneve të pavarura.

Në media, kryesisht ato pranë Qeverisë është përhapur lajmi sipas se cilit opozita nderpreu aksionin e saj te ndalimit te votimeve ne 30 Qershor saj te presionit ndërkombëtare. Si nenkryetare e LSI a mund të na pohoni nëse ka pasur vërtet një urdhër qe solli ndryshimin e strategjisë së opozitës?

Unë mund t’iu pohoj se nuk ka pasur asnjë urdhër apo ndikim nga ndërkombëtarët lidhur me këtë çështje. E vërteta është shumë e thjeshtë dhe është bërë publike. Të gjithë shqiptarët kanë qenë të qartë mbi qëndrimet e opozitës, përvec Edi Ramës që ka dashur të nxisë një skenar dhune ditën e diel sepse vetëm nëpermjet dhunës me datë 30 qershor ai do të mundte të zgjaste pushtetin e tij. Vetëm nëpërmjet dhunës ai do të mund të mbahej i lidhur në karrigen e kryeministrin që u ka marrë peng shqiptarëve. Nëse e shikoni retorikën e Ramës, (fatmirësisht jetojmë në kohën e teknologjisë dhe cdo gjë gjendet lehtësisht ) nëse ka një drejtues politk që ka përmendur dhunën dhe që ka parashikuar skenar dhune qoftë në datën 30 qershor, qoftë në datat e tjera, ky është vetëm Edi Rama. Nëse ka shkaktarë të dhunës, qoftë edhe në protestat e mëparshme të opozitës, ky është padyshim Edi Rama bashkë me ministrat e tij dhe më konkrerisht ministrin e brendshëm që nëpërmjet reagimit disproporcional, ndërmjet akteve të protestuesve dhe policisë të shtetit, ka nxitur protestuesit që të jenë më të ashpër . Është e vërtetë që opozita i ka qëndruar dhe vazhdoi ti qëndrojë të se njëjtës linjë logjike që me datë 30 qershor nuk do të kishte zgjedhje dhe e vërteta është që me datë 30 qershor nuk pati zgjedhje por pati votime farsë.. Skenareve të Edi Ramës nuk mund ti përgjigjemi ne. Unë dua të përfitoj nga intervista, për të ftuar edhe njëherë shqiptarët që ti bashkohen protestës së datës 8 korrik për ti rikthyer dinjitetin e merituar vetes dhe Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here