Vakancat në Gjykatën e Lartë, Meta kërkon informacion: Kush janë gjyqtarët për Gjykatën e Lartë

0
93

Letra e Presidentit Meta drejtuar Keshillit të lartë Gjyqësor për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë

3 Korrik 2019 Letra e Presidentit Meta drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë

Letra e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi veprimtarinë e deritanishme të KLGJ-së për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe rekomandimet e misionit të ekspertizës së BE-së “Euralius V”, mbi këtë çështje.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI

Nr. 1778/2 Prot.                                                                           

Tiranë, më 03.07.2019

Lënda: Kërkohet informacion shterues, si dhe marrja e masave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për propozimin e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.

Drejtuar: Zonjës Naureda LLAGAMI
KRYETARE E KËSHILLIT TË LARTË GJYQËSOR

TIRANË

Për dijeni: Z. LUIGI SORECA
AMBASADOR I DELEGACIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

                   AMBASADAVE TË VENDEVE TË BASHKIMIT EVROPIAN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

                   SH.T.ZNJ. LEYLA MOSES-ONES
E NGARKUAR ME PUNË E AMBASADËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

TIRANË

E nderuar zonja Llagami,

Institucioni i Presidentit të Republikës me shkresë nr. 1778 prot, datë 06.06.2019 ka përcjellë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) shqetësimin e Presidentit të Republikës mbi situatën në sistemin e drejtësisë për shkak të mosfunksionimit të institucioneve më të larta të dhënies së drejtësisë, në të cilat përfshihet edhe Gjykata e Lartë.

Siç është cituar në shkresën nr.1778 prot, datë 06.06.2019, Gjykata e Lartë prej një periudhe të gjatë kohe ka funksionuar me një trupë gjyqësore të cunguar, deri me vetëm 3 gjyqtarë nga 19 që ka qenë numri i përgjithshëm i tyre. Ndërkohë që, aktualisht Gjykata e Lartë ka ngelur vetëm me dy anëtarë duke e patur të pamundur ligjërisht të formojë një trupë gjykuese, si dhe duke dalë praktikisht jashtë funksionit të saj.

Neni 136 i Kushtetutës parashikon se, Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Ndërsa neni 179, pika 12, paragrafi i 2-të i Kushtetutës, parashikon se me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës.

Pra, referuar këtyre dispozitave kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) është organi i cili duhet t’i propozojë Presidentit të Republikës kandidatët që zgjidhen nga rradhët e juristëve për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, si dhe gjyqtarët që promovohen për në këtë Gjykatë.

Bazuar në këto parashikime kushtetuese, referuar faktit që deri në këto momente pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk është administruar asnjë propozim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si dhe në kushtet kur ekziston një paqartësi se deri kur do të zgjasë kjo gjendje në Gjykatën e Lartë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në zbatim të nenit 92/h të Kushtetutës, me shkresën nr.1778 prot, datë 06.06.2019, i ka kërkuar institucionit tuaj informacion mbi dy aspekte thelbësore dhe më konkretisht:

1. Informacion mbi ecurinë dhe veprimtarinë e deritanishme të KLGJ-së për procesin e shpalljes dhe administrimit të aplikimeve për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, si dhe në çfarë faze është procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga Këshilli në lidhje me këtë çështje me kaq rëndësi për vendin.

2. Referuar gjithashtu të dhënave të bëra publike, Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion nëse pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor është administruar opinion i misionit të ekspertizës së BE-së “Euralius V”, ku i sugjerohet Këshillit (KLGJ) përdorimi i një skeme provizore/zgjidhje sui generis për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, duke caktuar anëtarë “të përkohshëm” në këtë gjykatë nëpërmjet skemës së delegimit nga gjykatat e niveleve më të ulta, për të formuar trupën gjyqësore të përkohshme në Gjykatën e Lartë, derisa të riformohet numri i tri kolegjeve.

Në përgjigje të kërkesës për informacion, Këshilli i Lartë Gjyqësor, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm me shkresë nr. 3061/1 prot, datë 18.06.2019, ka konfirmuar vetëm faktin se:

“Pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në rrugë elektronike nga Misioni ‘EURALIUS V’, ka ardhur një opinion, i cili është një dokument pune, në proces përpunimi dhe vlerësimi si nga Këshilli, ashtu dhe nga EURALIUS-i. Ky dokument nuk i është nënshtruar ende vlerësimit nga Këshilli dhe në momentin që do të ketë një qëndrim të tillë, institucioni juaj do të bëhet me dije”. Bashkëlidhur është dërguar dhe opinioni i Misionit “EURALIUS V”.

Përgjigja e institucionit tuaj ndaj kërkesës së Presidentit të Republikës nuk përmbush kriteret formale dhe përmbajtësore.

Së pari, referuar përmbajtjes së përgjigjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhënë me shkresë nr. 3061/1 prot, datë 18.06.2019, evidentohet se ka një mungesë impenjimi të KLGJ-së për t’i kthyer një përgjigje shteruese kërkesës së Presidentit të Republikës për një ?ështje kaq të rëndësishme.

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës për informacionin e kërkuar mbi ecurinë dhe veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjithë procesin e shpalljes dhe administrimit të aplikimeve sipas Kushtetutës dhe ligjit për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, si dhe në çfarë faze është procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga Këshilli.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është konstituuar më datë 20 dhjetor 2018, kur zhvilloi mbledhjen e tij të parë, duke zgjedhur Kryetarin e këtij organi dhe ka deklaruar me vendim si datë të krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor datën 12.12.2018. Në nenin 174 pika 1, shkronja “a”, “Aktet nënligjore”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, parashikohet shprehimisht se:

“Ngarkohen Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojnë rregullat e detajuara, sipas parashikimeve dhe afateve të këtij ligji. a) Brenda tre muajve nga krijimi i Këshillave, aktet që lidhen me aktivitete jashtë funksionit, krijimin e dosjeve personale, caktimin e përkohshëm në detyrë të të emëruarve të rinj në pozicione të komanduara, magjistratët në skemën e delegimit, ngritjen në detyrë në nivele më të larta ose të specializuara, emërimin e anëtarëve jogjyqtarë të Gjykatës së Lartë, emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe caktimet në pozicionet e përkohshme”.

Pra sipas kësaj dispozite, rezulton se KLGJ-ja ka tejkaluar afatin fillestar 3-mujor të përcaktuar nga neni 174/1, shkronja “a” e ligjit nr. 96/2016, edhe me më shumë se 3-muaj të tjerë, periudhë brenda të cilës këshilli duhej të kishte miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të nisur procedurat e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë sipas kushtetutës dhe ligjit.

Ky afat 3-mujor i përcaktuar nga ligji ka përfunduar në datën 12 mars 2019, ndërkohë që, nga ky moment kanë kaluar edhe 3 muaj e 20 ditë të tjera dhe ende Këshilli i Lartë Gjyqësor rezulton që se nuk ka përmbushur detyrimet e tij ligjore.

Në këtë situatë, Presidenti i Republikës kërkon, sa më parë, informacion nga KLGJ-ja, se ?farë është bërë konkretisht deri më tani mbi këtë çështje, për të identifikuar qartësisht se cila ka qenë arsyeja e tejkalimit të afatit ligjor për hartimin e akteve nënligjore, zbatimi i të cilave do të bënte të mundur më pas nisjen e procedurave ligjore për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.

A është shkaktuar kjo shkelje e afateve ligjore për shkaqe të pavarura nga vullneti i KLGJ-së dhe cila ka qenë problematika dhe faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë ?

Nëse KLGJ-ja është ndeshur me shkaqe të pavarura prej saj, që mund të vijnë nga identifikimi i problematikës në cilësinë e ligjit, Presidenti i Republikës, kërkon të informohet gjithashtu me faktin nëse Këshilli ka kërkuar ose jo pranë Kuvendit të Shqipërisë apo Ministrisë së Drejtësisë ndryshime në legjislacion për përmirësimin e tij?

Kjo çështje nuk është një zgjedhje për KLGJ-në, por një detyrë e përcaktuar drejtpërdrejtë nga ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, ku në nenin 93, pikat 1 dhe 3 të këtij ligji parashikohet tekstualisht se:

“1. Këshilli i Lartë Gjyqësor është përgjegjës për të shprehur mendime dhe për të bërë propozime lidhur me ndryshimet në legjislacionin, që mund të ndikojë në punën e gjyqësorit dhe çdo çështje tjetër që është nën përgjegjësinë e Këshillit.

3. Këshilli i propozon Ministrit të Drejtësisë ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore në lidhje me çdo çështje që është nën përgjegjësinë e tij.”.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës kërkon të informohet në mënyrë shteruese nga KLGJ-ja për një vlerësim të këtij organi mbi shkakun e vonesave.

Kërkesa për informacion mbështetet jo vetëm në nenin 92/h të Kushtetutës, por dhe referuar kompetencave që ka Presidenti i Republikës sipas nenit 136 të saj, në të cilin parashikohet e drejta e Presidentit të Republikës në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që eventualisht po cenohen nga mosveprimi apo nga vonesat e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Këto vonesa në kryerjen e procedurave përkatëse cenojnë drejtpërdrejtë funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe në këtë mënyrë edhe stabilitetin e sistemit gjyqësor në tërësi.

Mungesa e funksionalitetit të Gjykatës të Lartë, veç të tjerave, përbën shkelje të drejtëpërdrejtë të nenit 42/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parashikimev të nenit 6/1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Referuar bashkëpunimit të detyrueshëm kushtetues midis dy institucioneve tona, Presidenti i Republikës duhet të jetë i informuar plotësisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për ecurinë e këtij procesi për të qartësuar faktin se kur do të mundet ai të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që kjo gjykatë të bëhet sa më shpejt funksionale me trupa gjyqësore të përzgjedhur dhe emëruar sipas standardeve kushtetuese.

Në këtë rol, interesi kushtetues i Presidentit të Republikës është i lidhur jo vetëm me ushtrimin korrekt dhe në kohën e duhur të kompetencës kushtetuese, por dhe me zbatimin korrekt të reformës në sistemin e drejtësisë në drejtim të cilësisë së dhënies së drejtësisë për qytetarët që kanë të drejtë të shqyrtojnë pretendimet e tyre nëpërmjet një procesi të rregullt, brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e krijuar me ligj.

Sa më sipër, Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 92/h dhe në zbatim të nenit 136 të Kushtetutës, kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor një informacion shterues dhe të plotë për çështjet e parashtruara më sipër dhe angazhimin maksimal të këtij organi për të përmbushur qëllimin kushtetues.

Së dyti, referuar përmbajtjes së dokumentit “Opinion Ligjor”, “Mbi situatën emergjente në Gjykatën e Lartë” të datës 29 maj 2019, të hartuar nga ekspertët e Misionit “EURALIUS V”, Presidenti i Republikës vlerëson të domosdoshme të paraqesë vlerësimin e Tij si më poshtë.

Dokumenti “Opinion Ligjor”, “Mbi situatën emergjente në Gjykatën e Lartë” i datës 29 maj 2019, i hartuar nga ekspertët e misionit “EURALIUS V” Grzegorz Borkoëski dhe Klodian Rado, rezulton se është dhënë në kuadër të kërkesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor drejtuar misionit “Euralius”, për t’iu përgjigjur pyetjes nëse ka bazë ligjore për t’i dhënë zgjidhje më të shpejta situatës emergjente (ndërkohë që hartimi i akteve nënligjore për procedurën e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve dhe për emërimin e jo-gjyqtarëve është ende në proces).

Nga informacioni që jepet në dokumentin e prodhuar nga misioni Euralius dhe referuar përmbajtjes së përgjigjes së KLGJ-së dhënë me shkresë nr. 3061/1 prot, datë 18.06.2019 rezulton se, Këshilli i Lartë Gjyqësor deri më datë 29 maj 2019, ende nuk ka hartuar dhe miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve dhe për emërimin e anëtarëve jomagjistratë, në Gjykatën e Lartë.

Presidenti i Republikës, referuar përmbajtjes së këtij opinioni ligjor dhe tejkalimit të afatit nga KLGJ-ja për hartimin e akteve nënligjore të nevojshme, konstaton të paarsyetuar faktin se përse nuk është vepruar në kohën e duhur për t’i kërkuar EURALIUS-it të gjithë ndihmën dhe asistencën për të hartuar dhe miratuar aktet nënligjore të nevojshme, ndërkohë që, i kërkohet opinion për zgjidhjen e një situate “emergjente”, të krijuar së fundmi, kur Gjykata e Lartë ka ngelur vetëm me dy anëtarë.

Siç u përmend edhe më sipër, KLGJ-ja ka tejkaluar edhe me 3-muaj të tjerë, afatin fillestar 3-mujor të përcaktuar nga neni 174, pika 1/a, të ligjit nr.96/2016, për miratimin e aktit nënligjor që do të bënte të mundur nisjen e procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë.

Pra në kushtet kur kanë kaluar 6-muaj e 20 ditë nga momenti i krijimit të KLGJ-së dhe ende nuk janë hartuar të gjitha aktet nënligjore për këtë proces, paraqitja e gjëndjes së emergjencës nga KLGJ dhe Euralius është tërësisht e pajustifikuar.

Nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor do të kishte përmbyllur miratimin e akteve nënligjore brenda afatit të përcaktuar nga ligji (12 mars 2019), atëherë pas kësaj periudhe që ka kaluar do të mund të ishin hapur dhe procedurat për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe rrjedhimisht kjo gjykatë mund të ishte sot funksionale.

Referuar kësaj gjendjeje, Presidenti i Republikës shpreh qëndrimin se Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë një mekanizëm të qartë për plotësimin në mënyrë përhershme të trupës gjyqësore të Gjykatës Lartë dhe në këtë mënyrë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përgjegjësinë që të veprojë pa asnjë vonesë për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore me qëllim që të shpallë thirrjet për plotësimin e të gjitha vakancave në këtë gjykatë.

Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve apo kandidaturave për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e KLGJ-së. Në cilësinë e organit përfitues të ndihmës ndërkombëtare KLGJ-ja, ka të drejtat e plota të kërkojë opinione mendime nga ekspertiza në dispozicion, por në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, është KLGJ-ja organi i vetëm që ka përgjegjësinë për suksesin apo dështimin në zbatimin e tyre.

Presidenti i Republikës e mbështet rekomandimin e “EURALIUS V”, në faqen e 7 të dokumentit, në kapitullin IV “Përfundim” ku citohet se:

“Ngritja në detyrë e gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë dhe emërimi i kandidatëve jogjyqtarë në këtë Gjykatë përbëjnë një përparësi themelore. KLGJ-së i rekomandohet që të përshpejtojë sa më shumë që të jetë e mundur procesin e përpilimit të akteve nënligjore të nevojshme, si dhe të shpallë njoftimet për promovimin e gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë si dhe për emërimin e kandidatëve që vijnë nga jashtë gjyqësorit”.

Sipas këtij Opinioni Ligjor të EURALIUS-it, evidentohet se, KLGJ-ja deri më tani nuk ka arritur të respektojë detyrimin kushtetues dhe ligjor, në drejtim të afatit dhe përcaktimit të rregullave për të bërë të mundur propozimin e kandidaturave për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Përsa i takon pjesës së opinionit të “EURALIUS V”, që përmbyllet me rekomandim se:

“Me qëllim që të kalohet kjo periudhë tranzitore, ndërkohë që procesi i ngritjes në detyrë dhe i emërimit në Gjykatën e Lartë nuk ka përfunduar ende, KLGJ-ja mund të konsiderojë të përdorë skemën e delegimit dhe caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Përveç kësaj, nëse në skemën e delegimit nuk ka magjistratë të përshtatshëm që plotësojnë kushtet për në Gjykatën e Lartë, atëherë referimi tek Neni 46 i Ligjit për Statusin do të ishte i argumentuar dhe i mundshëm, duke transferuar për një afat të përkohshëm, dhe me pëlqimin e tyre në Gjykatën e Lartë, gjyqtarë me performancë shumë të mirë profesionale”, Presidenti i Republikës vlerëson se ky rekomandim i propozuar:

– Cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës;
– Ky propozim bie ndesh në mënyrë flagrante me parashikimet e nenit 136, 179 pika 4 e 12 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
– Dëmton rëndë qëllimet kryesore mbi të cilat u ndërmor dhe u miratua paketa kushtetuese dhe ligjore e reformës në sistemin e drejtësisë;
– Cenon besimin e publikut tek organet e reja të sistemit të drejtësisë;
– Bën të mundur që Gjykata e Lartë të funksionojë me gjyqtarë të përkohshëm, të cilët do të ushtrojnë funksionet në gjykatën më të larë të vendit, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar, duke cenuar besimin tek reforma në drejtësi e miratuar 3-vjet më parë.

Ky opinion në vetvete është një përpjekje për të ofruar një zgjidhje me mjete ekstra ligjore aspak kushtetuese e ligjore nën argumentimin e situatës emergjente. Nëpërmjet tij synohet së pari të fshihet problematika, apo mangësitë që mund të paraqesë baza ligjore ekzistuese dhe prej së cilës mund të jetë krijuar edhe kjo gjendje. Për shkak të përdorimit të këtij mekanizmi të papërshtatshëm të propozuar nga Euralius mund të bëhet i mundur promovimi përkohësisht në karrierë i gjyqtarëve, që nuk e meritojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që mund të vlerësohen si të tillë nga organet e rivlerësimit kalimtar.

Duhet të kujtojmë që misioni “EURALIUS V”, ka dhënë ekspertizën e tij në kuadër të hartimit dhe miratimit të paketës ligjore në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe nëse kjo paketë ligjore paraqet mangësi, një pjesë të kësaj kostoje është përgjegjësi edhe e këtij misioni, i cili ka asistuar Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe Kuvendin e Shqipërisë në miratimin e ligjeve shoqëruese në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë.

Nëse paketa ligjore paraqet mangësi, atëherë kjo gjë më së pari duhet të pranohet, të evidentohet dhe duhet t’i bëhet menjëherë prezente për zgjidhje Kuvendit të Shqipërisë.

Kuvendi ka të gjitha mundësitë dhe njëkohësisht detyrimin që të përmirësojë kuadrin ligjor ekzistues për t’i dhënë zgjidhje qoftë emergjencës së krijuar për formimin e trupave gjyqësore, ashtu dhe krijimit të mekanizmit të përshtatshëm kushtetues apo ligjor, që do të bëjë të mundur zgjidhjen e problematikës për shqyrtimin brenda një afati të arsyeshëm të 32 000 çështjeve të mbartura, që presin për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë.

Nuk është logjike dhe aspak e drejtë që duke argumentuar një situatë “emergjence” “EURALIUS” të propozojë zgjidhje të tilla ekstraligjore që cenojnë rëndë parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Kjo, përveçse ul besimin tek reforma, vendos njëkohësisht në pikëpyetje serioze nivelin profesional dhe paanshmërinë e këtij misioni në Republikën e Shqipërisë.

“EURALIUS V” është mision ekspertize që asiston të gjitha organet e reja të sistemit të drejtësisë ashtu dhe Kuvendin e Shqipërisë, dhe për këtë duhet që të japë opinione objektive për zgjidhje të përshtatshme dhe të koordinuara me të gjithë aktorët në përputhje me Kushtetutën, dhe jo të fshehë të metat dhe problematikën që mund të kenë aktet ligjore, apo të përfshihet në veprimtari “krijuese” të keqintepretueshme.

Nuk duhet të harrojmë që paketa kushtetuese e reformës në sistemin e drejtësisë jo vetëm që është hartuar dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me konsensus absolut, por ajo u realizua bazuar në rekomandimet e vyera të Komisionit prestigjioz të Venecias, të studiuara dhe të konsultuara për një kohë të gjatë me këtë organizëm këshillimor të Këshillit të Evropës.

Sistemi i drejtësisë në Republikës së Shqipërisë është reformuar tërësisht duke ndërtuar një mekanizëm që promovon funksionimin e tij me gjyqtarë dhe prokurorë të zgjedhur në mënyrë përfundimtare me integritet të lartë moral dhe profesional, të cilët meritojnë të jenë pjesë e tij dhe kurrsesi me funksionarë të caktuar dhe promovuar përkohësisht në gjykatat e nivelit më të lartë të vendit.

Nuk është aspak logjike që 3-vite nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, “Euralius” të propozojë sërish skema të tilla, tranzitore, të përkohshme që shkelin rëndë parashikimet Kushtetuese.
Të drejtat themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre.

Mosformimi i një trupe gjyqësore sipas ligjit në Gjykatën e Lartë mund të sjellë problematika shumë të rënda dhe nga më të ndryshmet në proceset penale apo civile, të cilat diktojnë shqyrtimin e domosdoshëm të çështjes brenda një afati të caktuar procedurial. Kjo kërkon vëmendje dhe mbikqyrje të shtuar nga KLGJ për të shmangur çdo pasojë në këtë drejtim.

Presidenti i Republikës kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësimin me shumë seriozitet dhe me prioritet të kësaj çështje si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave për përshpejtimin e procesit të përpilimit të akteve nënligjore të nevojshme dhe për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në përmbushje të parashikimeve të nenit 136, 179 pika 4 e 12 të Kushtetutës.

Në përfundim të sa më sipër, Presidenti i Republikës, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet kësaj letre:

– Kërkon dhënien e një informacioni shterues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, siç është parashtruar më sipër;

– Synon t’i japë impuls KLGJ-së që të vendoset në pozita të plota pune për të përmbushur detyrimet e kushtetuese brenda afateve ligjore në mënyrë që Republika e Shqipërisë të ketë sa më shpejt një Gjykatë të Lartë funksionale;

– Po i paraprin krijimit të një situate ekstraligjore që mund të vijë nga përdorimi i qasjes së këshilluar nga Euralius V, që eventualisht siç ka ndodhur edhe më parë (me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm me 69 vota), mund të dëmtojë besimin tek Reforma në Drejtësi dhe që do të përbënte shkelje të hapur të parashikimeve kushtetuese;

– Synon të eleminojë ?do mundësi eventuale për cenimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës;

– Të kontribuojë që, të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë.

Në pritje të përgjigjes shteruese dhe sa më të shpejtë, Presidenti i Republikës garanton se, bazuar në instrumentet kushtetuese në dispozicion do të ofrojë në çdo kohë bashkëpunim dhe mbështetje maksimale për Këshillin e Lartë Gjyqësor, por nuk do të lejojë asnjë cenim të autoritetit të Tij kushtetues në këtë proces, për çdo lloj arsye.

Duke ju uruar punë të mbarë,

Sinqerisht,

ILIR META

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here