Shqiptarët e pinë viagrën e rezistencës

0
119

Nga Andi Bushati

Të yshtur nga shakaja dy kuptimshe e Edi Ramës, se “shqiptarëve nuk iu ngrihet”, një pjesë e kritikëve të qeverisë kanë qenë, për muaj me radhë, të shqetësuar se mos fibra e rezistencës civile në vend është zbehur.

Sa e sa herë, ne, që mbështetëm rrugën radikale të opozitës, djegien e mandateve dhe më pas bojkotimin e zgjedhjeve, kemi dëgjuar dilemën se mos kjo ishte një zgjedhje e gabuar, se mos do të çonte në instalimin përfundimtar të një regjimi, se i gjithë ky aksion nuk kishte kuptim me një popull apatik, se beteja për të refuzuar letargjinë mund të përfundonte me një katastrofë.

Të gjithë ata që patën këtë mëdyshje, e morën përgjigjen në 30 qershor. Këtë të dielë, shqiptarët u dyndën drejt plazheve. Ata i refuzuan kutitë farsë të Edi Ramës. Edhe të tjerët, që u varfëruan gjatë pushtetit të tij dhe nuk patën mundësinë monetare për këtë radikalizëm shik, nuk denjuan të dalin nga hija e shtëpive për t’u zhuritur në vapën përvëluese të një bande që i vret dhe i vjedh.

Edhe sikur të mbyllim sytë përpara numrit të votuesve, që nuk korrespondon me fletët që gjenden në kuti; sikur të mos i llogarisim ato që u shtuan pas orës 19 00; sikur të refuzojmë të besojmë në manipulim; sikur t’i marrim të mirëqenë “zgjedhësit” e asaj partisë që u themelua dy ditë para fillimit të “garës”; pra edhe sikur t’i pranojmë të gjitha këto, rezultati është sërish fantastik.

Këtë e dëshmon shifra maksimale që po deklamon vetë rilindja. Gati me ankth të gjithë mbështetësit e Ramës po brohorasin se ata kanë ruajtur pak a shumë 768 mijë votuesit e zgjedhjeve të mëparshme.

Po a duhet konsideruar kjo një fitore?

E tillë jo e jo, por ajo nuk mund të përbëjë as një ngushëllim. Kjo për faktin e thjeshtë se kryeministri vuri një bast të madh. Ai organizoi një parodi moniste- ato votime që OSBE- ODHIRI i konsideroi si privim të qytetarëve nga e drejta e zgjedhjes- duke u nisur nga premisa se populli opozitar nuk do t’i bindej liderëve të tij.

Për javë e javë me radhë, Edi Rama propagandoi se edhe ata që nuk e donin atë, edhe ata që kërkonin ta largonin një orë e më parë, nuk ishin me Lulin dhe Monikën, Ilirin dhe Saliun.

Në këtë rulet ai vendosi fatin e votimeve shqiptare, duke u justifikuar se nuk mund t’i mbante peng për tekat e një grushti njerëzish.

30 qershori tregoi të kundërtën. Ai dëshmoi jo vetëm se opozita ishte kompakte në ruajtjen e votës së saj, por refuzimi që iu bë këtij regjimi, ishte plebishitar, shumë më i madh sesa hambari i zakonshëm i PD-së dhe LSI-së.

Prandaj edhe sikur ta marrim të mirëqenë shifrën e manipuluar të Edi Ramës, në rastin më të mirë, ajo tregon se këto qenë votimet e një partie. Pra, votime moniste që nuk i njohu asnjë shqiptar me ngjyrë, besim dhe bindje tjetër.

Po të shkojmë pastaj më thellë dhe të shohim numrin diskret të votave të pavlefshme, do të zbulojmë një përmasë tjetër të rebelimit të heshtur. Do të zbulojmë të gjithë ata punonjës të administratës publike, që u kërcënuan, u shantazhuan me bukën e fëmijve, u detyruan të fotografojnë vizat mbi gishta dhe t’i postojnë në rrjetet sociale, por, në fund, u hakmorrën duke duke prishur fletët e votimit, duke i bërë ato të pavlefshme, ose në rastet më kreative, zhgaravitën aty hakmarrjen e pafuqisë së tyre.

Të gjithë së bashku, secili në mënyrën e vet, ata u treguan të qartë dhe të vendosur. Ata nuk u gënjyen për asnjë çast nga mashtrimet bajate, se ky qe një konspiracion që po financohej nga armiqtë e Shqipërisë. Ata i përbuzën argumentat mjerane se po minohej reforma në drejtësi, se po pengoheshin negociatat, se pas perdes fshihej Putini, se këto “zgjedhje” i kërkonte Amerika.

Ata i refuzuan me neveri kërkesat e gallofëve stabilokratë, që nga lokali Broshardt e deri tek atlantiku Palmer, duke mos pranuar të vendosen në rolin e bagëtive që kërkojnë bariun.

Shkurt, në 30 qershor, shqiptarët treguan masivisht se dinë të bëhen pjesë e revoltës qytetare. Edhe ata që nuk kanë besim për të vajtur në protestat e Bashës dhe Kryemadhit, edhe ata që nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë të hedhin molotovë për llogari të tyre, dëshmuan se kanë një pikë të përbashkët: përbuzjen dhe refuzmimin ndaj TiRamisë.

Ndryshe nga dyshimet e mëparshme, ata demostruan se “iu ngrihet”, se e kanë pirë viagrën e rebelimit, për të shkalafitur çdo baxhellë që u del përpara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here