Standard.al

“Vendimi hakmarrës politik i kryeministrit”, reagon Shoqata e Bashkive

0

Sot, kryeministri Edi Rama vendosi shkarkimin e kryebashkiakut të djathtë në Bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hilën, pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e djeshme në KZAZ-të.

Pas kësaj ngjarje ka ardhhur dhe reagimi i Shoqatës së Bashkive, të cilët e kanë quajtur një hakmarrje politike. Kjo shoqatë thotë se kryebashkiaku Zef Hila, mund ta çojë vendimin në Gjykatën Kushtetuse dhe shkarkimi pezullohet. Sipas Shoqatës së Bashkive nuk ka asnjë provë që Zef Hila të ketë shkelur ligjet apo Kuhtetutën.

Reagimi i plotë:

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është njohur përmes mediave për aktin e rëndë antikueshtetues, në shkelje dhe tejkalim të kompetencave të kryeministrit të vendit për shkarkimin e kolegut tonë, kryetarit të Bashkisë Vau- Dejës z. Zef HILA. Pa më të voglin dyshim, jemi përballë një hakmarrje të pastër politike, ndëshkim për z. Hila dhe kryebashkiakët e tjerë që po kërkojnë të zbatohet Kushtetuta, Dekreti i Presidentit të Republikës, ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”etj. Përveç shkarkimit, tashmë duke u sjellë si një prokuror, paralajmëron edhe ndjekjen penale për kolegun Hila.

Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” e përcaktojnë qartë se kur mund të shpërndahet/ shkarkohet organi i zgjedhur drejtpërdrejtë i njësisë së qeverisjes vendore. Neni 115 e përcakton qartë, në pikën 1 të tij se: “Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.”. Në asnjë rast, nuk ka indicie, aq më pak prova që z. Hila ka shkelur rëndë Kushtetutën apo ligjet.

Vendimi hakmarrës politik i kryeministrit, vjen në një kohë kur mungojnë edhe garancitë kushtetuese për të ushtruar të drejtën e ankimit që organeve të zgjedhur drejtpërdrejtë të qeverisjes vendore, i njeh Kushtetuta në rast shpërndarje/ shkarkimit. Neni 115, pika 2 e tij e përcakton qartë dhe prerë se: “Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet.”.

Edhe neni 62 i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përcakton se: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.”. Në asnjë nga rastet e mësipërme, nuk mund të klasifikohet vendimi i paligjshëm i kryeministrit, me propozim të ministrit të brendshëm të tij.

Në këtë situatë të një vakumi institucionesh si Gjykata Kushtetuese, e cila është nxjerrë jashtë funksioni nga kjo mazhorancë në emër të “reformës në drejtësi”, po hidhet një hap tjetër i rëndë antikueshtetues duke cenuar parimet e autonomisë së vetëqeverisjes vendore, të sanksionuara në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, ratifikuar edhe nga Shqipëria.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, është e vendosur të zbatojë me rigorozitet Kushtetutën, Dekretin e Presidentit të Republikës, ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Nga ana tjetër, do të vëmë në dijeni për këtë shkelje të rëndë nga ana e kryeministrit dhe qeverisë, të gjitha institucionet ndërkombëtare që janë investuar në ndërtimin dhe përmirësimin e qeverisjes vendore në Shqipëri nga viti 2015 e në vijim.

Shprehim indinjatën tonë për këtë sulm të paprecedent jo vetëm ndaj kolegut tonë, kryetarit të Bashkisë Vau Dejës z. Zef Hila por edhe ndaj zgjedhurve vendorë legjitimë dhe të votuar drejtpërdrejtë nga qytetarët.
I bëjmi thirrje kryeministrit, të tërhiqet nga ky vendim antikushtetues dhe i pabazuar në Kushtetutë e në ligje, duke e siguruar se do të vazhdojmë të zbatojmë si deri më tani Kushtetutën, Dekretin e Presidentit të Republikës, ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.