Rrokaj: Votimet e 30 qershorit? Mazhoranca do të ‘vetëtestohet’ për zgjedhjet e parakohshme…

0
131

Nga Shezai Rrokaj

Është e qartë tashmë se si ligjërisht dhe praktikisht zgjedhjet e 30 qershorit mund të jenë vetëm një testim partiak i mazhorancës për të verifikuar vetveten pas gjithë kasaj qeverisjeje me skandale dhe krijimit të një klime politike në pragun e konfliktit social. Kjo për arsye se ligjërisht nuk ka një datë zgjedhjesh, sepse Presidenti i Republikës, si vetmi autoritet me mandat kushtetues për këtë çështje, ka bërë nul datën e 30 qershorit. Arsyet janë bërë të njohura, duke filluar me faktin se ka mungesë të konkurencës në mbi 50 bashki, ku kemi vetëm një kandidat apo në disa bashki të tjera me kandidatë figurantë pra, pa përfaqësim të opozitarizmit, gjë që i kthen zgjedhjet në farsë dhe pluralizmin e bën monizëm.  Zgjedhjet e njëanëshme komprometojnë rëndë parimet kushtetuese të një shteti demokratik dhe shënojnë një hap mbrapa për çeljen e negociatave dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Si garantit i Kushtetutës dhe respektimit të saj, Presidenti e bëri të qartë se siguria e rendit kushtetues dhe e unitetit të popullit, nga njëra anë dhe garantimi i pluralizmit politik për të mos rrëshqitur në votime moniste, është themeli i një shteti demokratik.  Me këtë dekret Presidenti u dha një mundësi palëve për dialog, për të hequr dorë nga demonstrimi i muskujve dhe që ato të kenë përgjegjshmëri për të mirën e vendit.

Mirëpo këtë dekret, të botuar tashmë në fletoren zyrtare, mazhoranca jo vetëm nuk e përdori në dobi të së mirës publike, por me një veprim të ulët prej skuthi përdori emrin e një partie në letër, e cila i bëri një kërkesë Kolegjit për të verifikuar legjitimitetin e qëndrimit ose jo të saj në zgjedhje. Kolegji i  konfirmoi partisë së përdorur si “karem” se nuk mund të dalë nga rreshti dhe se me demek ka një datë për zgjedhje. Nga ana tjetër, gjithë ‘fushata’ e mazhorancës ishte një farsë, pa program, vetëm duke u marrë me “jemi të ligjshëm/jemi të paligjshëm, ose duke u marrë me opozitën, e cila nuk u bë pjesë e kësaj fasade elektorale.

Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj: qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, ndarje përfundimtare e politikës nga krimi, luftë kundër bandave e oligarkëve, çlirimi i shtetit nga një regjim autokrat të kapjes së shtyllave të shtetit dhe zgjedhje të lira.

Po përse mazhoranca këmbëngul për zhvillimin e zgjedhjeve? Për të zbatuar ligjin, Kushtetutën? Tani çdo gjë është e qartë dhe  për vetë naivët. E kapur prej fyti nga skandalet si korrupsioni galopant, krimi elektoral për blerjen e zgjedhjeve, që është tashmë një e vërtetë e pranuar edhe nga socialistët e ndershëm, dështimi i reformave në drejtësi, arsim, shëndetësi, goditja e fondeve publike me PPP-të, ikja masive e qytetarëve dhe varfëria e dukshme, e kanë vënë mazhorancën në vështirësi serioze përballë qytetarëve dhe opozitës në vend. Sondazhet e saj tregojnë ulje të shkallës së besimit tek ky model qeverisës, ndaj ajo ka nevojë të verifikojë me votime partiake se sa është realisht mbështetja që ka. Mirëpo, tinëzisht, me qëllim që rezultati të dalë sa më i lartë faqe botës, të gjitha pushtetet janë vënë në lëvizje: me polici, prokurori, administratë, media, militantët, që kanë marrë patronazhe, bizneset etj. E do kjo mazhorancë një rezultat fiktiv për t’i kapur të gjitha bashkitë dhe për ta përdorur si kalë beteje në zgjedhjet politike të parakohshme, qoftë edhe duke i përsëritur zgjedhjet vendore. Ajo e do më shumë se kurrë faktin e kryer për të lëshuar mandej altoparlantët mediatikë dhe për t’u thënë ndërkombëtarëve: e shikoni me kë janë qytetarët, e kështu me radhë.

Hiç nuk shqetësohet as për epitetet e vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare të cilat, pasi të rividhen votat, këtë herë fare thjesht, pa opozitën si rivale, do do të kërkojnë bashkë me mazhorancën zgjedhje të parakohshme ku, pa dyshim do të ripërsëritet i njëjti skenar.  Me justifikime, qoftë edhe si këto të partisë së Beqirit, Rilindja nuk do të ketë hiç drojë të thotë se standardet u arritën. Qytetarët zgjodhën si në monizëm ata, se vetëm ata ishin në listat zgjedhore, dhe se nuk ishte faji i tyre që opozita nuk mori pjesë.

Mirëpo zgjedhje fasadë, reforma fasadë, pushtet fasadë dhe shtet fasadë nuk mund të këtë më. Ky është treni i fundit. Orar tjetër nuk ka për të mbrojtur demokracinë. Këtu ndahet vija e kuqe me regjimin e monizmit modern. Sot ky mision historik është i qytetarëve në mbrojtje të vetes së tyre dhe i opozitës për mësuar nga gabimet e saj e ato të mazhorancës, në mënyrë që të ngrihen shtyllat e shtetit, të cilat garantojnë stabilitetin përmes demokracisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here