“Uragani i Opozitës”/ Basha i drejtohet ndërkombëtarëve: Ja dy kushtet që zgjidhin krizën

0
99

Kreu demokrat Lulzim Basha premtoi para mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballjen me drejtësinë dhe prangat e burgut të të gjithë atyre që në bashkëpunim me krimin kanë vjedhur shqiptarët.

“Ky oqean shprese, ky bashkim i jashtëzakonshëm, është makthi, është frika më e madhe e Edi Ramës, por është besimi i çdo shqiptari të ndershëm, është shpresa e tyre”, tha Basha, ndërsa mijëra të pranishëm bërtisnin “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”.

Sipas tij, ky ndryshim i madh, nisi pikërisht për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Në emër të fëmijëve tanë, dua të zotohem në emrin tuaj, para kombit, Europës dhe Perëndimit, se kjo betejë nuk do të përfundojë me largimin e Edi Ramës, por kur të kemi vendosur kushtet për Shqipërinë si gjithë Europa.

Gjatë kësaj jave që shkoi, çdo përfaqësues i kancelarive perëndimore, që nuk ka lexuar apo nuk ka kuptuar, kapjen e shtetit nga krimi, më në fund e ka kuptuar se në krye të qeverisë nuk ishte një kryeministër, por një kryemafioz.

Atyre dua t’u them se zgjidhja e situatës kalon përmes dy kushteve: largimi i Edi Ramës është i panegocueshëm, dhe nxjerrjen nga qelitë të vëllezërve tanë që ndodhen në qeli se protestuan “për Shqipërinë si Europa”, dhe futjen në qeli të atyre që vodhën votat e shqiptarëve”, tha Basha.

Kreu demokrat tha se kjo krizë politike nuk do të mbyllet mbi pazare politike, por mbi parimet.

“Parimi i parë është çuarja para drejtësisë dhe dyerve të burgut të atyre që cënuan votën e shqiptarëve”, tha Basha. Sipas tij, më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, beteja do të vazhdojë qytet më qytet, demokracia kundër diktaturës, qytetarët kundër bandave.

  
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here