Standard.al

E vërteta të bën të lirë….

0

Nga Ilir Kalemaj

Pas befasisë, vjen hutimi, pas tronditjes, vjen zemërimi. Një shtet mafioz, i kapur me zë dhe figurë, me pamje që na bëjnë me turp faqe Europës, një pushtet i kriminalizuar në palcë, meshefa policie që vetdeklarohen ushtarë dhe qeveritarë pupacë.

Përgënjeshtrime që ndjekin njëra-tjetrën pa sekuencë logjike. Në sabah thonë që ato përgjime nuk janë përkthyer si duhet, në nadje i relativizojnë e thonë zgjedhjet gjithmonë janë vjedhur në një formë a tjetër. Por pa zgjedhje të lira, nuk ka liri zgjedhjeje. Tashmë po rrëshkasim me shpejtësi në monopartizëm, prelud i diktaturës së re. Për nga forma demokraturë, për nga emërtimi që na bën bota “demokraci hibride”, për nga substanca një pushtet arrogant, cinik dhe i palimituar. Një pushtet që jo vetëm nuk ka kontrolle, filtra apo balancë por kërcënon të drejtat dhe liritë individuale të cilido shtetasi që nuk mendon njëlloj si regjimi.

Shtiremi sikur jetojmë në shekullin e 21 por përballemi me probleme ekzistenciale si ato të shekullit 19-të. Ndërkohë që Perëndimi po përjeton revolucionin e katërt industrial, jemi ende duke u llokoçitur te përpjekja për të kryer revolucionin e parë. Ndërkohë që fizika kuantike, bioteknologjia dhe inteligjenca artificiale janë fjalët kyç për të kuptuarit e asaj çka ndodh gjetiu nëpër botën e civilizuar, te në kemi ngecur ende te format e shtetit patrimonial, regjimit klientelist dhe jemi ende në parapolitikë.

Lexoja para disa ditësh një intervistë të mençur të presidentit armenian, një ish-fizikant i shquar i Kembrixh dhe diplomat karriere që e krahasonte vendin e tij por edhe vende të tjera të vogla si Izraeli, Estonia, Finlanda apo Irlanda si komb-shtete start-up të cilat kanë kuptuar trendet e kohës në epokën pas-industriale, kanë krijuar avantazhet krahasuese të tyre dhe arrijnë të konkurrojnë me zgjuarsi në tregjet globale. Pra madhësia e një vendi nuk ka pse të jetë parakusht për dështim apo sukses. As burimet natyrore pasi disa nga këto vende i kanë mjaft të limituara. Por të gjitha i bashkon fakti që kanë investuar në burime njerëzore. Burime që vendi yt dhe i imi i shpërfill, i injoron, i demonizon.

Tre dekada të humbura kot nëpër xhunglën e tranzicionit. Sorrollatemi si Odiseja në kërkim të një Itake që nuk ekziston. Shqiptarë shpresë-vrarë që mbijetojnë në një vend ku politika është algfa dhe omega që ka në dorë edhe gurin, edhe arrën. Që përcakton vendet e punës në administratë, por edhe kush merr tenderat e begatë. Që cakton kush ha gjobën kokës, por edhe kush shpërblehet për servilizmin e skajshëm. Një politikë që preferon të tredhurit dhe puthadorët, jo të aftët dhe meritorët.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.