Rakipi: Rama dhe Berisha si “nata me ditën”!!! Berisha ka pasur të meta, por kriminelët nuk i mbante në zyrë e Kuvend si Rama…

0
122

Gazetari Ylli Rakipi, në emisionin “I ftuari” të Endri Xhafos, në A2 CNN, bëri një analizë të shkurtër të dallimit, sipas tij, të kryeministrit Edi Rama dhe paraardhësit të tij Berisha.

Për Rakipin ndryshimi është si “nata me ditën”. Ai shprehet se njerëz me rekorde kriminale vërtiteshin në PD, por nuk futeshin në zyrën e Berishës, ndërsa thekson se sot ata mund t’i gjesh në krye të bashkive.

“Berisha është njeriu që vuri një vulë të fortë në Shqipëri. Berisha ka ardhur mbi disa principe. Sigurisht ka dritëhijet e tij të fuqishme. Sali Berisha bën një rrugë, i cila mendohet se është vjedhur një pjesë, por rruga është atje nëse shkon. Ndërsa ky nuk bën asnjë vepër e na lë me breza në borxhe. Njerëzit me rekorde kriminale mund të vërtiteshin në Partinë Demokratike, por jo në zyrën e Berishës, as në Parlament nuk shkonin. Ky i kishte në Parlament, i ka në tryezë, i ka në krye të bashkive, njerëz që kanë ndërruar emra. Ky është si nata me ditën. Autoritarizmi i Sali Berishës është ballkanik, por Berisha ka 6 vjet që ka ikur, po o more me Sali Berishën mbaron këtu”, u shpreh Rakipi.
Ai komentoi dhe zhvillimet e fundit në vend mes tyre dhe thirrjen në Prokurori të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me çështjen e lobimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Rakipit, thirrja e Bashës në Prokurori bëhet për të shmangur vëmendjen nga problemet me të cilat përballet qeveria. Ylli Rakipi shtoi se nuk beson se Shqipëria është në fokusin e Rusisë.

“Kur del një problem shumë i madh, thërret në prokurori djalin e Sali Berishës. Në rastin me Bashën është akoma më flagrant, një turp i madh, me rusët që kanë ardhur të shkatërrojnë Shqipërinë. Ku kanë nevojë Shqipëria ta shkatërrojnë rusët! Rusia përpiqet të shkatërrojë gjëra të rëndësishme. Përpiqet për shembull të marrë votat e Hillary Clinton dhe t’ia kalojë Donald Trump dhe angazhohet për gjëra shumë të mëdha. Nuk besoj se Shqipëria është në fokusin e Rusisë. Sapo doli problemi madh kaluam te Rusia”, u shpreh gazetari Rakipi.

“Është shumë turp kur ne dëgjojmë nga kjo administratë e lartë europiane, nga këta njerëz kaq të rëndësishëm të BE, të cilët thonë se Shqipëria ka realizuar detyrat”.

Kështu është shprehur gazetari Ylli Rakipi në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos. “Shqipërinë duhet ta shohësh me mikroskop për të gjetur ndonjë arritje. Edhe reforma në drejtësi është kapur. Vendimi i vërtetë është i vendeve anëtare, ku vendet më të rëndësishme kanë një vendim politik për Shqipërinë dhe ne jemi shumë larg për t’u pranuar, për të hapur negociatat”.

Më tej, Rakipi shprehet se Rama kërkon ta hedh fajin te problematikat e BE. “E gjithë përpjekja e zotit Rama që përpiqet t’ia hedh fajin problematikave që ka sot Perëndimi, kur vet nuk qëndron asgjëkund, është një turp i madh. Edi Rama duhet të heq dorë sa më parë nga ideja se Perëndimi ka problemet e veta dhe nuk e pranon Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ballkani është një vatër shumë e nxehtë, por Shqipëria ka probleme shumë të mëdha. Shqipëria është sot një narkoshtet. Shqipëria është kthyer në një urë të transportit të drogërave”.

Por çfarë do të ndodhë në tetor mbi negociatat? Sipas gazetarit Ylli Rakipi, ato nuk do të hapen. Ai thekson se Shqipëria nuk i meriton negociatat.

“Unë nuk kam një pritshmëri të mirë. Mundësia maksimale është të mos hapen. Shqipëria nuk ka nevojë për negociata, për çfarë mund ta ndihmojnë këto negociata?! Unë nuk e kuptoj. Ky vrapim i çmendur është si fotografitë që kanë bërë liderët para zgjedhjeve. Shqipëria nuk e meriton çeljen e negociatave, për shkak të kthimit në një narkoshtet, kalimi i vendit në duart e 10 vetave, ti anëtarësohu edhe në një planet tjetër, por do të ishte pa lidhje”, u shpreh Ylli Rakipi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here