Plani, ‘Pika Zero’, që Edi Rama po vë në zbatim!

0
98
Nga Poli Hoxha 

Ndërkohë që vendi po futet me shpejtësi në kaos, po vihet re edhe një histeri ‘pacifistësh’ në rrjet dhe në studiot televizive pas ngjarjeve të fundit në Shkodër, Tropojë dhe ditën e sotme në gati në të gjitha bashkitë e tjera, të drejtuara nga përfaqësues të opozitës.

Pati flakë në kryeqendrën e Veriut, në Bajram Curr e qytete të tjera u shkatërruan materialet zgjedhore dhe përplasjet e dhunshme po bëhen normalitet. Nuk ka më dyshim se ky është vetëm momenti i nisjes së ngritjes së siparit, të asaj që rrezikon të ndodh në vazhdim dhe që me si duken bathët, pikën e shpërthimit të pakontrolluar do ta ketë mëngjesin e 30 qershorit.

Kështu pas dështimit të mbijetesës në pushtet kemi kalimin e një eksperimenti, nga mendjet dhe planet në letër të një grushti njerëzish në marrëdhënie okulte që ende kontrollojnë shtetin dhe të ashtuquajturin ‘biznes të madh’, në disa epruveta. Pas kësaj ajo që pritet është dita, kur i gjithë ‘laboratori’ të shpërthejë.

Situata duket në pamje të parë si absurde sepse, Edi Rama, nuk mund të jetë aq idiot sa ta lejojë vendin të digjet vetëm për një datë. Dhe në fakt, nuk është. Gjithçka është e kalkuluar, me shumë kujdes. Të gjitha indiciet të thonë se ai po e çon Shqipërinë drejt një katrahure me ndërgjegje të plotë dhe arsyet- që besoj unë- se përse po e bën këtë, do ti rreshtoj më poshtë.

Tani jemi ende në fazën kur njëra palë po kërkon me çdo mënyrë, që të zbatojë dekretin e presidentit të vendit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, kurse tjetra kërkon që të bëjë votime pa zgjedhje dhe mbi të gjitha në mënyrën më të padëgjuar ndonjëherë në gjithë sistemet që njohim në kohët moderne; Republikë, Presidenciale, Monarki, apo edhe diktatoriale; pa datë të dekretuar dhe vetëm me militantë të një force politike.

E gjitha kjo po ndodh në sfondin e protestave të mëdha gati 4 mujore të opozitës, e cila pasi braktisi parlamentin po kërkon një rivlerësim të votës që dyshohet dhe faktohet me raste flagrante, se është tjetërsuar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Po ndodh kur në vend institucionet kryesore janë bërë `lesh e li`, ose nuk ekzistojnë fare; Kryeministri, parlamenti i gjymtuar monist, KQZ me 4 anëtarë të shfaqur hapur si militantë të PS-së; shumica e kryetarëve të bashkive në vend e mazhoranca në përgjithësi, nuk e njohin më presidentin e Republikës dhe kanë nisur procesin zyrtar për shkarkimin e tij. Nuk ka më arbitër dhe as kohë për ta pritur që të kthjellojë tymnajën, siç është Gjykata Kushtetuese. Gjithashtu dera për hapjen e negociatave na u mbyll sërish, ndërkohë që jemi futur në vorbullën e bllokimit të lëvizjes së lirë të shqiptarëve, për në vendet e BE-së.

Skandalet korruptive me ‘rrugë të florinjta’ janë bërë kapicë, kurse përgjimet e rrjedhura nga dosjet 339/1 dhe 184 po kutërbojnë gjithë Europën, nëpërmjet miliona kojeve të BILD dhe medieve të tjera. Pyetja e vetme retorike që po hedhin gazetarë të njohur ndërkombëtarë (së fundmi edhe politikanë) kur flasin për Shqipërinë është vetëm një; Shtet mafioz, apo Mafie në pushtet?!

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, prokuroria e drejtuar nga një individe e cila tashmë e ka konfirmuar veten si borxhlie e kamikaze e mazhorancës që e zgjodhi me hile e me dhunë në atë post, po luan fortë dhe turpshëm rolin e saj, në këtë operacion shpëtimi të Ramës. Të mos flasim pastaj për rolin e policisë të drejtuar nga një individ tjetër, i cili me deklaratat e tij të kujton ata gjeneralët e Juntave të viteve 70-80-të, të cilat u përhapën si kërpudhat pas shiut në vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë.

Sa më shumë ‘presh’ të krimit e korrupsionit i kapen në duar e në prehër kryeministrit, aq më shumë kjo prokurori shton shantazhin mbi opozitën në mënyrë piramidale. Po i mbushin me shpejtësi qelitë, me qytetarë protestues duke prodhuar me qëllim, vetëm zemërim e mllef kolektiv. Ndërkohë zyrtarët e eksponentë të lartë, deri në deputetë e ministra të Rilindjes, të cilët shkelin ligjin e abuzojnë me detyrën dhe bëhen njësh me kriminelë e trafikantë ndërkombëtarë droge, për të siguruar votat e Timonit të Ramës, vazhdojnë punën dhe jetën të qetë.

Nëse dëgjoni fjalimet e Edi Ramës dhe të gjithë atyre që ka strehuar në strofullën e tij, e vetmja fjalë që të mbetet në mendje është; burg, burg, burg. Hap televizorin e bombardohesh nga emisione e promocione të KQZ-së e PS-së me rastin e 30 qershorit dhe si në ato eksperimentet makabre, që u bënin ekspertët-psikiatër të KKB me mendjen e ushtarëve amerikanë të kapur rob në luftën e Vietnamit, të ngulet në memorie vetëm një ‘direktivë’ dhe vetëm një ‘vijë sjelljeje’; 30 qershori nuk diskutohet, kush nuk e pranon shkon në burg, opozita do vitin 1997, punon për Rusët…

I gjithë ky proces manipulimi dhe ky terror psikologjik është koordinuar, edhe me shantazhin e hapur ndaj liderit të opozitës. Pesë herë është thirrur në prokurori Lulzim Basha dhe të gjitha rastet, korrespondojnë me skandale si ato të Tahirit, Xhafajt, deputetit Rrahja, Dakos dhe së fundmi (Dosja e Dibrës 184) rënien në rrjetën e përgjimeve të të gjithë kupolës së Rilindjes, me gjithë kapon e organizatës brenda, Edi Ramën.

Në pak rreshta dua të jap mendimin tim si ish-gazetar i vjetër dhe mjaft aktiv i kronikës dhe investigimit, për eksperimentet e fundit në këto epruveta, që po ndodhin me shpejtësi në të gjitha bashkitë e vendit.

Këto protesta plot nerv që po shohim, priteshin nga të gjithë; veçanërisht nga Edi Rama. Madje ky i fundit në koordinim me mediat që kontrollon i ka provokuar hapur nëpërmjet një gjuhe sa diskriminuese e përçarëse, aq edhe sfiduese. Nëse shqyrtojmë me kujdes rastet ‘e dhunës’ gjatë protestave kombëtare në këto 4 muaj dhe gjatë ditëve të fundit, do të vini re një sjellje ‘të çuditshme’ të policisë në koordinim me prokurorinë. Policia tërhiqet dhe lëshon teren pa shkak, duke ‘i ftuar’ kështu turmat (më së shumti individë, që nuk dihet qarë se çfarë përfaqësojnë) që të kryejnë lirshëm akte dhune. Pastaj hedh gaz pa karar ose ushtron presion, pikërisht kur demonstrimet janë të paqta. Në Shkodër, Bajram Curri dhe në të gjitha qytetet ku pati incidente gjatë gjithë ditës së mërkurë, policia si me një urdhër të koordinuar nga lartë bënte sikur ruante apo tentonte, që të çlironte ambientet e KZAZ-ve.

Me syrin e një gazetari që e ka mbuluar policinë për vite me radhë, e them me bindje të plotë, se ajo po vepron në një mënyrë ‘të çuditshme’ dhe aspak profesionale, kur në fakt është e tillë; herë provokon pa shkak dhe herë lejon individë të dhunshëm që të përparojnë drejt dhunës ekstreme. Këtë po e bën për ‘shkaqe’, që ndoshta nuk do ti mësojmë kurrë, por që kuptohen lehtë. Nga ana tjetër, sapo shuhet një ‘vatër zjarri’ dhe bie qetësia, për gjithë natën prokuroria i hedh benzinë zjarrit me urdhra shoqërimi e arrestime në masë. Natyrisht, policia lë mënjanë çdo detyrë tjetër dhe i zbaton urgjentisht!

Dhe si për ti vënë kapakun, menjëherë pas këtyre ngjarjeve del në rrjetet sociale gjenerali i viteve ‘70-80-të’ Sandër Lleshaj dhe lëshon deklarata, të cilat vetëm nga goja e një ministri të një shteti normal e jo më ligjor, nuk mund të dalin. Çdo fjalë, (`bij të dhunës`, `do merrni dënimin e merituar`, `burg për të gjithë`, etj) që lëshon është një provokim i hapur, e ftesë për luftë.

Ditën e mërkurë arriti deri aty, sa që lëshoi deklarata të hapure lufte dhe dhune. Të gjithë në burg, do të shkrijmë edhe policinë bashkiake- guxoi e tha. Shumë kush mund të mendojë, se është thjesht një strategji frikësimi të cilën e frymëzon dhe e urdhëron vetë Edi Rama, i cili në të njëjtën ditë kërcënoi shqiptarët edhe me 10 vite izolimi. Por e vërteta është se tashmë frika është vrarë dhe këtë e di mirë, jo vetëm Rama dhe Lleshaj, por edhe kalamajtë e lagjeve. Në tjetër vend ‘fle lepuri’ i kësaj kundërmësymje shantazhuese dhe ftese, për përballje civile!

Duket sikur kryeministri po tregohet më i kujdesshëm formalisht në deklaratat e tij, edhe pse dihet tashmë se është vetë urdhëruesi i kësaj strategjie. Por faktikisht qëndrimet e tij herë tallëse e më shumë kërcënuese, gjithsesi e kanë brenda në doza të mëdha helmin dhe shkrepësen, gjithmonë të ndezur.

U zgjatëm shumë me këtë panoramë dhe deduksion të situatës ku gjendet vendi, në funksion të një përpjekje për ta bërë sa më të qartë, se përse Edi Rama është njeriu i vetëm të cilit i intereson që ta çojë vendin në një kaos total. Këtë plan të tij shpëtimi, duket se e ka kuptuar edhe Lulzim Basha, i cili në daljen e jashtëzakonshme të mbrëmjen e vonë të së martës, u bëri thirrje qytetarëve opozitarë dhe gjithë shqiptarëve që të vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur, por të mos bien në kurthin e përplasjeve të dhunshme.

Duket qartë edhe nga psikika dhe mesazhet që përcjell se, Edi Rama, së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë mbetur të rrethuar nga shumica e Shqipërisë, pa asnjë rrugë daljeje, në kështjellën e mbushur me kontrata korruptive dhe kriminale të vulosura prej tyre në këto 6 vite. Pas qëndresës së Lulzim Bashës, ai tashmë e di se dështoi që të marrë amnisti politike. Zëra diplomatikë po konfirmojnë njëkohësisht se së fundmi atij i është refuzuar, edhe nga qendrat e rëndësishme ndërkombëtare, vetë-ofrimi tjetër; imuniteti kriminal.

Prandaj jemi në pikë kur askush nuk ka pse të bëjë pyetjet habitore; Përse Rama këmbëngul si ‘idiot’, për një datë zgjedhjesh lokale; Përse nuk distancohet as nga Keshi i Dibrës e jo më nga Vangjush Dako e Damian Gjiknuri; Përse nuk i fut ca zgjedhje të parakohshme dhe ndoshta fiton prapë, apo të iki `me nder`; Përse nuk vepron të paktën si me situatën e studentëve dhe të përmbysë qeverinë, sa për të fituar kohë?!

Sepse nuk mundet më; është peng i zullumeve të vetes, ‘biznesit të ashtuquajtur ‘i madh’, i Tahirit, Gjiknurit, Dakos, Ballës, Rrajës…madje edhe i Keshit të Dibrës.

Prandaj atij i ka mbetur vetëm një plan: Të simulojë një ‘tërmet’ të madh në Shqipëri, i cili do të rrafshonte gjithçka. Mbi të gjitha kështjellën ku ka mbetur rob, e mbahet peng njëkohësisht.

Shumëkush mund ta hedhë poshtë fare lehtë këtë shkrim duke nxjerrë përballë faktorin ndërkombëtarët, i cili nuk do ta lejonin kurrë këtë situatë në një vend të NATO-s. Ndoshta mund të ketë një ndërhyrje në minutë të fundit, por gjasat duken se më shumë se për këtë, ata më shumë po mendojnë për një operacion rindërtimi, se sa për një plan shpëtimi.

Gjithsesi, po flasim për Ramën dhe planin e tij të ‘pikës Zero’. Sepse vetëm ai i ka mbetur, vetëm kështu, pra kur gjithçka të jetë rrafsh e të gjithë të bëhen ‘njësoj’, ai do të fitonte amnistinë për pasuritë e mëdha të bëra me punë të jashtëligjshme e të zeza dhe ndoshta- ndoshta,  do të kishte edhe ndonjë fije shprese, që edhe të merrte pjesë në rindërtimin e demokracisë e të shtetit shqiptarë.

Por vetëm duke nisur nga ‘Pika ZERO’, ku po çon me shpejtësi Shqipërinë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here