Standard.al

Mësuesi, hajdut votash apo model i së ardhmes për fëmijët?

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Mësuesi ka qenë një figurë e rëndësishme në historinë e shqiptarëve, prej kohëve kur ky profesion u njoh ndër ta. Me figurën e mësuesit, identifikoheshin ndershmëria, sinqeriteti, dija, urtësia, pra një model për fëmijët që ai mësonte, por edhe për komunitetin ku jetonte. Shqiptarët e thërrisnin plot respekt zotni mësues. Ai ishte i pari në krye të odës, në të mirë e në të keq. Me të këshilloheshin të gjithë, ai shkruante letrat për mërgimtarët, të afërmit dhe për qeverinë, sa herë që njerëzit që kishin nevojë. U rritëm dhe u mbrujtëm me faktin që mësuesi është prind i dytë. Dhe sigurisht, prindërit tanë kanë bërë gjënë e duhur në këtë drejtim.

Por a është mësuesi ai që kemi njohur apo përshkruar më lart, sot në ditët tona?

Për fat të keq jo. Mësuesi është një figurë e rrënuar, e bjerrur e leckosur, e telendisur dhe e rraskapitur në të gjitha pikëpamjet. Mësuesi është i varfër materialisht, shpirtërisht, moralisht dhe në pikën më të ulët të pozitës që ai zë në shoqërinë shqiptare. Pas vitit 1990, për arsye ekonomike më së shumti, por edhe për arsye të dëshpërimit për pozitën që zinin, shumë mësues emigruan. Prej vitit 2002, filloi një vëmendje më e madhe për mësuesin, ndërsa vitet 2005-2013, shënuan një rritje të pagës por edhe kushteve të punës, të cilat shtuan besimin se mësuesi do të mund të zinte vendin që tradicionalisht i takon në shoqërinë tonë. Por pas 2013, për fat të keq, mësuesi mbeti i harruar, nuk u prill më, u nëpërkëmb e për më tepër u keqpërdorur për tekat e pushtetit. Mjafton të dëgjosh tonin me të cilin flet një deputet, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe drejtuesi më i lartë i arsimit në qarkun e Dibrës dhe e ke kuptuar fare mirë se si përdoren mësuesit nga pushtetit në interes të tij. Mësuesin mund ta shash nga robt, nga nëna, nga gruaja, nga gjithçka, e madje mund ta fluturosh ditën e hënë nga puna. E përse? Mos vallë nuk mëson mirë fëmijët? Nuk ka performancë të mirë, në mësimdhënie? Godet, thyen, ofendon, tall, kërcënon nxënësit e tij? Jo. Fluturon të hënën për faktin se, nuk ka deklaruar haptazi votën, për Partinë e Pjerin Ndreut, Drini Gjeçit, Artan Gaçi, Damian Gjiknuri e shumë të tjerë. Dikush mund të thotë: E pse bërtet kot kështu ka ndodhur edhe më parë. Mundet. Por na duhen prova dhe jo llafe pazari e kafeneje. Ata që vendosin shenjën e barazimit, e bëjnë jo se kanë ndonjë prova, por kanë frikë të jenë vetëm me një anë, edhe kur njëra palë ose tjetra kanë me vete të vërtetën të zbardhur në dritë të diellit. Par mësues i dashur, duhet medoemos të kujdessh për Partinë, jo për shkollën, dijen, nxënësit, komunitetin ku jeton. Jo në asnjë mënyrë. Kudo qofsh në Reç, Zall-Dardhë, Trebisht, Ostren, Maqellarë, Sinjë e deri në Kotë, Kurvelesh, Kudhës, etj. ti duhet të jesh në ballë të fushatës.

A është kjo një sjellje e rastësishme apo një strategji e qeverisë për rrënimin e figurës së mësuesit?

Padyshim që është një strategji. Pa mendoni vetëm një çast një deklaratë të Kryeministrit Rama,  me rastin e përgjimeve të para. Cila ishte përgjigjja e tij: “Më kanë vonë në gojë fjali të mësuesit të natës, pa arsim dhe madje jashtë profilit përkatës”.  Pra për të mbrojtur alibinë e tij e tij, se përgjimi ishte i falsifikuar e për më tepër e një niveli të ulët intelektual, si shembull Kryeministri i Shqipërisë, mori si shembull mësuesin e shkollës së natës. Për dijeni të Komandantit, mësuesit e natës ishin po aq të zgjedhur sa ata të shkollës së ditës e në shumë ishin të njëjtit, pra mësues të një kualiteti shumë të lartë, brenda profilit përkatës dhe goxha të arsimuar. Por Kryeministri duket se nuk e vret mendjen shumë për këtë fakt. Armik i botës akademike dhe dijes, arsimit dhe kulturës, e rëndësishme është që Kryeministri, të krahasoj nivelin më të ulët të shoqërisë sonë me mësuesin. Në gjurmët e tij, deputetët dhe drejtuesve të arsimit në nivel lokal, s’u mbetet gjë tjetër veçse ti shajnë nga robtë e shtëpisë e ti quajnë gay, nëse ata nuk votojnë PS. Këtë e bëjnë pa asnjë hezitim, madje e pranojnë vetë, plot mburrje që kanë folur, instruktuar e shantazhuar mësuesit e drejtorët e shkollave, por kjo ka ndodhur, për faktin se ata nuk janë qytetarë në këtë rast, por anëtarë të PS!?

A mund të quajmë mësuesin model për fëmijët, apo një hajdut të rëndomtë votash?

Deri tani mendoja se mësuesi kishte kaluar në tre faza nga evolucioni në regres: Prej periudhës së rilindësve të shek. XIX, e deri në vitin 19560 ( edhe pak më shumë) ai quhej zotni mësues, pas viteve 60’të të shek. XX, u bë shoku mësues dhe me fillimin e Rilindjes së shek. XXI, u bë mender më mësues. Ndërsa ky proces duket se u thella edhe më tej në 2018-2019. Për fatin e keq të gjithë shoqërisë sonë, ai, mësuesi, tani mund të identifikohet fare mirë me hajdutin e votave apo me zarin e qeverisë. Kjo është fare e qartë. Ish-Ministrja Nikolla nuk foli asnjë fjalë, për leckosjen dhe denigrimin e drejtuesve më të lartë të arsimit në qarkun Dibër, prej kolegut të saj dhe njeriut për të cilin ajo po bënë një fushatë intensive në Lezhë. Ministrja Shahini po ashtu nuk e quan paska të rëndë fakti se mësuesit përdhosen në këtë mënyrë, drejtorëve të shkollës, u punohej qindi dhe ata me zë të dridhur i përgjigjen shefave të arsimit se do të bëjnë të pamundur të nxjerrin faqebardhë Partinë Socialiste, duke nxirë figurën e tyre, atë të misionarit të dijes. Sigurisht që prej Kryeministrit nuk është se presim ndonjë gjë të madhe, për sa kohë ai i ka si etalon të injorancës, njerëzve që nuk lidhin dy fjalë, e që janë jashtë profilit, nënkupto edhe jashtë kohe. Tani mbetet që mësuesit të mbrojnë veten dhe shoqëria t’i mbështesë fort. A mund të arrihet kjo në kushtet e vendit tonë? Unë ende shpresoj, që mësuesit së bashku, pa asnjë dallim dhe emër të dinjiteti, profesionalizmit dhe integritetit, do të dalin në rrugë dhe të protestojnë me zë të fuqishëm, me grushte dhe çdo lloj mjeti, për tu dëgjuar njëherë e mirë, se ata janë këtu, nuk janë nënshtruar dhe askush nuk mund t’i përdori. Nëse ulin qafën edhe kësaj radhe, shanset e përparimit të kombit tonë janë thuajse minimale. Nuk do të duhet shumë kohë që shpirti, urtia dhe dija, të përcillen për në banesën e fundit, nga ku nuk do të kthehen për një kohë të gjatë e ndoshta përgjithmonë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.