Standard.al

“Do jesh ti kurbani”, Agron Duka mesazh të fortë Ramës: I dashur Edi…Reflekto robo, je ende në kohë për të bërë gjënë e duhur

0

Kreu i PAA-së, Agron Duka i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon që të reflektojë në kohë, pasi sipas tij, situata po shkon drejt një përplasjeje të pashmangshme.

Ai mes tjerash i kujton kryeministrit të vendit edhe paraardhësit e tij, ndërsa thotë se ata kanë “braktisur” edhe pushtetin për t’i shërbyer stabilitetit dhe paqes sociale mes qytetarëve.

Postimi i Dukës: 

I dashur Edi,

Ndryshe nga ty, nuk kam qenë kurrë i aftë të ndaj politikën nga miqësia, por, ashtu si ty, nuk kam bërë ndonjëherë politikë me dimensionin privat të miqve apo kundërshtarëve. Sot po e thyej këtë rregull dhe po të shkruaj si mik, si një person me të cilin më ka lidhur jo vetëm puna por edhe momente jete.

Nuk di nëse po të keqkëshillojnë apo nëse pushteti të ka hequr aftësinë për të parë qartë atë që po ndodh; por më lejo të të them se je bërë i mirë i botës, të paktën i atyre që të rrethojnë sepse nga ty varen privilegjet dhe suksesi që gëzojnë, dhe i keqi i vetes.

Situata në vend po përkeqësohet nga ora në orë, dhe tashmë përplasja duket e pashmangshme. Paraardhësit e tu, pa asnjë përjashtim, janë ndodhur përballë mundësisë së humbjes së pushtetit. Megjithatë, Nano, Meta, Berisha, në mënyrat e tyre, kanë ditur të bëjnë një hap pas. Për këtë arsye, qytetarët janë treguar bujar me ta, edhe kur kanë gabuar, madje u kanë dhënë besimin për t’i qeverisur sërishmi.

Nuk është turp të tërhiqesh dhe nuk ka asnjë lavdi në mbajtjen e pushtetit me çdo mjet. Sepse e vetmja gjë që të përket është familja jote dhe nderi yt, gjithë të tjerat janë të përkohshme dhe mbi të gjitha janë të shqiptarëve. Herët apo vonë do të duhet t’i dorëzosh, veçse mënyra se si e bën këtë dorëzim do të jetë domethënëse për interesin e vendit.
Nëse vazhdon kështu, kam frik se do të jesh ti vetë kurbani që lips fundi i tranzicionit. Bëj që kurban të bëhet pushteti yt, jo ti, jo vendi ynë.

Reflekto robo, je ende në kohë për të bërë gjënë e duhur. Goni

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.