Standard.al

Miliardat e fundit, Rama nxiton të bëjë fakt të kryer koncesionin skandaloz Milot-Balldren!

0

Edhe pse vetë Edi Rama dhe Rilindja në pushtet janë në hall të madh, pas skandaleve të shumta që ju kanë ngelur në derë dhe veçanërisht për përgjimet e fundit të ‘BILD’, kur vjen puna për ‘të bërë para’ e vazhdojnë punën normalisht.

Kështu, pavarësisht nga faktet e rënda që tregojnë një skemë të pastër korrupsioni si dhe kundërshtimit të fortë të opozitës, mazhoranca ka vazhduar të ecë përpara me koncesionin e paprecedentë abuziv, të ndërtimit të rrugës, Milot- Balldren.

Bëhet fjalë për një rrugë fushore vetëm 17 kilometra, për të cilën qeveria Rama, do paguajë plot 213 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.

Edhe pse gati të gjithë specialistët e fushës e kanë cilësuar këtë projekt, një skemë mafioze që qeveria ‘Rama’ po aplikon për të favorizuar klientët e vetë, ditën e sotme Komisioni i Ekonomisë në Kuvend, e ka miratuar koncesionin skandaloz me vetëm votat e Rilindjes.

Koncesioni që prodhon miliarda

Për garën e këtij koncensioni ka pasur një garë formale. Në tetor është shpallur tenderi dhe tenderi i parë ishte në vlerën 161 mln euro. Pas shpalljes së tenderit të parë ka pasur një rinegociim pa garë. Një praktikë që nuk ndodh në Shqipëri, që nuk është e mbështetur në asnjë lloj ligji.

Në mënyrë të papritur, kur doli kontrata, u pa që ishte rritur 213 milionë euro, sepse aty thuhej se ishte rinegociuar për interesat dhe mbi kapitalin 140 mln euro do paguhet 5% interes. Ky është elementi i parë që këtu nuk ka pasur asnjë lloj gare, asnjë lloj transparence. Duhet ta shohin organet nëse është e ligjshme apo jo.

‘Elementi i dytë tek mënyra e financimit, unë shoh dy gjëra, një skemë piramidale dhe një skemë tjetër mafioze. Në qoftë se do flasim për skemën piramidale e kompanisë, është shumë e qartë që kompania nuk ka para. Pasuria e kompanisë, duke përfshirë kapitalin, nëse shet çdo gjë, është diku tek 16 milionë euro. Kompania do marrë kredi, që jepet me garanci shtetërore, se asnjë bankë nuk i jep kredi kësaj kompanie.

Në dy vitet e para, kompania do punojë me para që nuk i ka të vetat. Kredia po merret në emër të shtetit, është sikur ta ketë marrë shteti, por po e merr me 5.5%. Skema tjetër mafioze, është që futen furnitorët dhe është e qartë që këta persona do të marrin për 13 vjet pesëfishin e investimit, që është një investim goxha i mirë’, do të shpjegonte pak ditë më parë kryeredaktorja e Revistës ‘Monitor’, Ornela Liperi.

PD-LSI për rrugën Milot-Balldren: Po vidhet me koncesion!

Tre javë më parë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pothuajse në një kohë denoncuan si abuziv një nga koncesionet e reja për ndërtimin e rrugëve. Ish-deputeti Agron Shehaj denoncoi shifrat për koncesionin e rrugës Milot-Balldren.

‘Kontrata e koncensionit të rrugës Milot-Balldren është kontratë mashtruese. Kompania ANK ka marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, kur ka vetëm 4 milionë euro kapital. Kompania ka premtuar që me ketë kapital minimal do të marrë edhe 70 milionë euro të tjera kredi nga bankat dhe 19,5 milionë euro financim nga furnitorët (!). Ose ANK ka fryrë kostot në një skemë tipike korrupsioni, ose do pastrojë para të pista në këtë projekt, ose të dyja bashkë. Një gjë është e sigurt: kompania nuk e ka kapitalin për të cilin ka mashtruar në kontratë dhe ky mashtrim duhet hetuar menjëherë’, tha Shehaj.

Ndërsa numri dy i LSI-së, Petrit Vasili, ishte edhe më i ashpër.

‘Sa vidhet të nderuar qytetarë? Vidhet në mënyrë çnjerëzore. Rruga Milot – Balldren që lidh dy funde rrugësh. Rruga e ka çmimin 15 milionë euro kilometrin. Një shtesë rruge fushore nga Orikumi në Dukat e ka çmimin mbi 5 milionë euro. Të nderuar qytetarë, që ju të kuptoni më mirë sesa vjedhin këta, pra e kuptoni 15 milionë euro ishte ajo rruga Milot Balldren atje në fund’, tha Vasili.

Vasili merr si shembull rrugën Fier-Vlorë, me 4 korsi, me ura, me një asfaltim të nivelit europian e cila kushtoi 2 milionë euro për kilometër.

‘Brenda 10 ditëve dhurata e tmerrshme që iu ka lënë mbi kurriz qeveria ju të tërëve, është një dhuratë e cila shkon jo më pak sesa afër 400 milionë euro të cilat di paguhen nga xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë’, tha ai.

Kontrata e PPP, 213 mln euro! 8 vite mirëmbajtje, do ndërtohen 2 ura e 1 tunel

Punimet për ndërtimin e aksit Milot-Balldren, do të zgjatin 4.5 vite. Gjithçka përcaktohet në kontratën e partneritetit publik-privat për këtë segment, që tashmë është miratuar në qeveri dhe pret ndezjen e dritës jeshile nga parlamenti.

Lidhur me detajet e kontratës me vlerë 213 milion euro, ajo ka një kohëzgjatje 13-vjeçare, ku përveç 4.5 vjet ndërtim, përfshihen edhe 8 vjet mirëmbajtje.

Në kontratën e propozuar nga qeveria për miratim, përshkruhet ndërtimi i një rruge prej 17.263 km, e cila shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një tuneli  me dy tuba në malin e Rencit.

Gjithashtu, pjesë e veprës janë edhe 2 ura: ajo e Matit dhe e Drinit me gjatësi 620 dhe 223 metra secila. Gjithashtu,  në kontratë propozohet ndërtimi në total i 9,500 m rrugë dytësore dhe rrugë lidhëse të nyjeve për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e banorëve të kësaj zone. Ndërtimi i këtij aksi të ri rrugor, nga nyja e rrethrrotullimit të Lezhës deri në hyrjen e tunelit në Balldren, kalon përmes kënetës së Kune-Vainit, ndërkohë që ajo klasifikohet e kategorisë autostradë A, me 2 korsi kalimi dhe 1 korsi emergjence.

Në relacionin që shoqëron kontratën e propzuar në Kuvend ndërtimi i këtij aksi konsiderohet i një rëndësie të veçantë, duke qenë se zona ka potencial të lartë turistik. Megjithatë, ajo që vlen të theksohet se kompania koncesionare ‘ANK shpk’ dhe shoqëria koncesionare  e krijuar ‘Bardh Konstruksion’ nuk disponojnë të gjithë kapitalin e  nevojshëm për të realizuar investimin.

Për këtë arsye, struktura e financimit për këtë vepër parashikon marrjen e një huaje bankare prej 70 milion euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare dhe do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor.

Financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro. Sipas propozimit të rishikuar financiar, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%.

Rrugët dytësore dhe lidhëse ku do ndërhyhet

Zgjerim i segmentit Nyja Fushë Milot-Ura e Matit (L = 1375 m)

Zgjerim i segmentit Ura e Matit-Nyja Shën Kollë – Zejmen (L = 1250 m)

Zgjerim i segmentit Nyja Shën Kollë-Nyja Ishull Lezhë-Rrile (L = 6250 m) Zgjerim i segmentit Nyja Ishull Lezhë_Rrile-Ura Lumi Drin (L = 2025 m)

Zgjerim i segmentit Ura Lumi Drin-Nyja e Lezhës e rrugë sekondare (L =  1300 m)

Ndërtimi i segmentit -Nyja e Lezhës – Hyrja e Tunelit (L = 2325 m)

Ndërtimi i segmentit – Ndërtimi i tunelit (L = 1025 m)

Ndërtimi i segmentit -Dalja e tunelit-Lidhja me rrugën ekzistuese Balldren (L = 788.75 m)

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.