Standard.al

Lojërat II Olimpike Europiane/ Presidenti Meta i dorëzon Flamurin Kombëtar ekipit përfaqësues shqiptar

0

Presidenti Meta i dorëzon Flamurin Kombëtar ekipit përfaqësues shqiptar pjesëmarrës në Lojërat II Olimpike Europiane “Minsk 2019”: Forca dhe suksese!

17 qershor 2019

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i dorëzoi sot gjatë një ceremonie solemne, Flamurin Kombëtar, ekipit dhe delegacionit zyrtar, që do të marrë pjesë dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat II Olimpike Europiane “Minsk 2019”, të cilat do të zhvillohen në Bjellorusi nga data 21 deri më 30 qershor 2019.

Presidenti Meta duke iu drejtuar me një fjalë përshëndetëse atletëve shqiptarë, të cilët do të garojnë në disiplina të ndryshme si boks, çiklizëm, mundje, xhudo dhe qitje, theksoi në këto Lojëra Olimpike Europiane ekipi ynë kombëtar i zotëron mundësitë, talentin, pasionin për sportin dhe përkushtimin ndaj ngjyrave kuq e zi që të arrijë rezultate pozitive.

“Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’iu dorëzoj sot Flamurin, me bindjen se ju jeni më të mirët për ta ngritur atë sa më lart në këto Lojra mjaft të rëndësishme. Jemi që të gjithë krenarë për punën tuaj, për talentin dhe shpirtin tuaj të garës dhe ju uroj suksese pasi ky është flamuri që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Sporti ka treguar e ka ditur në momente të rëndësishme të ngrejë lart ndjenjën kombëtare përmes sukseseve dhe arritjeve, që nuk na kanë munguar dhe të cilat mezi po i presim tani në Bjellorusi.

Shpresojmë t’ju takojmë edhe pas kësaj ngjarjeje të madhe për të festuar arritjet tuaja. Forca dhe suksese!” – iu drejtua Presidenti Meta sportistëve shqiptarë, duke i falënderuar ata, trajnerët dhe të gjitha institucionet e sportit.

Presidenti i Republikës i dorëzoi Flamurin Kombëtar boksierit Krenar Zeneli, flamurmbajtësit të ekipit përfaqësues olimpik europian të sportistëve shqiptarë, që do të parakalojnë në Minsk.

 

“Ndihem shumë i nderuar që do të jem unë flamurmbajtësi në këtë veprimtari madhështore. Shpresojmë që t’i sjellim sa më shumë medalje vendit tonë dhe ta nderojmë në podiumin e Europës.” –  u zotua boksieri Zeneli, në emër të të gjithë Ekipit Olimpik Shqiptar.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.