Marta Biba: “Unë motra e Bardhok Bibës që vuajta burgjeve bashkë me katër djemtë e mi”

0
167

Madje jo vetëm kaq, por po t’i kishte bërë sado pak “duva” atij pushteti, do kishte përfituar shumë e shumë lavdi e privilegje, po të kemi parasysh edhe faktin se; personalisht Enver Hoxha do të shkonte disa herë për vizitë në shtëpinë e Bardhok Bibës në Rrëshen, do të çonte djalin e tij me nusen (Ilirin me Teutën) te dasma e Marie Bibës, (madje edhe me dhurata), të cilën e ftonte edhe në Tiranë në raste festash, përvjetorësh, apo Kongrese, si p.sh. në Kongresin e 8-të të PPSH-së, ku në Pallatin e Brigadave, vetë Enveri do t’ia merrte valles me Marien, duke iu thënë me mburrje delegatëve të tjerë: “E kam vajzën e shokut tim të luftës”?! Gjëra të cilat “shoku Enver”, nuk i kishte bërë kurrë me asnjë prej figurave kryesore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe emblematike të propagandës e historiografisë së regjimit komunist, si p.sh. Qemal Stafa, Vojo Kushi, Vasil Shanto, Misto Mame, Alqi Kondi, Vasil Laçi etj. etj., shokë e bashkëpunëtorë të afërt të tij që i kishin familjet në Tiranë?!

Por Marte Biba Doçi duket se as ka dashur t’ia dijë fare për këto gjëra dhe me vetëdije të plotë ajo dhe familja e saj nuk pranoi asgjë nga ai pushtet, asnjë nga privilegjet që u bëheshin familjeve të dëshmorëve, apo e Heronjve të Popullit, siç ishte i vëllai i saj, Bardhok Biba?! Madje ajo zgjodhi të kundërtën, duke e kundërshtuar politikën e atij regjimi bash në një nga pikat kryesore të reformave me të cilën mburrej ai regjim, te “kolektivizimi i fshatarësisë”, pasi Martja me familje e saj nuk pranuan kurrë që të hynin në kooperativë.

Gjë për të cilën do të kishin pasoja të rënda, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve të atij regjimi për vite me radhë. Dhe si për t’i qëndruar konseguente deri në fund bindjeve dhe traditës së familjes të saj, ashtu siç i takonte një “bijë që rridhte nga familja e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit”, Martja shkoi e vetëdijshme në burg, duke mos pranuar të firmoste në gjyq një dokument ku thuhej se “ishte e dalme mëndsh”, gjë e cila nuk qëndronte dhe ishte një kompromis që pushteti i asaj kohe kërkonte ta bënte jo për të shpëtuar Marten, por për veten, që të mos diskreditohej nga “njerëzit e vet”, siç konsiderohej dhe ishte familja e Bardhok Bibës.

Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e saj, 98-vjeçarja Marte Biba Doçi me një memorie brilante dhe shëndet fizik si jo më mirë, na i rrëfen për herë të parë dhe ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”, intervistë të cilën po e publikojmë pa i ndryshuar asgjë dhe, gjithashtu, në dialektin e saj.

Znj. Marte, si e kujtoni Bardhokun e vogël?

Bardhokun po e mbaj, ishte djalë i shoqnueshëm, djal mos me tanu (ngacmu) njeri, djal i dashtun me t’gjith, me heq kafshatën e gojës veç me e hangër shoqi, djal që s’fliste kush një fjalëtë keqe për të.

Ku u shkollua Bardhoku?

Në Konvikt të Oroshit dhe në Shkodër. Me halle se nuk kishim asnjeri në punë, se atëherë nuk kishim asnjë përkrahje…

Si e mbani mënd familjen tuaj në periudhën e para Luftës?

Na ka pa internu Nemcja, (flet për periudhën e Austro- Hungarisë. Shënimi ynë. D.K.), na ka pa djeg konaqet, na ka pa ba të 99-at…

Sa vetë bëheshit në familjen tuaj në atë kohë?

Baba, Biba, nana më vdiq, vëllaznit ishin të vogël, pas meje të dy, motra tjetër…. Bardhokut i patën vra vëllanë, Markun, 18 vjeç. I patën djeg shtëpiat tre katëshe, të Kol Marka Kolës dhe dy katëshe të Bib Marka Kolës, të axhës dhe të babës dhe vranë Marka Bibën, dorzohu, dorëzohu dhe s’u dorzu. E kan pas rrethu me 50 burra dhe s’u dorzu, për arsye se do ta vritshin herën e fundit.

Po Bardhoku ku ishte në atë kohë?

Bardhok Biba ishte në mal dhe u lidh me një parti andej nga Bashkimi Sovjetik thanë…., edhe erdh me Partinë Komuniste. Atëherë kur ky u lidh me Partinë Komuniste, thanë humbi Bardhok Biba…, s’dijshim se ku është. Kishte pas shkue në Bashkimin Sovjetik me shokë, kështu thojshin atëhere. Erdh atëhere me shokë dhe kta shokt e vet e zgjodhën deputet dhe i pari i Partisë së vet ktu n’Mirditë.

Familja juaj ishte nga dera e Kapidanit të Oroshit, pra kushërinj me Gjonmarkajt, si e pritën ata faktin se Bardhoku u lidh me Partinë Komuniste?

Kapidanit (Gjon Marka Gjonit) i erdh keq se Bardhok Biba u lidh me Partinë Komuniste.

Si e kujton atë ditë të vrasjes së vëllait tuaj, Bardhokut?

Vrasjen, po, e kujtoj shumë mirë. I erdh një lajm me dalë në Qafë të Valmerit, me mbledhun shok e shoqe me i dërgu në punë, në Maliq të Korçës më duket. I thotë kjo e shoqja, Mrika, jam duke larë rrobat. Kishte nxjerr një kazan të madh dhe kështu punësh….I thotë mblidhi rrobat dhe qiti mbrenda se më ka ardh një lajm, se duhet të jem në filan vënd patjetër. Kurse Mrika ia kthej: “Pash-zotin or Bardhok, i thotë Mrika, na ndave me këtë plak dhe me këtë vajzë, mos…” “S’jam duke të ndarë moj…”, ia ktheu Bardhoku. Po Mrika sikur ta paranjente dhe vazhdoi tuj e kundërshtu: “Përzotin jan duke të vra….Do të kallxoj një andërr i thotë…”Po Bardhoku s’e la me fol ma, çohu i tha….po shkojm…

Pra, Bardhokun e njoftuan se duhet të shkonte për një punë partie…?

Po, po, ashtu i tha dhe Mrikës: “Më ka ardh një lajm se duhet me mbledh njerz e me i dërgu në Maliq të Korçës”, ku u bante panxhari, me mbledh puntori. I thanë në telefon: “Bardhok, hajde vetë, se nuk na mblidhen njerzit me i dërgu kund”. U çua dhe shkoj vetë në Qafë të Valmirit, me u sqaru me njerzit…! Ju shkoj në gojë…, ku kishin ardhur diversantat, ra me parashutë kushedi se sa ditë e kohë përpara…!/Dashnor Kaloçi

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here