“Çfarë i mban të squllur këta”, Fuga: Shqipëria në udhë pa krye, kur do flasë Akademia e Shkencave?!

0
90
Artan Fuga, gjate nje takimi te "Forumit per Liri dhe Demokraci", ne hotel Tirana./r/n/r/nArtan Fuga, during a meeting of the "Forum for Freedom and Democracy", in Tirana hotel.

Nga Artan Fuga:

Dr. Elvin Luku

Pedagog në Universitetin Aleksandër Moisiu,
Durrës
———————————-
Shqipëria në udhë pa krye: kur do flasë Akademia e Shkencave?!

Kreu i shtetit firmos dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve me arsyetimin e rrezikut të një konflikti, ndërsa maxhoranca nis zyrtarisht mocionin për debat në Kuvend, ku pasi të arsyetohet shkelja e Kushtetutës nga ana e Presidentit do të ndërmerren hapa për shkarkimin e tij.

Kjo përplasje institucionale vjen në një kohë kur Kuvendi është braktisur prej muajsh nga partitë opozitare; maxhoranca ndodhet përballë një “tërmeti” audio-përgjimesh të publikuara nga mediat e huaja si “Zëri Amerikës” dhe “Bild” për tentativë manipulimi të votave; Reforma në Drejtësi, aq shumë e mirëpritur nga të gjithë, ka sjellë mosfunksionim për një kohë të gjatë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë; vendi ndodhet nën ankthin e protestave herë paqësore e herë të dhunshme, që pasuan revoltën e studentëve, ndërsa vazhdimisht në media, sa më shumë afrohej data e zgjedhjeve, artikulohej drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë rreziku për një përplasje civile…

Pavarësisht ngjyrave dhe bindjeve politike të gjithsecilit, ajo që bashkon të gjitha palët, qofshin këta politikanë, anëtarë partie, intelektualë, ndërkombëtarë, media apo qytetarë të thjeshtë është një krizë shumëplanëshe, pikësëpari, në sistemin zgjedhor, sistemin politik e atë të drejtësisë, pra, me pak fjalë, një krizë e qenësishme demokracie.

Arsyet janë të shumta, sigurisht, dhe, si media, politika, por dhe ndërkombëtarët mbajnë qëndrime fajësuese herë për njërën palë e herë për tjetrën.

Por ajo që e artikulon pakkush dhe që përbën origjinën e këtij problemi është se kriza e demokracisë, ku ndodhet sot vendi është, pikësëpari, kriza e mendimit, intelektit shqiptar, elitës së kërkuesve dhe vizionarëve të shtetit, kombit dhe brezave: Akademisë së Shkencave!

Për muaj me radhë, institucionet kushtetuese të shtetit kanë humbur një e nga një gjymtyrët e saj dhe kurdoherë Akademia e Shkencave ka mbyllur sytë, veshët dhe gojën!

Ka heshtur!

Dhe tani, kur organet e mbetura të shtetit “kafshojnë” njëri-tjetrin për të mbijetuar dhe ankthi i qytetarëve sa vjen e rritet për shkak të një rreziku për destabilitet, Akademia e Shkencave, tashmë me një politikan-kryetar, sërish, vijon të heshtë!

Ndaj pyetja, që anëtarët e Akademisë së Shkencave e kanë detyrim t’i përgjigjen, jo vetëm moralisht, apo për rolin që akademiku ka dhe duhet të ketë në shoqëri, por dhe ligjërisht, në kuadër të parimit të transparencës përballë taksapaguesve që mbajnë në këmbë këtë agjenci të kërkimit dhe mendimit shkencor, është: kur do flisni?!

Cila është ekspertiza shkencore e Akademisë së Shkencave për arsyet e kësaj krize? Çfarë pozicioni mbajnë për qëndrimin e Presidentit? Po për atë të maxhorancës për shkarkimin e Presidentit? A kanë një analizë për shkaqet që çuan në mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe cilat janë rekomandimet e tyre për rikuperimin sa më të shpejtë të këtij institucioni? Po për Gjykatën e Lartë? A është funksional Parlamenti, sipas ekspertizës së tyre, pas dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës? A ka, sipas tyre, probleme me sistemin zgjedhor dhe çfarë rekomandon Akademia e Shkencave për një përfaqësim sa më të gjerë dhe të drejtë të qytetarëve?… për të vijuar më tej me qëndrime, qoftë dhe individuale të akademikëve mbi qeverisjen, përgjimet, kulturën demokratike, arsimin, rendin, shëndetësinë, etj…

E kush më mirë sesa ajo që presupozohet të jetë elita jopolitike, por teknike e mendimit shqiptar mund të japë një ekspertizë më të saktë?

Atëherë, pse hesht Akademia e Shkencave?! Kur do flasë profesori i jurisprudencës, bashkëthemeluesi i fundit i ASH-së, për fat, ende në jetë, akademik Luan Omari? Po shkrimtari Ismail Kadare? Po profesor Korkuti si anëtar i përhershëm i Akademisë? Po 33 akademikët, anëtarë të Asamblesë dhe ata të asociuar, pse nuk flasin?!

Pse dhe të vetmin akademik, që është shprehur dhe vazhdon të shprehet në publik për këto kriza të mëdha, e veçanërisht për atë të ASH-së, grupi reformator që zgjodhi një kryesi pa garë, e shpalli në publik si “armikun” e Akademisë së Shkencave?

Çfarë i mban të squllur këta emra të mëdhenj të dijes dhe kulturës shqiptare?!

Mos ndoshta është mungesa e lirisë, mos është konflikti i interesit apo “sëmundja” e intelektualit shqiptar, që mbahet fort pas pragmatizmit të “qengjit të mirë që kërkon të miklojë shumë nëna”?!

Ndoshta ka arsye të tjera, por misterin e kësaj shurdhëmemecërie vetëm akademikët mund ta qartësojnë për opinionin publik.

Sakaq, ky gjumë letargjik i Akademisë së Shkencave është paralajmëruar për vite me radhë, ndërsa është kërkuar reforma reale e saj, e cila, edhe këtë herë, po përfundon si një pseudoreformë.

Por, dielli nuk mbulohet me shoshë, – thotë populli!

Krizat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore janë, pikësëpari, krizë e mendimit dhe vizionit të Akademisë së Shkencave për ta parashikuar dhe paralajmëruar me parametra shkencorë atë në kohë.

Kjo është arsyeja se pse në analizën e botuar më 23 maj në gazetën “Panorama”, një ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të kryesisë në Akademinë e Shkencave, që në titull, ndërsa krahasoja dy draftet për ASH-në, përcaktoja dy pikëpamjet si “Reforma Fuga” dhe “Antireforma Gjinushi”.

Ndërsa në platformën alternative të akademik Artan Fugës, një nga pikat kryesore që evidentohej, ndër të tjera, ishte dhe roli i akademikëve në debatet publike, ku shprehimisht kërkohej një qëndrim profesional i Akademisë së Shkencave, veçanërisht në situata apo kriza madhore, me të cilat përballej vendi, “Projektligji Gjinushi” zgjat gjumin letargjik të Akademisë, sikurse po ndodh aktualisht.

Jo vetëm kaq! Por në “Draftin Fuga”, ndryshe nga platforma rivale, parashikohej që Akademia e Shkencave të kishte një vizion afatgjatë për të orientuar me dekada prioritetet socio-kulturore, politike, ekonomike, teknologjike dhe jo e kundërta, ku politika vendos axhendën e Akademisë dhe jo vetëm.

Cila është sot, në kulmin e krizës shumëplanëshe që po kalon vendi prej muajsh, axhenda e Akademisë së Shkencave nën drejtimin e kryesinë e re që udhëhoqi dhe grupin reformues të institucionit?!

Mjaft t’i hedhim një sy faqes së Akademisë së Shkencave, ku gjejmë: 1. Panairi i 21-të i Librit, Prishtinë 2019; 2. Njoftimin e konferencës për media, ku kreu i Akademisë së Shkencave, sqaron zgjedhjen e tij si kryetar në ASH, kur në të njëjtën kohë KQZ, në fletën e votimin e liston z. Gjinushi si kreun e PSD-së; 3. Ceremonia e Çmimeve Vjetore Kombëtare 2018; 4. Letër urimi për kryesinë e zgjedhur nga Akademia e Shkencave të Kosovës; etj…

Asnjë fjalë, ekspertizë, takim, forum a konferencë për bllokimin institucional e pasigurinë sociale që po mbërthen vendin!

Ndoshta, kryesia e re e zgjedhur pa garë në Akademinë e Shkencave pret një status nga Kryeministri, i cili, ashtu si me studentët, t’u thotë: Kur do flasim?!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here