Po, përballë kam “ujqër”/ Klithma dëshpëruese e Naile Nelës: Kush dhe pse ma vrau Marion?

0
125

“Marion ma vranë pa faj… Nuk mundem t’ja fal vetes, që s’e shpëtova dot…Dua të vdes, të jem pranë tij”! Është kjo klithma dëshpëruese e Naile Nelës, nënës shpirtrazuar, të cilës një vrasës i pamëshirshëm i mori jetën e djalit të vetëm në pragun e shtëpisë. Ishte mbrëmje. 10 prill 2018. U dëgjuan katër krisma pistolete. Mario Majollari kishte mbetur i pajetë përdhe. Ishte qëlluar pas shpine, në pabesi. Aty, m’u në hyrjen e shtëpisë ku lindi dhe u rrit. Për Nailen e gjithë jeta e saj e trazuar ka ndalur në atë moment; tragjik për të. Një moment shkatërrues, që i “zbardhi” flokët, ia veshi trupin me të zeza dhe sytë ia përloti për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Një jetë të jetuar, me shumë mund, sakrifica, tradhti e pabesi.

Marjo Majollari(1)

E gjej Nailen të ulur në një lokal përballë gjykatës së Tiranës, një ditë pasi po brenda asaj godine të hirtë u shpall verdikti për pushimin e cështjes ndaj Kastriot Gjuzit, njeriut që akuzohej se i vrau të birin për motive gjakmarrje.

Se kisha takuar asnjëherë me parë, por më dha ndjesinë e një gruaje të hekurt, por që dhimbja për humbjen e Marios, ja kishte kërrusur shpatullat e përhumbur sytë. E gjeta, teksa vështronte e dëshpëruar godinën e drejtësisë, prej nga vetëm drejtësi nuk mori.

Mario Majollari 4

“Më vranë për së dyti. E liruan vrasësin e tim biri. Cfarë me mbetet mua tani? dua drejtësi. Me vjen të marr foton e Marios në duar, të ulëras. Ma tha qartë gjykatësi që kam të drejtën e apelimit, por a do mundem dot e vetme”, thotë Nailja, teksa fshin lotët e shtrëngon duart. Duket se ka nevojë të flasë, të rrëfejë historinë e saj, të ngjashme me atë të shumë nënave, që iu janë vrarë djemtë për gjakmarrje.

Ndalon një hop. Nuk mundet të mos flasë për Marion, për birin e vetem që e rriti mes sakrificash të pafundme, djali që sikurse ajo tregon u burrërua para kohe.

Mario Majollari, jetoi me frikë se një ditë do të vritej për motive gjakmarrje. Nuk ishte një frikë që lind nga asgjëja.

Ishte frika e një djali, babai i të cilit (Avni Majollari), kishte vrarë dy njerëz, mes tyre dhe dajën e tij (kushëririn e parë të nënës), kur ai ishte vetëm 8 vjec. Megjithatë saga e gjakmarrjes e përndoqi, derisa sa një mbrëmje prilli i preu jetën në lulen e rinisë.

Avni Majollari u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Ilir Gjuzit e Armando Neles, në vitin 2000 në zonën e Linzës, një ngjarje që asokohe tronditi Tiranën. Krimin e kreu dy vite pasi ishte ndarë me Nailen, me të cilën kishte dy fëmijë, Marion e Xhesin.

Avni Majollari, që dikur konsiderohej si një nga djemtë e “fortë” të Tiranës, vijon të jetë ende prapa qelive të burgut. Drejtësia e ka vulosur vendimin e saj, ai do vdesë aty; në qeli.

Por kjo se shpëtoi Marion nga saga e gjakmarrjes. Kështu tha të paktën zyrtarisht policia, kur shpalli në kërkim, Kastriot Gjuizin, vëllain e viktimës Ilir Gjuzi, kur ende nuk ishin mbushur as 12 orë nga ekzekutimi i 28-vjecarit.  Se Gjuzi e kishte vrarë të riun për motive gjakmarrje.

Mario

“Mario ishte 6 vjec, ndërsa vajza 2, kur u ndava nga Avniu. Dy vite më vonë, ai bëri vrasjet. Fëmijët se takuan kurrë. I rrita e vetme. Ai s’u kujdes kurrë për ta”, rrëfen mes ngashërimash Nailja.

Rrita një djalë të edukuar, që filloi punë kur ishte ende fëmijë. U bë shtylla jonë e fortë. Mbështetesha tek ai, për cdo gjë. Por, fati i keq deshi që Mario të paguante faje që si bëri kurrë.

“Nuk fle natën. Se fik më dritën që natën kur më vranë Marion. Dua të di ku gabova. Dua të gjej arsyen përse se shpëtova dot. Po kurrë se kam menduar se do ta preknin, sepse ai s’ka bërë kurrë faj në jetën e tij”, thotë gruaja.

Teksa flet, më ngjan krejt ndryshe, nga Nailja që kisha folur në telefon, kur më informoi se brenda pak ditësh do të ishte në gjykatë, për të “liruar” me bekimin e (pa)drejtësisë të dyshuarin për vrasjen e të birit.

Në telefon zëri ngjante më i prerë, i ftohtë, një zë i trishtuar. Aty përballë gjeta një nënë të “vrarë” njëherë e përgjithmonë, që rrëfen me një zë të vuajtur, që klith për drejtësi.

Ndalet një hop dhe kujton natën e zezë për të.

“Dola me Marion të bënim pazar. Kisha një javë që nuk kisha dalë nga shtëpia, sepse kisha temperaturë, një gjendje kllapie. Duket sikur zoti po më përgatiste për furtunën e madhe që më lëshiui. Mario më qëndroi te koka.  Më vinte kompresa në ballë, në kyce. Pastaj një moment me tha: “O gru hajde dalim”. Më thërriste o gru, sepse e shihte veten si burri i madh i shtëpisë. I tillë ishte Mario. Plot mirësi”, tregon e ëma.

Naile, përse ike përpara tij në shtëpi? – e pyes. Donte të shihte rezultatet e një ndeshje. Nuk dëgjova gjë. Se di as vetë përse se prita. Pak minuta më pas ulërimat e Xhesit më tronditën. “Ma kanë vrarë Marion”.  Mu duk se gjithcka mbaroi. “përse ma vranë Marion. Kush? Çfarë faji bëri im bir?”, e kam pyetur qindra herë veten. S’kam përgjigje. “U largova nga Shqipëria pak muaj pas vrasjes. Por nuk rrija dot larg. Më duket sikur e tradhtoja Marion. Sikur tradhtoja 4 plumbat që i morën jetën…”.

A kishte shfaqur frikë?– vijoj më tej. Mua sma tha asnjëherë. Por Xhesit po. I kishtë thënë se e ndiqnin nga pas. I kishte rrëfyer edhe emra. I frikësuar u largua në drejtim të një jete të re. Por u kthye nga Suedia, sepse institucionet tona, thanë se jeta e tij në Shqipëri ishte e sigurtë. Se dëgjoi askush thirrjen e tij për ndihmë.

Kur u kthye më tha, se njëra nga përkthyeset që ishte marrë me çështjen e tij në Suedi, nën zë i kishte thënë se e besonte historinë e tij, porse të tilla ishin rregullat. Ai erdhi, sepse nuk donte të penalizohej me lëvizjen e lirë.

Vrasja e Marios është pa autor, çfarë do të bësh tani? – Më vranë për së dyti. Do kërkoj të gjej të drejtën. Por ku? Në cilën gjykatë? Në cilën derë? Jam një nënë që kam të drejtë të di, përse ma vranë Marion? Sepse unë rrita një djalë që askujt si foli qoftë dhe një fjalë të ashpër.

Po, përballë kam “ujqër”. Unë e di që Marion ma vranë për gjakmarrje. Kam dyshime edhe tek kushërinjtë e mi. Edhe tek Gjuzët. Por, këtë duhet ta zbardhë edhe shteti. Unë jam këtu, sepse dua t’i shkoj tek varri, ti vë lule të freskëta, ti pastroj barërat. Ndoshta një ditë, një prokuror apo gjykatës do të bejë drejtësi. Drejtësi për Marion tim, që e fitonte jetën duke gatuar. “Ahhh, shkonte në Durrës, vetëm me lekët e biletës së autobusit, kurrë s’më shqetësoi. Shkoi dhe në Oman, ku gjeti punë. Do ikte sërish, por s’e lanë. E qëlluan pas shpine, në derën e shtëpisë”. Në atë prag të përgjakur kaloj përditë. Aty kam një “pjesë” të tim biri, vrasësit e të cilit bredhin të lirë rrugëve.balkanweb/klodianalala

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here