Hajduti që të vjedh dhe të thotë në sy: “Kontrollo po deshe”

0
147

Nga Mark Marku

Ky nuk mund të jetë shkrim si gjithë shkrimet e tjera. Është thjesht revoltë. Se në të vërtetë ngelet shumë pak për të thënë pas atyre që kemi dëgjuar dhe parë prej publikimit të djeshëm të gazetës gjermane “Bild”. Jo se nuk i dinim. Të gjitha i dinim, madje edhe më shumë se aq. Por propaganda qeveritare kërkonte prova për manipulimin e zgjedhjeve. Prova për shndërrimin e shtetit në një strukturë të vënë në shërbim të grupeve kriminale. Ishim vënë të gjithë në rolin e të vjedhurit nga hajduti i xhepave, i cili, pasi ta ka vjedhur portofolin në turi dhe ia ka pasuar tjetrit hajdut bashkëpunëtor në vjedhje, i cili është larguar bashkë me portofolin, të zgërdhihet në turi duke ngritur duart: kontrollomë po deshe, por unë nuk kam gjë.

Gazeta “Bild” dhe gazetari Peter Tiede e ka nxjerrë shtetin shqiptar, pikërisht ashtu siç është: një shtet gangster. Një shtet gangster, që nuk dallohet ku fillon shteti dhe ku mbaron mafia dhe anasjelltas: trafik votash, parash, nderesh, postesh. Në përgjime shfaqet qartë panorama me të gjithë aktorët, pra gjithë hierarkia e strukturës politike dhe administrative e qarkut të dytë më të madh në Shqipëri: dy kryetarë bashkish, ai i Durrësit dhe i Shijakut, kryetari i Partisë Socialiste, deputetë, drejtorë, të gjithë. Të gjithë në tratativë me mafien vendëse e ndërkombëtare me një qëllim të vetëm: t’ia bëjnë qejfin shefit të madh, t’ia çojnë rezultatin të pastër në tavolinë (10-0), i cili, siç del nga bisedat, konsiderohet shef nga të dyja palët.

Besoj të gjithë biem dakord në një pikë: provat të lënë pa fjalë. Por paradoksi është se pikërisht ata që nuk kishin as të drejtën minimale morale për të folur ndonjë fjalë, të paktën këtë ditë u shfaqën pa pikë turpi dhe folën. Dhe çfarë thanë? Të gjithë në kor, Komisioni i Ligjeve, Prokuroria e Përgjithshme dhe shumë të tjerë pas tyre kërkuan ndalimin e publikimit të provave skandaloze, gjë kjo e paparë dhe e dëgjuar ndonjëherë. Madje, nxorën edhe një urdhër të firmosur nga dy prokurorë. Mendoni, pasi kanë vjedhur zgjedhjet, pasi i kanë mbajtur provat e përgjimeve për mëse një vit në sirtarët e tyre, tani që janë këto prova janë shfaqur publikisht para gjithë botës kërkojnë bllokimin e publikimit të tyre. Pikërisht ky reagim hedh dyshime për atë se cili do të ishte fati i këtyre përgjimeve dhe i procesit lidhur me to po të mos i kishte botuar gazeta “Bild” dhe më parë “Zëri i Amerikës”. Mendoni, prokurorë që guxojnë t’u japin urdhra mediave!

Botimi i përgjigjeve jo vetëm që ka nxjerrë lakuriq farsën e zgjedhjeve dhe krimin elektoral, por po nxjerr lakuriq edhe Prokurorinë shqiptare. Në vend që Prokuroria të jepte llogari para publikut se pse nuk ka ecur procesi hetimor lidhur me dosjen që i përmban ato përgjime, del dhe bën fajtor “nxjerrësit e sekretit hetimor”. Dhe ky vendim vjen pas një sërë deklaratash kërcënuese të shqiptuara nga anëtarë të Komisionit të Ligjeve ndaj prokurorëve që, sipas tyre, kishin nxjerrë sekretin hetimor. Në fakt, është pak a shumë normale në një shtet anormal si i yni, ku edhe tenderët janë sekret shtetëror! Déjà vu! A nuk na kërcënonin kur e mbushën Shqipërinë me kanabis se po prishnim imazhin e Shqipërisë! A deshën të na shisnin kanabisin si misër apo domate? A nuk i bënë avionët transportues të hashashit si avionë, që u ishin sulur mushkonjave të Myzeqesë? A nuk…?

Gjithë kjo histori e shëmtuar tregon edhe një herë jo vetëm para shqiptarëve, por edhe para botës, rrezikun e madh që na ka pllakosur. Kryeministri i vendit vetëm para një muaji u tha shqiptarëve në lidhje me çështjen: “Flasim për një kryetar bashkie, i cili përmendet në një fjali mes dy kriminelëve dhe vetë nuk ka asnjë bisedë, zero, ku të flitet edhe së largu për ndonjë gjë që lidhet me blerje ose shitje”. Edhe kjo s’ka nevojë për koment. Kujt do t’i shkonte në mendje që kjo fjali e thënë nga Kryeministri mund të ndikonte në procesin hetimor, ose se ai i pari e ka shkelur sekretin e procesit hetimor? Larg qoftë thotë qoftëlargu dhe të na falë Prokuroria që e thyem heshtjen për këtë çështje./Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here