Standard.al

Me besa-besë, për të shpëtuar arsimin

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

 Po, po kemi arritur në këtë pikë, ku me besa-besë, si dikur rilindësit e kohës së vjetër, duhet të bashkohemi të gjithë për të shpëtuar arsimin.  Nuk ka më shans e rast, mundësi dhe kohë për të dhënë kushtrimin për betejën më të fisme të jetës, për të bërë arsimin arsim, duke shpëtuar të ardhmen tonë dhe përparimin e vendit. Mund të duken fjalë të mëdha, por janë reale, të dala jo nga romantizmi, utopia apo virtualiteti i krijuar me pahir, por i një realiteti të hidhur.

Si arritëm në këtë pikë?

“Me punë e përpjekje të mëdha” të drejtuesve më të lartë të ekzekutivit, institucionit më të lartë të arsimit, ministrisë,  të cilët, që tq gjithë, kush më shumë e kush më pak, në emër të së ardhmes së “ndritur” të gjeneratës së ardhme, rrënuan të tashmen dhe kanë hedhur themelet për të shkatërruar të ardhmen e arsimit kombëtar shqiptar. U zhytën në paudhësi, arrogant, vjedhje, zhvatje, bjerrje të vlerave morale dhe etike, prej të madhit dhe ata që morën në dorë, një nga institucionet më me rëndësi të vendit Ministrinë e Arsimit. Institucioni më i lartë i diturisë (sipas konceptit të rilindësve të parë), u mbush me njerëzit më të dështuar në këtë fushë, u bë strehë e hajdutëve nën petkun juristëve play-boy, u bë mbulesë e përfitimeve të gjeneralëve pa paleta në arsim dhe ju vu kazma, në emër të rilindjes së tij. Hoqën qafe, çdo shenjë të arsimit kombëtar, duke sulmuar në pabesi, gjithë historinë e tij, për ta zëvendësuar me “të ardhmen evropiane që po na priste krahë hapur”. Fillimisht zhdukën tekstet dhe i suallëm nga Ingliterra. Komandanti dhe sejmenja e tij në MASR, u munduan të na mbushën mendjen se fëmijët do të kishin në dorë tekstet më të mira, të BE-së. Ingliterra i la glasën BE-së dhe ne na mbetën në derë tekstet më të mira të të parit vend BREX-it. E pasi i morëm i përpunuam, ja u shpërndamë fëmijëve, pa u konsultuar me askënd, na lindi ideja të politizojmë fort arsimin. Shpallëm portalin “Mësues për Shqioërinë”, që më mirë i shkon përshtat emërtimi “Mësues për Partinë” dhe e mbushëm sistemin me mësues të ardhur nga emigrimi, nga zyrat e partisë në njësitë e ndryshme administrative, me infermierë, agronomë etj. Ndërkaq njerëzit prisnin radhën nën Portalin, që mbeti i kyçur për të tërë kohën. Pastaj duke ndenjur na vajti mendja të rrjepin mësuesit mirë e mirë. Në fillim u morën lek për [përmbytjet, pastaj për trajnimet e në fund për pemët e mbjella plot  kujdes nga Lali.

Por edhe për drejtuesit kishin surpriza të mëdha. Përdhunues, mashtrues të dënuar me formë të prerë, gardiane burgu e gjithfarë llojesh i bëmë drejtues të institucioneve shkollore. Kjo e gjitha në emër të një drejtimi shkolle “profesional e apartiak”, por duke i bërë duva Rilindjes në pushtet. Dhe gjetëm modelin nga e sollëm: Nga Izraeli. Ndërkaq, na dolën rrugës edhe reformat të tjera, të “rëndësishme, o posi”. Na duhej diçka për të shtyrë kohën me nxënësit dhe shpikën 3 lëndë në 6 orë. Ku e morëm modelin? Orët blloki, “bëhen në Kanada, Greqi e ndonjë vend tjetër”, na deklaroi plot pompozitet, Pabesia e arsimit. I kishte parë me sytë e vet, a ka kishin thënë të tjerë, këtë nuk do ta mësojë njeri ndonjëherë, por se na i la peshqesh edhe sot e kësaj dite, këtë e dimë me saktësi

Po cilin model xhanëm ndjekim?

Askush nuk di të na thotë asgjë me siguri. Në arsimin e lartë morëm modelin britanik, në arsimin parauniversitar tekstet e Britanisë, të hartuar për vendet aziatike, drejtuesin e huazuam nga Izraeli, oficerin e sigurisë, sipas paktit Xhafaj-Nikolla, trajnimin e mësuesit, sipas modelit konstruktivit të gjeneralit dhe nismën bëjmë detyrat e shtëpisë në klasë, sipas modelit të Zambias. Tani pasi i kemi bërë të gjitha këto, përfshi dhe ligjin lesh e li, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim lëvizjen e radhës, me një sërë dilemash: A do të plotësojmë regjistrat apo evidencat, do t’i falim tekstet shkollore, apo do t’i kthejmë e të vijojmë me shkarravinat e paraardhësve, a do të ketë shtesë rroge për mësuesit? Po shpërblim? E mbi të gjitha a do të kërcas, pistoleta, druri dhe huri në shkollë dhe askush mos të mbajë përgjegjësinë? A do të shitet marijuana brenda oborreve të shkollave dhe femrat të shkojnë në motelin më të afërt gjatë orarit të shkollës, pasi askush nuk kujdeset për mirëqenien e nxënësit? A do të kemi çdo vit të njëjtin avaz, bërtasim mos kopjoni dhe ju vu, se jemi në prag zgjedhje e na duhen votat e adoleshentëve?

Kush do t’i përgjigjet këtyre dilemave?

Të gjithë bashkë, nëse duam të shohim një dritë shprese për të ardhmen tonë. Duhet t’i përgjigjemi tani kësaj situate katastrofë, edhe pse është vonë dhe pse mund të jemi të pakët si fillim. Lipset të jemi të vendosur, të pajisur me armën e arsyes, se po bëjmë një shërbim të madh publik, për veten dhe për të gjithë shoqërinë e mbi të gjitha për vendin dhe të ardhmen që aspirojmë. Duhet të heqim me forcë, çdo pengesë apo tentativë për pengesë, nga cilido që del përpara “në emër të përparimit” e që deri më sot i ka dhënë një dorë, a ka bërë sehir me punët e arsimit. Me besa-besën, për të hequr qafe pabesinë dhe dëmin që po i bëhet edukimit kombëtar dhe atdhetar, dijes dhe qytetarisë, inovacionit dhe shkencës, jo për lavdi, por si një detyrim patriotik, ndaj vetes, fëmijëve dhe brezave që do të vijnë. Do të pendohemi në jetë të jetëve, nëse tani, nuk fillojmë një aksion, një lëvizje të gjatë e të mundimshme, që me guxim mund të na rezultojë një udhëtim me fund të mbarë. Dikur rilindësit e shek. XIX, betoheshin me besa-besë “për të shpëtuar veten tonë dhe mëmëdhenë”, kështu na mbetet edhe ne të shpëtojmë veten tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe vendin nga vargonjtë e varfërisë, tiranisë, grabitjes dhe rrënimit, përmes dritës së dijes, përmes diturisë.

Le të kujtojmë Naim Frashërin se çarë thoshte për punë të arsimit dhe atdhedashurisë, për  të ardhmen e vendit, që zë fill nga dija: “Poshtë armiqt ‘e tiranët/poshtë grindja e errësira?Rrotë besa dhe liria? Rroftë drita, dituria”.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.