Standard.al

Ndërhyrje të Rusisë në Tiranë, Stoltenberg i “lë topin” Ramës/ Dikur e quante NATO-n, natë…

0

A ka informacione për ndërhyrje të Rusisë në Tiranë? Ishte kjo një nga pyetjet që iu drejtuan Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kryeministrit Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët që dhanë në kryeqytet, ky zyrtari i lartë i Aleancës po zhvillon një vizitë disaorëshe.

Stoltenberg ka shmangur përgjigjen e drejtpërdrejtë, duke ia kaluar atë kryeministrit Edi Rama, pa dhënë komente.

“Në lidhje me Shqipërinë, le të flasë Kryeministri Rama“, tha Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Edi Rama duke u përgjigjur tha se nuk është sekret ose mbase sekreti më i madh publik që qasja e Rusisë ndaj NATO, ndaj BE, ndaj proceseve integruese nuk është qasje miqësore, por unë dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO nuk ka ndodhur ajo që po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë me sa duket do të përpiqen që të ndodhë këtu, do të ishte një njollë e pashlyeshme si një vend aleat i NATO.

Në këtë kuadër, Rama tha se diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO dhe as BE dhe si e tillë me apo pa dashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë rrugën drejt perëndimit.

Në fakt protestat e ndërmarra nga opozita kanë të bëjnë pikërisht me respektimin e vlerave në vendet perëndimore, votën e lirë, për të cilën në Shqipëri ka përgjime të prokurorisë dhe agjensive ligjzbatuese, ku drejtues të mazhorancës janë kapur duke biseduar me elementë të inkriminuar për shit-blerje votash.

Kryeministri aktual, dikur lider i opozitës, Edi Rama, protestonte ditën që Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO.

Madje, ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë kohës që drejtonte ekzekutivin shqiptar, i cili ka meritën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të shprehej “i them zotërisë (Edi Rama) se të shprehesh në këtë mënyrë, do të thotë të mos kesh asnjë të përbashkët me vuajtjet dhe sakrificat e vendit tënd. Por meqë thua se NATO  është natë, nuk është as bukë e as ujë. Fermerët e dinë më mirë se ty se çfarë do të thotë kjo”./boldnews

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.