Standard.al

Programi për bujqësinë/ Panariti: Çlirimi nga tatimet dhe taksat

0

LSI organizon tryezë të rrumbullakët për të shpalosur programin për bujqësinë
Lëvizja Socialiste për Integrim shpalosi ditën e sotme në një tryezë të rrumbullakët programin për Bujqësinë.

Të pranishëm në takim ishin dhe zëvendëskryetari i LSI Luan Rama, Nënkryetari Petrit Vasili, ish-deputetet Edmond Panariti, Përparim Spahiu, Floida Kërpaçi, Silva Caka, Endrit Braimllari, Nora Malaj, Edmond Haxhinasto, etj.
Gjithashtu në këtë tryezë morën pjesë ekspertët italianë të frutikulturës, Dr.Francesco Tagliani dhe Dr. Luca Gambarotto.

Fjala e ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka një program dhe propozime të qarta e konkrete përsa i takon zhvillimit të sektorit të bujqësisë në vend.
Disa nga pikat tona kryesore janë: mbështetje më e lartë financiare për bujqësinë, subvencion për njësi/sipërfaqe për numër krerësh të këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë, kreditimin e bujqësisë duke vënë në dispozicion sasi më të madhe parash në trajtën e kredive për mbështetjen e agrobiznesit, por edhe të prodhimit primar. Por ajo që është më kryesore çlirimi nga zgjedha e tatimeve dhe e taksave, nga një TVSH diskriminuese, më e larta jo vetëm në rajon, por ndoshta edhe më e larta në Evropë.
Natyrisht ne kemi edhe një propozim konkret përsa i përket uljes së çmimit të imputeve bazë, veçanërisht naftën, e cila tashmë ka një çmim më të lartin në Evropë. Bujqësia mbetet e diskriminuar, me kosto shumë të lartë dhe për rrjedhojë nuk është kompetitive, nuk është konkurruese.
Megjithatë unë së bashku me kolegët e LSI-së e thirrëm këtë tryezë duke pasur si temë qendrore frutikulturën dhe perimet, të cilat janë disa nga drejtimet kryesore të zhvillimit të bujqësisë dhe kemi ftuar këtu një ndërmarrje lider në frutikulturë në Itali, e cila njeh mirë edhe realitetin shqiptar pikërisht për të diskutuar se si, në çfarë mënyre ne do ta drejtojmë frutikulturën në Shqipëri në mënyrë që ajo të rrisë konkurrueshmërinë, të jetë e lidhur më mirë me tregjet e brendshme dhe me eksportin dhe jam i bindur që në prezantimin e tyre ata do të na orientojnë pikërisht për drejtimet që ky sektor i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë duhet të marrë, duke u përqendruar kryesisht aty ku ky sektor vuan më shumë në pikëpamje të teknologjisë, në pikëpamje të varieteteve dhe kultivarëve të duhur, të cilët duhet të futen në mënyrë që të rritet rendimenti, të rritet konkurrueshmëria dhe prania e produkteve në treg.
Dëshiroj të theksoj se ky është takimi i parë që ne po bëjmë, por dua t’ju them se shumë shpejt ne do të kemi edhe takime të tjera që do të jetë për shpendarinë dhe prodhimin e vezëve, ku ne do të ftojmë edhe ekspertët më të mirë nga shtetet e Bashkimit Evropian, nga Gjermania. Më pas do të kemi takime për akuakulturën dhe për peshkimin. Ne në mënyrë të vazhdueshme do të përqendrohemi për tema që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, sepse jemi të bindur që ky është një sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies të popullit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.