Standard.al

Dy gjisht kartë madhëri për hallet e popullit t’ën

0

Nga Ndriçim Mehmeti

Unë që po marr guximin të të shënoj nja dy fjalë në këtë copëz lëkurë të vjetër dhie që më ka mbet në vatër, jam një i përulur i sinisë tënde të madhërishme. Mu vunë tani e dy javë këta të shkretë të nahijes sime, e më thanë: “Si më i dituri mes nesh, bëj rixha e shkruaji dy gisht kartë Madhërisë së tij. Ai i vafri është unjur e munduar të shkruaj, dy a tri herë, sipas habereve që na sjell tellali, t’i kaligrafisim edhe ne njëherë, ashtu fshaçe.

E për çfarë do t’i shkruani Madhërisë o të uruar- i thaçë?

Po ja për dertet tona, për bagëtinë që po na ngordh se nuk kemi ti japim të hajë, për fëmijët që i zu gjumi pasi qajnë, e çohen të ënjtur nga sytë në pritje të një krodhe bukë. Për gratë që mundohen tërë ditën e fshijnë loton me cepin e shamisë së grisur, se barkjashtët tanë vetëm i kërkojnë të hanë. Për taksidarin që an mori shpirtin dhe nderin, duke kërkuar gjithnjë e më shumë lek e në mungesë të tyre, nderin e grave dhe vajzave tona. Për zabitin që kujdesonet më shumë të hajë e të pijë me horrat dhe hajdutët e nahijes se sa të ruaj shtëpitë, bagëtitë e të korrat tona. Për xhemët që po na ikin nga sytë këmbët dhe nuk e dimë artin e tyre. Për lumin që na bën kërdinë sa herë që bie një shurrë shi e le më kur stuhia e suferina ulërijnë në mal. Për trastat tona që mbeten bosh, për gomerët që siç i ngarkojmë me ndonjë derë qepë, fasule, speca e hudhra, që i heqim nga goja e fëmijëve tanë, gjysmat i kthejmë në shtupi në arrijëm, e në mos na i marrtë xhandari i Lalës në kasaba. Për farën që na mungon e nuk dimë ç’të mbjellim. Për malin që kemi karshi. Duam të bëjëm një krah dru, për të ngrohur sadopak shpirtrat tanë të leckosur, por nuk na i mban. Sa të hedhsh sëpatën në krah e të mbash tërsirën m’anë tjatër e merr vesh kumandari i zabitëve. Të dërgon lajm të shkosh e ta shohësh në mejhanen e nahijes. Futësh brenda e rri larg se qelbet era raki, verë a ç’të jetë, të shikon vëngër e të pyet tërë tërsëllëmë: “Ku shkon more i ngratë. Në mal efendi të bëjmë një krah dru- ja kthenj unë” . Zgërdheshet e fërkon mustaqet tërë yndyrë e ta kthen me të shpejtë: “Shko mor gremisu në shtëpi. Nuk e more vesh që qeverai ka nxjerrë ferman me imzan e të madhit. Nuk preket pylli për dy a tri vjet, derisa të lulëzonet pemët që kemi mbjellë.” E ti thuash madhërisë- ma ngajtën fjalën, që ato pemë vërtet kanë lulëzuar. Na nuk i dimë se ç’kanë e ç’ëmër ti vëmë. Ca thonë që shërbejnë për melhem, e ca thonë se të sjellën çakërqejf. Po gjë në magje për fëmijët nuk na kanë sjellë.” I pashë mirë e mirë një copë herë e mejtova me veten time: “ Vërtet besonjën në atë që thonin, apo erdhën të bëjnë qyfyre me mua,  se nuk kanë ku të venë. Të betohem Madhëri që e kishin me vërtet.

E ahere unë gojëthari, i thashë: “ Ore keni luajtur menç apo më merrni për leshko”

“E pse më thanë n jëzër me sy të çakërritur. Kujton se madhëria i di të gjitha. Po t’i dinte nuk do të na linte në këtë gjendje. Ej a je në këtë qeveri a si. Mblidhe kallaballëkun e na shiko në sy. Madhërisë ju çuan ca qyqar, të gënjier a rrugështrembër, siç i thotë ai dhe frap, u shkrojti me penën e tij të artë plot tri a më shumë kartra. E ti na thua se e di ao çbënet në nahijen tonë të varfër!?. Ti di të shkruash më mirë se ne të gjithë bashkë. Edhe pak dituri ke- nuk thomi. Çoç ke vështruar edhe botë me si. Po vetëm kaq. Madhërinë e njeh shumë pak. Ne vërtet duam të qahemi tek më i madhi i më të mëdhenjve, por fajn nuk i kanë ata lart. Janë ca shushunja, ca gjakpirës, e zorzopër që na i bëjnë gjakun ujë, e përfitojnë që madhëria nuk ka nge të vij e shoh vet, se ç’bënet këtej nga ne. Prandaj të bëjëm rixha e na i shkruaj dy gjisht kartë: Fillo: “I nderçmi, i ndrituri e hallemadhi jonë Madhëri. Ne që po të shkruajmë jemi shërbëtorët tuaj të përunjur në rrëzë të malit Këkërdhiq e që fshan tonë të e quajnë Flamosëri. E ne që na quajën të flamosur, jemi në merak të madh për shëndenë tënd. Prandaj na i bëj hallall, e na fal dy minuta nga koha jote e shtrenjtë. Vëre dorën në zemër për fshanë tonë. Kemi mbet si mos më keq. Kumandari i zabitëve, taksambledhësi, kadiu, qylaxhiu e deri tek roja më i fundit na i morën shpirtnë. E dimë, e dimë, që të gënjejën nga sabahu në aksham, e nuk të thonë gjë, me demek se të sëkëlldisin. Ta bëjën fushë me lule jetën tonë. Por ne qyqarët, gdhihemi e erremi me dy dëshira: Zoti të shtoftë jetën, e ne të varfërve të na shoh për pak bukë, dy palë opinga e një dorë kripë. As dru nuk na lënë të bëjëm, atje, ku qëmoti shkonte edhe gjyshi jot, që i ndriftë shpirti. Prandaj mos përto e na dërgo një qerre bereqet, nja dy zabitë me edukatë e terbiet e  një kumandar që nuk e ka mendjen tek shishja e rakisë dhe shalët e grarisë. Na i bëj hallall e na kthe xhevap, në munçë. Të puthim dorën ne të përvuajturit e tu, që kurrizin kemi shtruar për ty e të mbajëm hopa deri më sot”.

E shkrova tërë qejf e po ta dërgoj madhëri. E di që kurrë nuk do të bie në dorë. Zotrote nuk merresh me çikërrima, por punë të mëdha. E megjithatë e dërgova me një urim: Thefsh qafën, e në fron mos të zëntë kjo kartë e shkruar në lëkurë dhie.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.