Maxhoranca që keqqeveris vendin, kërkon të qeverisë edhe opozitën…

0
119

Nga Shezai Rrokaj

Kjo maxhorancë, që ka kapur të gjitha pushtetet, po e shtyn grykësinë e saj edhe në kapjen e opozitës.

Tradita e vendeve demokratike dëshmon se, si rregull, maxhorancat ia kushtojnë kohën qeverisjes, nuk merren kësisoj me opozitën, kurse, në të kundërt, opozita e ka për detyrë të merret me maxhorancën, kryesisht me keqqeverisjen e saj. Por Shqipëria vazhdon të jetë vendi tipik ku maxhoranca nuk merret me qeverisjen e mirë, por pasi ka vënë nën këmbë pushtetin legjislativ me votat e blera, ‘ka blerë’ radhë pas radhe pushtetin gjyqësor dhe atë mediatik. Kurse pushteti ekzekutiv është vënë nën një dorë autokrate të Kryeministrit me një qeveri kukull që kontrollon gjithë shtetin.

Mjafton të përmendim gazetarin e gazetës prestigjioze “Bild”, i cili skandalizohet me faktin sesi një deputet bëhet zëdhënës i qeverisë, kur detyra e deputetëve, pavarësisht nga kahjet, është miratimi i ligjeve dhe kontrolli i qeverisjes për zbatueshmërinë e tyre. Por ka plot raste të tilla ku, që nga funksionimi i Parlamentit, konferencat e shtypit dhe emisionet televizive, deputetët e maxhorancës janë vënë në mbrojte të qeverisë.

Zaten gjithë Reforma në Drejtësi është vënë në shërbim të maxhorancës. Në vend që të sillte përmirësime në pushtetin gjyqësor, qysh prej zgjedhjes në mënyrë të njëanshme të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ajo e thelloi më tej deformimin e reformës me futjen në struktura të gjyqësorit të njerëzve të saj “besnikë”. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe lëvizjet pa kriter e nën trysni në organin e Prokurorisë dobësuan sigurinë juridike të shumë ligjeve të miratuara në Parlament dhe, përkundër synimeve të Reformës, u rrit varësia e sistemit prej maxhorancës për të dhënë drejtësi.

Gjithashtu, kjo maxhorancë ka krijuar pushtetin e saj mediatik si dhe ka kapur disa media të tjera nëpërmjet joshjes së tyre me pasurinë publike. Këto media janë vënë nën trysninë e pushtetit duke u bërë pjesë e propagandës së tij me regji nga ERTV-ja qeveritare.

Në fakt, një qeveri e përgjegjshme do të duhej të reflektonte se përse nuk ka investime të huaja të rëndësishme? Ajo duhej të ndalej seriozisht te problematikat e koncesioneve me PPP-të me fonde buxhetore të cilat, sipas FMN-së dhe shumë ekspertëve, janë një kërcënim real për një borxh publik të brendshëm të fshehur. Po kështu, ajo do të duhej t’i merrte seriozisht taksat e larta, të cilat po ulin nivelin e jetesës së shtresës së mesme dhe po falimentojnë shumë biznese të vogla e të mesme, duke e ngushtuar hapësirën publike në një grusht oligarkësh. Përse, bie fjala, qytetarët paguajnë në çmimin e karburantit taksën e qarkullimit dhe, përveç saj, ata duhet të paguajnë edhe taksën e rrugës? Një qeveri e përgjegjshme duhet të analizonte gjithashtu fenomenin e varfërisë masive, të ndihmës sociale, të rrogave të ulëta etj.. Vetë braktisja masive e vendit, kryesisht prej moshave aktive, është një tregues i papunësisë, mungesës së shpresës, që po e shpie popullsinë drejt plakjes.

Qeveria ‘garantoi’ (në fakt garantoi me fonde publike klientët e saj) profilaksinë falas (chek up), por jo mjekësinë falas. Reforma në arsim tregoi defekte të mëdha si përsa i përket menaxhimit të arsimit ashtu edhe cilësisë së tij. Bujqësia ka pësuar regres, lidhur me subvencionimin e fermerëve, sikundër konsumatori po ekspozohet përditë ndaj prodhimeve jashtë çdo standardi. Këto probleme e plot të tjera si këto kanë kërkuar reflektim, analizë, ndryshim kursi në të mirë të mirëqeverisjes për qytetarët.

Po, me se po merret maxhoranca? Cila është sjellja e saj ndaj qytetarëve, a po qeveris ajo? Duket sy për diell se sjellja e saj shfaqet me një ngutje të skajshme se si t’u ikë përgjegjësive të keqqeverisjes nëpërmjet dy rrugëve: rruga e shfaqjeve teatrale me slogane e parulla, sipas të ashtuquajturës bashkëqeverisje me qytetarët dhe sukseset në letër nga njëra anë dhe aksionit antiopozitar nga ana tjetër.

Në mënyrë paradoksale, sipas saj, e keqja e këtij vendi është opozita. Po në cilin shtet të botës demokratike do të gjykohej e do të mbahej përgjegjëse për gjendjen në vend opozita? Duke përdorur në mënyrë të frikshme pushtetet, që ka kapur maxhoranca kërkon t’u thotë qytetarëve se e keqja e vendit nuk është keqqeverisja saj, por për të fajin e ka opozita. Ferri i këtij vendi qenka opozita. Prej saj burojnë të këqijat. Në funksion të këtij qëllimi janë orientuar të gjitha bateritë e saj shtetërore e mediatike të linçimit të opozitës. Madje, po kërkon ta qeverisë edhe vetë opozitën, duke u treguar qytetarëve sesi duhet të jetë ajo, kurse sa për keqqeverisjen e tyre maxhoranca nuk paska asnjë përgjegjësi ndaj tyre. I mjaftojnë spektaklet publike dhe makijazhet televizive. Ftesa për dialog me opozitën është pjesë e këtij spektakli, e ngjashme në tipologji me ftesën që iu bë studentëve, të cilët ia kuptuan “hilen” dhe e refuzuan.

Mirëpo, etja për të shtënë në duar gjithçka sipas modelit l’Etat c’est moi (unë jam vetë shteti) po e shtyn maxhorancën në një verbëri marrake, duke u përpjekur të trukojë opozitën e re në Parlament si dhe ndonjë parti politike të sajuar në nxitim e sipër. Siç ndodh në regjimet autokratike, nuk ka kala që i reziston pushtetit. Nga lakmia për pushtet absolut, ajo po turfullon kundër opozitës në protestë, duke e cilësuar si të keqen e vendit dhe po shfrytëzon mekanizmat e shtetit për asgjësimin e opozitës reale dhe zëvendësimin e saj me një opozitë të krijuar në tavolinë.

Me patjetër, edhe nëse nuk hapen negociatat, “fajin” me siguri do ta ketë opozita dhe shqiptarët “e këqij” që po ikin dhe po “na e nxjerrin namin” e keq, kurse qeveria s’ka hiç përgjegjësi. Ajo vazhdon të korrë “suksese spektakolare”.

Volteri thotë se është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria e ka gabim. Por ‘viktima’ të këtij faji kanë rënë edhe një pjesë e ndërkombëtarëve, të cilët duken si të mikluar prej maxhorancës dhe deri tani po bëjnë sikur nuk e shohin kapjen e shtetit prej pushtetit, flirtimin e tij me krimin e organizuar në operacionet e drogës si dhe ndërhyrjen në administratën publike, tenderat pa garë apo blerjen e votës, siç tregojnë dosjet 184 dhe 339. Ata po ndihen “rehat” me stabilitetin e rremë në kurriz të demokracisë dhe janë bërë skajshmërisht “qortues” për protestat e opozitës, ndërkaq kanë ulur kokën ndaj për keqqeverisjes së maxhorancës.

Sidoqoftë, një gjë është e qartë: kur në një vend ka një politikë të keqe, qytetarët kanë dy rrugë: të ndërrojnë vend ose të ndërrojnë politikën e keqe. Braktisja e vendit është po aq keq, kurse ndryshimi i politikës së keqe është e vetmja rrugë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here