Standard.al

Dosja e Endrit Vejsiut/ U kap me mina, zbulohet roli i vëllait të Alketa Vejsiut…

0

U kap me mina dhe kanabis, mbyllen hetimet për vëllain e prezantueses së njohur. Dosja e Endrit Vejsiut, vëllait të Alketa Vejsiut, është dërguar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë, 8 muaj pas arrestimit.

Ndaj 30-vjeçarit rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. I riu u arrestua në me 30 shtator të vitit 2018, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, iu gjetën 4 mina me telekomandë dhe 3 lëndë narkotike kanabis sativa.

Nga hetimet e Prokurorisë, Vejsiu rezulton se ka shërbyer si korrier i një personi tjetër, që kishte si synim të trafikonte minat nga Porti i Shëngjinit në drejtim të Italisë, me anije që kryejnë transport mallrash. Vetë i pandehuri Vejsiu ka deklaruar në Prokurori se është nisur nga Rinasi për të ardhur në Lezhë dhe në kohën që është afruar pranë kryqëzimit të Shënkollit në autostradën Lezhë-Laç, është ndaluar nga Policia.

30-vjeçari është shprehur se nuk kishte dijeni për praninë e minave dhe lëndës narkotike në automjet. Por, sipas dosjes hetimore rezulton se Vejsiu i kishte marrë minat dhe lëndën narkotike nga një person tjetër, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, për t’i transportuar drejt Shëngjinit. Nga të dhënat e siguruara nga Policia Gjyqësore rezulton se ky person ishte me profesion taksist dhe merrej me transportimin e lëndëve narkotike në sasi mbi pesë kilogramë, si dhe në transportimin nëpër rrethe të lëndëve plasëse, ku në disa raste për transport përdorte edhe persona të tjerë.

Duke shfrytëzuar lidhjet shoqërore që taksisti kishte në rrethin e Lezhës, me të cilët bashkëpunonte në ushtrimin e aktivitetit të tij kriminal, ka kërkuar blerës për lëndën narkotike si dhe një sasi lënde plasëse, të cilën do ta trafikonte nëpërmjet Portit të Shëngjinit drejt shtetit italian. Pikërisht për transportimin e minave dhe lëndës narkotike nga Rinasi në Lezhë, taksisti ka përdorur Endrit Vejsiun, i cili përfundoi në pranga.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.