Burgu Spaçit! “Torturat”, rrëfen ish i burgosuri: Si më varrosën në minierë…vetëm 20 vjeç

0
340

Ish-të burgosur politikë, të afërm të tyre dhe pushtetarë vendorë, kanë përkujtuar revoltën antikomuniste në Burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë. Ata u rikthyen dje duke vizituar qelitë ku kaluan vitet e tyre të rinisë, ndërsa në përkujtim të tyre u vendos edhe një pllakë përkujtimore.

Pajtim Lami nga Vlora është një nga personazhet që ka pasur një histori rrëqethëse gjatë kohës që ka qenë në këtë burg. Ai ka qëndruar për tri ditë nën gërmadha të minierës, duke luftuar me vdekjen, ndërsa të gjithë shokët mendonin se kishte vdekur. Lami përlotet teksa viziton dhomat e burgut, duke kujtuar tmerret që ka përjetuar kur ishte në këtë vend.

Ai u dënua me plot 30 vite burg pasi u kap në tentativë për t’u arratisur nga vendi. “Më burgosën në Burgun e Spaçit në moshën 20- vjeçare. Ditët që unë kam kaluar këtu kanë qenë një tmerr i vërtetë.

Tortura të të gjitha llojeve. Më futën në punë këtu në minierën e Spaçit. Kam punuar në çdo galeri që ndodhej këtu dhe ka qenë tepër e vështirë puna në nëntokë. Unë kam pasur një histori të dhimbshme.

Një ditë duke punuar, u shemb toka dhe më zuri dheu brenda galerisë. Për tri ditë kam qëndruar nën gërmadhë dhe askush nuk e dinte që jam gjallë. Por, fatmirësisht, uji që buronte poshtë galerisë më ka mbajtur në jetë.

Pas tri ditësh më gjetën bashkëvuajtës që ishin në burg dhe më erdhën në ndihmë, duke më nxjerrë nga ai vend. Po të mos më ndihmonin ata, unë sot do të isha i vdekur.

Nuk dua ta kujtoj më atë kohë, po ajo çfarë dua të them është se unë kam parë vdekjen me sy”, shprehet ish-i dënuari Pajtim Lami. Ai e konsideron të pafalshme që në ditët e sotme, ky vend është lënë në harresë, duke u kthyer në një gërmadhë që po shkatërrohet çdo ditë.

Sipas tij, këtu duhej të ishte bërë me kohë një muze për të kujtuar vuajtjet e të burgosurve të regjimit komunist, me qëllim që kjo histori t’u përcillet brezave të sotëm dhe atyre që do vijnë.

Sipas tij, ish-të burgosurit politikë janë të pavlerësuar nga shteti shqiptar. Më 21 maj të vitit 1973, të burgosurit politikë të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve politikë./ELVIS HILA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here