Standard.al

Tregu i lirë zhvillohet dhe rritet në liri dhe demokraci i nderuar zoti Bregasi!

0

Shqetësimi i djeshëm i sipërmarrësve të nderuar shqiptarë për situatën politike për shkak të krizës politike ishte i drejtë dhe legjitim.

Pasiguria politike dhe destabiliteti politik vlerësohet nga indikatorët ndërkombëtarë të sipërmarrjes dhe investimeve e vlerëson Shqipërinë si vend me risk të lartë, të papërshtatshëm për biznes, i rrezikshëm për si jetën e qytetarëve që e vizitojnë si turistë atë.

Por adresimi i thirrjes për ti dhënë zgjidhje krizës drejt opozitës si fajtore për situatën me protestat e saj lëshuar kjo nga goja e Luan Bregasit, është i gabuar.

Më shumë se qeverisë ai i adresohet opozitës si shkaktare të krizës me ‘protestat’, ‘përplasjet’, ‘zjarret’ , ‘dhunën’ etj. Madje shkon aq larg sa thotë se… ‘ As qeveria nuk punon sepse mendojnë sa policë do vënë te gardhi. Kjo situatë e thënë kështu pa ngarkesë, pavarësisht se jemi të ngarkuar, por jo nga ngarkesa politike, palët duhet të ulen, të dialogojnë… jemi këtu tu bëjmë thirrje të dy krahëve të politikës që të zgjidhin situatën.’ Etj.

Pra, sipas zotit Bregasi (për të cilin kam një respekt dhe vlerësim të lartë për atë që është si qytetar dhe biznesmen), dhe miqve të tij sipërmarrës, qeveria nuk po punon sepse e ‘ka mendjen si të vendosë policët para gardhit’.

Kjo do të thotë se deri tani, gjatë 6 viteve të qeverisjes së Ramës qeveria ka qenë në punë. Çdo gjë ka funksionuar si sahat zviceran; shteti i së drejtës ka qenë në rregull, ekonomia liberale e tregut ka qenë funksionale, konkurrenca e ndershme në biznes gjithashtu, nuk ka patur megakorruosion qeveritar, as ekonomi kriminale në kurriz të ekonomisë formale, nuk ka pasur trafiqe dhe pastrim parash, ndërtimet e gradaçelave bëhen me kredi bankare ose me remtiancat e emigrantëve, por jo me paratë e krimit të organizuar, liritë e qytetarëve janë të garantuara, po ashtu dhe ato të mediave.

Sipas kësaj logjike të zotit Bregasi, nuk ka oligarkë të bërë të tillë me paret e ppp korruptive të klientëve qeveritarë… pra me një fjalë gjer para 16 shkurtit 2019, kohë kur shpërthyen protestat masive që udhëhiqen nga opozita, Shqipëria ka qenë një vend me stabilitet, me klimë të qetë e shtet ligjor, e favorshme për investitorët dhe sipërmarrësit vendas e të huaj.

Sipas kësaj logjike, deri para 16 shkurtit qeveria dhe fortlumturia e tij, Kryeministri i vendit, ka qenë i fokusuar vetëm te rritja ekonomike, garantimi i konkurrencës së ndershme të biznesit, rritja e mirëqenies së qytetarëve. Madje edhe policia ka qenë në punën e vet, në luftën pa kompromis kundër krimit, për të garantuar një klimë të paqtë biznesi e tregtie, jo të angazhuar në vjeljen e 20% të shumës për rrënjë kanabisi për llogari të shefit të madh fshatrave e gërxheve të Shqipërisë.

Pra, sipas Luan Bregasit vetëm tani, me shpërthimin e protestave të opozitës, ku doli tymi nga gomat, zjarri nga molotovi dhe helmi nga gazi i policisë, qeveria na u shpërqendrua nga fokusi i punëve të përditshme e të përnatshme për zhvillimin ekonomik me ritme të larta të vendit, ku për faj të opozitës në vend që ta ketë mendjen te puna e biznesi është fokusuar e zhytur në mendime të thella se ‘sa policë do vërë te gardhi’ (citim i tij).

Kështu pra. Kjo është për fat të keq elita ekonomike e këtij vendi të mjerë. Njerëz pa bythë, të lodhur, zvarranikë, frikacakë, shërbëtorë të neveritshëm oborresh të qeverisë së radhës.

Ata e dinë shumë mirë që gjatë 29 viteve pas rënies së diktaturës ende shqiptarët nuk e kanë shijuar ekonominë liberale të tregut, por një treg surugato, klientelist, informal dhe në një pjesë të mirë të tij edhe kriminal. Padyshim, midis tyre ka edhe biznesmenë e sipërmarrës dinjitozë që e meritojnë pasurinë e vënë, meritojnë dhe respektin e bashkësisë ku jetojmë.

Por dinjitozët nuk flasin në kohë të trazuara. Sepse po folën dinë kujt ti drejtohen. Edhe zoti Bregasi me kolegët e vet e di mirë që fajtori dhe njëherësh përgjegjësi për zgjidhjen e krizës është vetëm Edi Rama dhe jo opozita që proteston.

Por nuk ka këllqe ti drejtohet atij e ti thonë, zgjidh krizën politike sepse po na falimenton.

Megjithëse ça t’ju kërkosh njerëzve të biznesit mendim politik racional dhe kurrajoz?! Po të ishte se ata do ta zotëronin një aftësi të tillë nuk do kishim që nga Platoni, Aristoteli, Niçe ( jo ky i Dakos), Weber, Hajdager etj shprehjen e famshme se do ishte marrëzi lënia në dorën e biznesmenëve e tregtarëve drejtimi i shtetit. Madje në Greqinë e lashtë kësaj kategorie nuk i lejohej të jepte edhe mendime mbi punët e qeverisjes së qyteteve.

Dhe e fundit. Treg të lirë dhe sipërmarrje pa liri nuk mund të ketë. As kapitalizëm pa demokraci jo e jo!

Demokraturat prodhojnë oligarkitë dhe korrupsion shkatërrues.

Ndaj besoj se zoti Bregasi dhe miqtë e tij mendoj se e dinë që është më mirë një fund i tmerrshëm për tu çliruar nga e keqja, sesa një tmerr pa fund që po bën sikur qeveris, por që as rregulla loje për një biznes konkurrues nuk bëri dot, as shtet të së drejtës që të garantojë klimë pozitive për sipërmarrjen nuk mundi të ofronte. Korrupsion dhe sipërmarrës si klientë e partnerë të tij të bërë ‘bossa’ brenda pak muajsh me fondet publike Rama na ofroi me shumicë…

Kështu që sot lipset me qenë kurajozë, se trima është fjalë e madhe, dhe ti kërkohet Edi Ramës si kryetar i qeverisë të hapë rrugë e të zgjidhë krizën sa nuk është vonë për të gjithë ne. Ti kërkosh opozitës të tërhiqet për hir të turizmit sezonal është që të pranosh statuskuonë, sikur këtu gjithçka ka qenë në rregull, por që na u prish terezia pas protestave të saj kapriçoze.

Marrë nga profili në FaceBook i autorit

Nga Roland Bejko

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.