Del dokumenti ekskluziv i Arbitrazhit/ Të pavërtetat publike të Ramës dhe Beketit…

0
126

Konflikti Rama-Beketi, natyrisht, nuk ishte ai ndërmjet “të mirit” dhe “të keqit”. As ndërmjet dikujt që “do të bënte shtet” dhe dikujt tjetër që “luftonte për lirinë e medias”. Përplasja ndërmjet tyre i ngjan më shumë një lufte për fitim territoresh.

Njerëz pranë Beketit, bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, e paraqesin situatën si një inkursion i Edi Ramës kundër “Agon Channel”, për shkak të linjës së tij editoriale kundër qeverisë së majtë.

Nga ana tjetër, qeveria e ka prezantuar Beketin si një “pastrues parash”, ndaj të cilit ka fituar në përballje të mëparshme në Arbitrazh.

Përtej këtyre qëndrimeve, të cilat në thelb janë të pavërteta, ekzistojnë dokumenta ndërkombëtarë, të cilat dëshmojnë një realitet krejt tjetër.

“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive vendimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar, nëpërmjet të cilit u rrëzua urdhëri i kërkimit ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet shqiptare për Francesko Beketin.

Ky vendim prej 59 faqesh, i marrë në vitin 2016 dhe i papublikuar asnjëherë i plotë, jep detaje të plota mbi konfliktin “gjyqësor” Rama-Beketi në Arbitrazh. Të dhënat e këtij vendimi të ndërmjetëm janë baza e zhvillimit më të fundit, ku qeveria shqiptare dhe Hydro srl e Beketit kanë realizuar Marrëveshjen e Prillit 2019, sipas të cilës biznesmeni italian përfiton 110 milionë euro neto, plus shpenzimet proceduriale.

Konflikti Rama-Beketi

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenit Francesko Beketi ka nisur 6 vjet më parë. Në njërën llogore u vendos Edi Rama, i cili në mesin e vitit 2013 u zgjodh kryeministër dhe nuk e fshihte dëshirën e ethshme për të zaptuar pushtetin ekonomik.

Në rrugën e tij qëndronte biznesmeni Italian, Francesko Beketi. Ai kishte ngritur një perandori biznesi me qarkullim miliona eurosh, e cila funksiononte kryesisht në letra dhe e forcuar për shkak të mbylljes së të dy syve nga ana e ish-zyrtarëve të lartë të qeverisjes së Partisë Demokratike.

Baza e kësaj perandorie ishte koncensioni për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, nën emrin “Kalivaçi Green Energy” (KGE). Nëpërmjet ‘KGE”, Francesko Beketi, duke përdorur nënën e tij, vjehrrën shqiptare dhe një mik italian, Mauro de Renzi, krijoi një seri kompanish të tjera, “Energji”, “400 Kë”, “Fuqi”. Në fund u krijua edhe “Agonset”, menaxhuese e televizionit “Agon Channel”.

Siç ndodh rëndom në përplasjet për territore, vjen një moment kur palët ulen për bisedime dhe gjejnë Marrëveshjen, duke i bërë lëshime njëra-tjetrës.

Konflikti disa-vjeçar Rama-Beketi kishte si skenë akordi Arbitrazhin Ndërkombëtar, ku Beketi mori nga Shqipëria mbi 100 milionë euro. Ndërsa Edi Rama fitoi territorin.

Vendimi i Arbitrazhit konfidencial? E pavërtetë

Edi Rama ka zgjedhur që të fshihet pas “konfidencialitetit” për të mos bërë publike zhvillimet në Arbitrazhin Ndërkombëtar, në përfundim të të cilit Francesko Beketi arkëton mbi 110 milion euro.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, mesjavën e kaluar, ai u shpreh se “rregullat e konfidencialitetit të Arbitrazhit Ndërkombëtar e pengojnë që të bëj transparencën e vendimit”.

Në fakt, ky qëndrim është tentativë për “t’u fshehur pas gishtit”. Detajet e konfliktit Rama-Beketi në Arbitrazh nuk ka asnjë element “konfidencial”. Në vendimin e 1 Shtatorit 2016, e njëjta trupë e Arbitrazhit Ndërkombëtar, e cila ka shqyrtuar rastin deri në Prill 2019, jep detaje të plota mbi përplasjen e qeverisë shqiptare me biznesmenin italian.

Vendimi, i cili posedohet i plotë nga “Boldnews.al” ka të renditur në mënyrë kronologjike dhe të detajuar mbi veprimet e qeverisë dhe qëndrimet e kompanisë “Hydro srl” për inspektimet e autoriteteve shtetërore.

Vendimi i ndërmjetëm i vitit 2016 ka shërbyer si bazë për vendimmarrjen përfundimtare të Arbitrazhit Ndërkombëtar. Janë të njëjtat detaje, të cilat janë shqyrtuar edhe më herët në çështjen “Hydro srl vs Albania”.

Ndaj, nuk ka asnjë justifikim juridik për të bllokuar transparencën e përfundimit të procesit në Arbitrazh. E vetmja gjë që Edi Rama ka zgjedhur të mbajë larg publikut është se përse ai ka vendosur t’i japë “fitoren në tavolinë” Francesko Beketit.

Konflikti për median opozitare? E pavërtetë

Nga ana tjetër, ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të biznesmenit italian në Shqipëri, e sjellin konfliktin Rama-Beketi para opinionit publik si një “sulm i kryeministrit kundër medias opozitare Agon-Channel”.

Edhe kjo është një e pavërtetë e madhe dhe faktet tregohen tek i njëjtin vendim i Arbitrazhit Ndërkombëtar, pjesë të të cilit po publikohej nga “Boldnews.al”.

Natyrisht, Edi Rama nuk njihet aspak miqësor me median, sidomos me ato që nuk i pranojnë propagandën e tij. “Agon Channel”, për aq sa ekzistoi, mbajti qëndrim kritik ndaj qeverisë së Ramës.

Por, ky qëndrim opozitar i televizionit duket se lidhet fort me faktin që autoritetet shtetërore kishin nisur inspektimet në kompanitë e Beketit në Shqipëri, prej të cilave financohej edhe “Agon”.

Fokusi i veprimeve qeveritare ishte kontrolli mbi situacionet e punimeve, të deklaruara si të kryera, por që nuk ekzistonin, për llogari të “Kalivaçi Green Energy”.

“Boldnews.al” ka siguruar dokumenta të shumta të hetimit të Prokurorisë së Tiranës mbi koncensionarin “KGE”. Në këto dokumenta dëshmohet se nënkontraktori “Energji”, i kontrolluar nga nëna dhe vjehrra e Beketit, kishin përgatitur fatura fiktive shitjeje për “KGE”, për punime të pakryera.

Pra, autoritetet shqiptare kishin arritur të zbulonin një skemë pastrimi parash me vlerë miliona euro, ku lidheshin ‘KGE” dhe “Energji”, të dyja nën kontrollin e Beketit. Fokusi i verifikimeve shtetërore nuk lidhej aspak me “Agon Channel”, duke rrëzuar në këtë mënyrë pretendimet publike se shkaku i sulmeve të Edi Ramës ndaj Beketit ishte linja editoriale.

Dokumentet e mëposhtme janë pjesë nga vendimi mbi arbitrazhin

Boldnews.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here